Shteti real në Shqipëri është Fullani

475
Sigal

Lirimi i Fullanit, provoi se shteti real në Shqipëri nuk është Presidenca, Kuvendi, Kryeministria, por vetëm Fullani

 Në cilin nga 24″sarajet”, i’u caktua arresti Fullanit

 “E liruan horrat! Ua ka vendosur lakun tek fyti e i tërheq si zagarët, mjeshtër paska qenë Fullani”! Kështu dëgjova të shprehej dikush në telefon, ndërsa bisedonte me dikë. Këtë zhgënjim shprehin gjithë shqiptarët, pas lirimit të bosit Fullani, të cilët edhe pas 22 vjetësh kanë mbi kokë një drejtësi të egër ndaj xhepistëve të autobusëve e hajdutëve që vjedhin furra buke dhe mos ndëshkim të kapobandave shtetërore të korrupsionit, të krimeve njerëzore e pazareve të pista me interesat kombëtare. Me arrestimin e Fullanit, shqiptarët shpresuan se më në fund u vendos drejtësia e barabartë për të gjithë. Por e gjitha sa thuhet prej horrave të pushtetit, shtetit e politikës, tregoi se edhe arrestimi dekorativ i Fullanit ishte një farsë, një shou, një mashtrim dhe tallje e turpshme me shqiptarët. Rasti Fullani u mbyll ashtu si është mbyllur çdo dosje krimi e korrupsioni, me autorësi bosët e politikës e të pushtetit në Shqipëri.

 “Beu” real i shtetit dhe politikës në Shqipëri është Fullani

 “Beu” real i politikës dhe shtetit shqiptar në Shqipëri rezultoi se është Adrian Fullani. Këtë fuqi dhe pozicion, Fullanit nuk i’a kanë falur, por e ka fituar me mjeshtëri dhe guxim prej aventurieri me detyrën e lartë të guvernatorit. Këtë pozicion dhe fuqi që ka zotëruar, guvernatori “mbret” Fullani e treguar përherë, veçanërisht në 30 ditët pas skandalit të vjedhjes së madhe të thesarit të shtetit dhe në ditët e mbajtjes formale në dhomat dhe zyrat luksoze të burgut. Dje, me lirimin e tij, ai tregoi se është “bojaxhiu” që i ka “lyer” të gjithë krerët e politikës e të shtetit shqiptar me një ngjyrë: me ngjyrën e miliardave, me ngjyrën e posteve të larta drejtuese në bankë të familjarëve të tyre! Adrian Fullani, ai që i nxori “ujë të zi” bankës së Shtetit Shqiptar, që me brekët e Ardian Bitrajt e la “pa brekë” thesarin e shtetit, u rikthye sërish mes “vartësve” të tij politikanë e shtetarë, me pranga të hequra prej tyre. Lirimi i Fullanit, tregoi se shteti dhe politika reale nuk është as presidenca, as kuvendi, as kryeministria, as drejtësia, as institucionet e tjera të shtetit, madje as banka e shtetit, por është vetëm Fullani. “Aksioneri” kryesor i shtetit “Shqipëria SHPK”, tashmë i lirë si një “krye-hero”, me fuqinë e tij të përlyerjes së krerëve të shtetit, i vuri në rresht si kope zagarësh politikanë e shtetarë majtas e djathtas dhe i urdhëroi kur të “lehnin”, ku të “lehnin” e kur të heshtnin, çfarë të “lehnin” e çfarë të “lëpinin”. Pozicioni i politikës dhe krerëve të shtetit e pushtetit, na bind sot se “beun” Adrian Fullani nuk e liroi drejtësia siç thotë Erjon Braçe, por e liroi politika. E liroi shefi kryeqeverisës Braçes. E liruan ministrat e përlyer e kukulla të pushtet-bordellos së Braçes. E liroi tutori i pushtetit të partisë dhe shefit të Braçes, ish-bosi i pushtetit Sali Berisha.e liruan ata që vazhdojnë të mbajnë pa asnjë shqetësim koncesionet dhe monopolet e pista të ish-pushtetit, të cilat në emër të 1 milion votave të “budallenjve” shqiptarë, u deklarua se do shkuleshin që ditën e parë të pushtetit, por që shërbejnë si burim pasurimi për efendilerët e rinj ministra e deputetë të pushtetit të Braçes. “Beun” Fullani nuk e liroi drejtësia, përkundrazi ajo zbatoi vetëm një urdhër, një skemë, një pazar të bërë mes atyre bosëve të pushtetit e politikës, që dridheshin “si miu” nga frika se mos ai fliste. Beu real i këtij vendi është vetëm Fullani. Ndërsa shtetarët janë thjeshtë dhe vetëm magazinierë çelësash të pushtetit dhe urdhërues të drejtësisë. Lirimi i guvernatorit që e la thesarin e shtetit bosh prej skemës së tij mafioze të vjedhjes, tregoi përfundimisht se shteti shqiptar, qeveria shqiptare, parlamenti shqiptar, politika shqiptare nuk e kanë shikimin nga Europa siç po na “çajnë trapin” ne popullit leshko dhe siç po mashtrojnë Europën, duke bërë reforma false, me parfumosje “prostitutash”, sa për të fshehur krimet që bëjnë.

 hprangosja tregoi, se “kapobanka” e Shqipërisë nuk është Fullani

 Nëse politikanët dhe shtetarët e lartë shqiptarë, nuk do të ishin të lyer prej Fullanit merr ato punët e pista të bankës shtetit, Fullani nuk do të kishte dalë prej qelisë. Nëse Fullani nuk do të kishte mbrojtjen e shtetarëve të lartë, nuk do të guxonte të lejonte të zbrazte depon e Thesarit të Shtetit. Politika, shteti, pushteti, duke heshtur ndaj skandal-krimit të bankës, tregoi se, kapobanka nuk ishte Fullani, por krerët e shtetit e politikës. Me ato pak deklarime që bënë për skandalin, treguan se kaponbanka janë ata. Duke inskenuar arrestimin formal dhe lirimin e turpshëm, shtetarë e politikanët e lartë, treguan publikisht se janë kapobanka kanë qenë dhe janë pikërisht ata, së bashku! Kishim një guvernator (ende i pa shkarkuar ligjërisht),  i cili vendoste personalisht paga sheikësh, vetëtrajtohej me shpërblime financiare të mëdha, me udhëtime qejfi jashtë shtetit, me dieta ditore 20 herë më të mëdha se presidenti i Italisë dhe Kancelarja e Gjermanisë, me vila si luks e numër, që nuk i kanë miliarderët e botës. Përveç luksit të vetes, Fullani kishte “lyer” me poste të larta në bankë, me paga, shpërblime e dieta edhe të tjerët, ata që nuk e shkarkonin nga posti para e pas prangosjes, ata që e mandatuan dy herë si guvernator dhe ata që e liruan. Dhe s’mund të qëndronte në qeli një “fuqi” e madhe që kishte vënë nën thundër krejt kupolën e shtetit dhe e detyroi të “mbyllte gojën”! Sepse në qeli, nuk kanë qëndruar as hajdutë që u kanë dhënë ministrave, deputetëve e shtetarëve të lartë nga një drekë e shishe verë e jo të qëndronte Fullani, që i kishte futur kokë e këmbë në thes(ar). Në qeli nuk kanë qëndruar as matrapazë të deputetëve që nuk u njihen emrat e jo të qëndronte Fullani që kishte gjithë emrat e shtetarëve e politikanëve të lartë në “listën e zezë” të bëmave të tij. Në qeli nuk kanë qëndruar as shoferë të kryetarëve të komunave që kanë menaxhuar tendera me letra false e jo të qëndronte Fullani, që ka në dorë gjithë letrat e politikanëve e shtetarëve të lartë.

 Në cilën nga 24 “sarajet”, i’ u caktua “arrest shtëpie”…?

 Drejtësia e liroi Adrian fullanin, duke e lënë me masën “arrest shtëpie”. Në fakt, nisur prej pasurive fizike pronësore që Fullani, mendoj se gjykata duhej të përcaktonte vendimin me “Arrest në saraje”. Nisur prej numrit të madh të sarajeve e vilave, gjykata duhej të publikonte në vendim edhe se në cilin nga vilat apo sarajet e kishte me arrest! Dihet vetëm vendimi që dhanë politikanët dhe shtetarët e lartë, që Fullani të lirohet e të qëndroj në “arrest shtëpie”, por nuk dihet se në cilin prej 14 sarajeve do qëndroj i izoluar! Sepse “beu” Adrian Fullani ka disa vila e saraje brenda e jashtë vendit. Sipas listës që është bërë publike në media, Fullani ka 24 vila e saraje, apartamente luksoze e rezidenca qejfi.

1. Vilë në Ohër- Maqedoni

2. Apartament në Ksamil

3. Vilë në Malin e Robit

4. Apartament në Durrës

5. Vilë në Tushemisht Pogradec

6. Vilë në Prespë

7. Vilë në Dardhë

8. Kompleks rezidencial në Farkë

9. Apartament në Tiranë

10. Apartament në Tiranë

11. Apartament në Tiranë

12. Apartament në Tiranë

13. Vilë në peloponez të Greqisë

14. Vilë në Dhërmi

15. Vilë në Himarë

16. Apartament në Shëngjin

17. Vilë në Gjirin e Lalëzit

18. Apartament në Vlorë

19. Vilë në Shkup

20. Vilë në Mal të Zi

21. Apartament në Korçë

22. Vilë në Korfuz

23. Apartament në Kodra e Diellit

24. Apartament në Kodra e Diellit

Përparim HALILI

***

Shenasi RAMA: Lirimi Fullanit, një shpullë në sy të njerëzve të ndershëm

 Si edhe e kisha thënë me kohë unë por edhe shumë të tjerë, Fullani është pjesë e parisë dhe ja e liruan. Si po më thoshte edhe një artist me klas, por i papunë seriozisht, edhe pse nuk është krejt keq nga gjendja, në kohën e Merhumit na tha se, do të hanim bar dhe hëngrëm bar… e në kohën e këtyre, na premtuan mrekulli, por po hamë ajër e një ajër që i vjen era djathë i qelbur… sepse këta i mblodhën paratë për vete dhe na kanë lënë thatë dhe e kanë pronësuar Shqipërinë për vete! Dhe ja ky lirim i njërit nga Çunat e Tironës, paria e krimit, është një shpullë në sy të njerëzve të ndershëm. Uroj që të zgjohen nga gjumi dhe ata 1 milion votues këndej e 700,000 andej e t’ ja fusin një shpullë ballit, e ndoshta edhe një grusht hundës së tyre që t’ ju dalë pak gjak, të nxjerrin ca xixa nga sytë, t’ ju dalë gjumi se këta e kanë seriozisht dhe po nxjerrin kunjin me të gjithë ne.

Kastriot Islami: Tani do të filloni ta kuptoni lojën e Ramës me BSH

Rama ka hedhur në treg mashtrimin e radhës…
Kërkesa për konkurs për kandidatët nga jashtë për në Këshillin Mbikëqyrës të BSH është mashtrim… Rama i urren individët me formim solid perëndimor… Rama i urren njerëzit e aftë se mendon ata i bëjnë hije… Rama i urren njerëzit me integritet se nuk i servilosen… Rama mashtron me konkursin për Këshillin Mbikëqyrës të BSH… Rama e kërkon konkursin si maskë për të caktuar personin, të cilit ka kohë që i ka premtuar, një person të afërt të tij apo me lidhje nepotike, një person të klientelës së tij… Rama kërkon të marrë nën kontroll BSH… Vajmedet kush e drejton këtë vend…

  AV. Idajet Beqiri: Masa për Fullanin, turp për Gjykatën e Apelit

 Çuarja e Fullanit në arrest shtëpie një akt superkriminal i Gjykatës së Apelit, e cila ka kohë që ligjin e ka zëvendësuar me urdhrat e Berishës. Shqiptarët kanë një arsye më shumë për t’ u rebeluar, në rast se nuk duan më tej që njerëzit e tyre, për hiç gjë, të kalben burgjeve dhe kryemafiozët e Berishës, që i kanë bërë kryegjëmën vendit dhe popullit, lihen të lirë që të na grabisin e masakrojnë më tej. Turp për Gjykatën e Apelit, por…turpi nuk skuqet!

Fullanin e liruan për t’i futur shtupën në gojë

Di aq shumë Fullani për vjedhjet dhe punët e pista që janë bërë me pastrimin e parave (kot nuk e kanë vrarë Santon more jo), se nuk janë vetëm 7 milionë, por janë qindra miliona të tjera dollarë të zhdukura siç thotë Spartak Ngjela, por Mafia ka organizuar mesa duket lirimin e Fullanit me qëllim që t’i shkasë këmba në banjë, kur të lahet e të shkojë në atë botë me shtup në gojë sipas stilit mafioz siçilian. E kështu të marrë me vete tërë sekretet e poshtërsive financiare që janë bërë në këtë vend. Lirimi i Don Full Hajnit është një alarm i madh, se Shqipëria është e kapur nga Mafia e cila i bën punët siç do ajo dhe kur do ajo. I shkreti Kostë Trebicka, shkoi dhe u harrua, dhe megjithëse, i dha dëshmitë askush nuk i mori në konsideratë. A ka ndonjë në burg për Gërdecin? Asnjë vetëm në varr 26 viktimat e shpërthimit plus 1, Trebickën. Mjerë ky popull, pa Fullanët vafshin në djall, megjithë, paratë e vjedhura, këta shushunja që po i pinë gjakun popullit. Keni për të dëgjuar. Të gjitha skenarët e mafiozëve janë për shtupën në gojë!