Shtypi britanik: Trefishohen kriminelët shqiptarë të drogës

616
“Daily Mail” publikoi një shkrim dy ditë më parë mbi bandat shqiptare të drogës, duke deklaruar se ato janë shtuar, ashtu si numri i kriminelëve që kanë përfunduar në burg. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, vitin e shkuar ishin pas hekurave 726 shkelës ligji nga shteti ballkanik, ndaj 267 personave në vitin 2013. Pjesa më e madhe e tyre janë të dënuar për vrasje, trafik droge, krime seksuale, pastrim parash, vjedhje dhe kërcënime. Tashmë, sipas “Daily Mail”, shqiptarët zënë grupin e tretë më të madh të huaj për numrin e të burgosurve në Angli dhe Uells, pas kriminelëve irlandezë dhe polakë, me një kosto prej 53 milionë sterlina. Megjithatë shqiptarët me 321 të burgosur për çështje droge zënë vendin e parë në këtë kategori, duke lënë pas xhamajkanët (122) dhe polakët (85). Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) ka vënë në dukje se trafikantët shqiptarë të drogës janë tashmë “një kërcënim serioz”, duke përdorur taktika të pamëshirshme për mbrojtjen e biznesit të tyre. Krimi i organizuar nga vendi me 2.9 milionë banorë ka një ndikim të madh në furnizimin me kokainë në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2016, u regjistruan 2.781 arrestime të shqiptarëve, me një rritje 8 % ndaj vitit 2015. Sipas “Daily Mail”, 1 në 11 ndër 32 mijë shqiptarët rezidentë në Angli dhe Uells janë të burgosur, ndërsa disa prej tyre mund të jenë ndaluar me shumë se një herë. Gjithashtu, mijëra shqiptarë, të cilët jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dyshohet se përdorin identitete të Kosovës, duke pretenduar se persekutohen nga konflikti në rajon. Ata dyshohen të përfshirë në trafikun e drogës dhe xhiron e prostitucionit.
Sigal