Shteti mes drejtësisë dhe vetëgjyqësisë

694
Sigal

 VENDIMI I GJYKATËS/ Vrasjet e 21 Janarit, Gardistët pa faj. Agim Llupo del nga burgu. Të afërmit e viktimave: “S’ka drejtësi!”

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Tiranës për deklarimin të pafajshëm të akuzuarit kryesor për katër vrasjet e 21 janarit 2011 ka tronditur opinionin dhe ka patur reagime të menjëhershme. Pas zvarritjeve të jashtëzakonshme, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar 48 vjet burg për dy nga ish-drejtuesit e Gardës, si dhe pas ekspertizës së FBI-së, dje Gjykata e Tiranës mori vendimin “surprizë”: Të akuzuarit janë të pafajshëm! Komentet e menjëhershme, duke filluar nga ai i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, që në të vërtetë është qëndrimi zyrtar amerikan, shprehnin një pakënaqësi të hapur ndaj Gjykatës. Të tjerë thanë se, ky ishte shpallja e padrejtësisë së drejtësisë shqiptare. Thënë ndryshe: në këtë vend nuk ka drejtësi. Këtë e pohuan haptazi të afërmit e viktimave të 21 janarit. As më shumë dhe as më pak ata deklaruan se, pasi foli në këtë mënyrë drejtësia, tani është radha e vetëgjyqësisë. Domethënë, kemi një rikthim të frikshëm prapa në kohën e kanuneve mesjetare, pasi e pretenduara Kushtetutë e shtetit shqiptar aktual nuk na e jep atë garanci për të qenë qytetarë të denjë të një shoqërie demokratike. Pa dashje, apo me qëllim, dje u provua mosfunksionimi i një prej shtyllave më të qenësishme të demokracisë: Gjyqësorit. Parë përtej një vendimi gjykate, ky është një fakt tepër tronditës. Më shumë se 22 vjet nga përmbysja e diktaturës, ne nuk jemi në gjendje të kemi një shtet të së drejtës dhe të ligjit.

Vendimi

Gjykata e Tiranës, seksioni i Krimeve të Rënda shpalli dje të pafajshëm ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi, shoferin e tij Margarit Kume si dhe ish-gardistin Agim Llupo, të cilët akuzoheshin për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011. Gjyqtari i çështjes Besnik Hoxha ka rrëzuar akuzën e Prokurorisë për vrasje me dashje në rrethana cilësuese. Teksa lexoi vendimin për të akuzuarit, gjyqtari Hoxha kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-gardistit Agim Llupo si dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi. “Gjatë hetimeve nuk është provuar që dy të pandehurit kanë realizuar këtë vepër penale me dashje, por kanë qenë në zbatim të ligjit për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë”, theksoi Hoxha. Po ashtu, Hoxha në vendimin e marrë ishte bazuar në një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Strasburgut për një rast të ngjashëm në Itali. Avokati i Ndrea Prendit komentoi për mediat se vendimi nuk lë vend për asnjë koment. Ai shtoi se klienti i tij do të kërkojë dëmshpërblim për kohën e kaluar në paraburgim. Në prononcimin për mediat, avokati Genc Gjokataj e cilësoi vendimin e gjykatës si të drejtë, pasi sipas tij, komandanti i Gardës Ndrea Prendi ashtu edhe gardisti Agim Llupo ishin në mbrojtje të institucioneve. Të pandehurit kryesore të kësaj çështjeje ishin ish- komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, të akuzuar për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011. Në seancën e djeshme, avokatët mbrojtës kërkuan që klientët e tyre të shpallen të pafajshëm për akuzat e vrasjeve të 4 protestuesve të 21 Janarit. Avokatët e Ndrea Prendit dhe të Agim Llupos kërkuan dje rrëzimin e akuzave të Prokurorisë pasi ato nuk vërtetohen. Prokuroria kërkoi kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues. Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Ky proces gjyqësor i nisur dy vjet më parë shkoi sot drejt mbylljes së tij në Gjykatën e Shkallës së Parë, ndërsa mbeten me ende pa autor vrasjet e ka demonstruesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda e Aleks Nikaj.

Lirohet nga paraburgimi ish-gardisti Agim Llupo

Ish-gardisti Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e 2 demonstruesve të 21 janarit, ka lënë qelitë e paraburgimit, afro 5 orë pas dhënies së vendimit të gjykatës. Mësohet se, Llupo ka dalë nga burgu rreth orës 16:00 dhe është futur menjëherë në një makinë me xhama të zinj duke mos pranuar të japë asnjë prononcim për mediat. Jashtë ambienteve të paraburgimit është vënë re prania e shumë gardistëve, të cilët kanë pritur lirimin Agim Llupos. Sot mbushen plot 2 vjet që kur gardistit Agim Llupo i janë vënë prangat, nën akuzën e vrasjes së demonstruesve, përpara godinës së kryeministrisë. Ndërkohë ish-shefi i Gardës, Ndrea Prendi ka qëndruar në “arrest shtëpiak” në një apartament në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë. Tashmë prokuroria ka dërguar urdhrin për heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Prendin

Vendimi për 21 Janarin, djali i Faik Myrtaj: “Gjaku lahet me gjak”

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të shpallur të pafajshëm të pandehurit për ngjarjet e 21 janarit, vjen edhe reagimi i djalit të njërit prej 4 viktimave. Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtaj deklaron për Nevvs 24 se me këtë vendim babai i tij u vra për të dytën herë. “Vendimi ishte diçka që e prisja, se përderisa kryeministri dha urdhër të vriteshin katër vetë, normalisht që më vonë do t’i mbulonte. Por zoti Kryeministër nuk ka marrë një gjë parasysh, ndoshta çdo gjë i mbulon mirë me gjykatën dhe me njerëzit e tij, por nuk ka mbuluar një diçka akoma. Me fiset e këtyre personave ç’do bëjë? Do t’i zhduki të tërë? Mirë mua mund të më zhdukë se unë një jam, po fisit tim ç’do i bëjë? Se tradita e vjetër thotë që gjaku lahet me gjak dhe jo me lek siç është mësuar zoti Kryeministër. Ç’lidhje kemi ne me drejtësinë. Me këtë kryeministër që kemi ne s’mund të ketë drejtësi”,- tha djali. Ai tha më tej se me këtë vendim, “Ne ndjehemi si të varrosur për së gjalli”.

Vëllai i Ziver Veizit: “Do shkojmë drejt vetëgjyqësisë!”

Do shkojmë drejt vetëgjyqësisë. Kështu ka deklaruar nga Gjirokastra vëllai dhe xhaxhai i Ziver Veizit, viktimë e ngjarjes së 21 Janarit. Caush Veizi deklaroi se do ta kërkojë drejtësinë, por sipas tij, kjo nuk mund të ndodhë gjatë kësaj qeverisjeje. “Ne nuk është se prisnim ndonjë çudi nga kjo qeveri, por jo dhe një dënim të tillë. Të më vrasin vëllain me duar në xhepa në trotuar, nuk e fal. Kjo gjë na shpie që të kërkojmë vetëgjykim. Do ankohemi në çdo vend, kudo që të gjejmë prova, por jo sot se nuk shohim drejtësi. Do vijë një ditë që gjërat do marrin rrugën e tyre”,- shprehet vëllai i Ziver Veizit.

Prokuroria: Hapa të mëtejshme pas zbardhjes së vendimit

Pas interesimit të Nevvs 24, se cili do të jetë reagimi Prokurorisë së Përgjithshme për vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi të shpallë të pafajshëm dy të pandehurit e ngjarjeve të 21 Janarit, Agim Llupon dhe Ndrea Prendin, Prokuroria deklaron se, pret të zbardhet vendimi i plotë, pastaj të merren hapa të tjerë. “Do presim vendimin e zbardhur. Do ndërmarrim hapa të mëtejshëm pas zbardhjes së vendimit”.

 SHBA: “Jemi të tronditur nga vendimi i gjykatës për 21 Janarin”

Ambasada Amerikane në Tiranë, reagoi dje lidhur me vendimin e Gjykatës së Tiranës për 21 janarin. “Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. “Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë.  Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv.  Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.

 KE, Peter Stano: “Vendimi për 21 janarin, i apelueshëm, të mos polarizohet”

Komisioni Europian reagon për vendimin e sotëm të gjykatës së Tiranës për 21 janarin. Zëdhënësi Peter Stano, tha se, “në progres raportin e Shqipërisë bëhet thirrje për të trajtuar çështjen përmes një procesi gjykimi të besueshëm”. KE shënon se vendimi i dhënë është subjekt apeli, dhe ne besojmë se çdo polarizim i çështjes duhet evituar,- tha Stano. Ai theksoi se një sistem gjykatash i pavarur, i paanshëm dhe i përgjegjshëm, i zoti për të bërë gjykime të ndershme është dëshirë e çdo qytetari shqiptar dhe është parakusht themelor për rrugën drejt Bashkimit Europian.

 Flasin për “Telegraf”

Ish-Presidenti Alfred Moisiu

Lidhur me vendimin e djeshëm të Gjykatës së Tiranës për nxjerrjen të pafajshëm të të akuzuarve kryesorë për vrasjet e 21 Janarit 2011, ish-Presidenti Alfred Moisiu u përgjigj fare shkurt për “Telegraf”, duke thënë se: “ Jam shumë i mërzitur nga ky vendim i Gjykatës për 21 Janarin. Nuk dua ta komentoj një vendim kaq flagrant”.

 Ish-Presidenti Bamir Topi

I pyetur për vendimin e djeshëm të Gjykatës së Tiranës, ish-Presidenti Bamir Topi tha se për shkak të detyrës si President I Republikës për kohën që ka ndodhur ngjarja, nuk mund të prononcohej apo të vlerësonte atë vendim. Por ai shtoi se  kryetari i Partisë Fryma e re Demokratike, do të thoshte se: “Sot kemi vetëm një debat politik me pak fryt ose pa fryt fare do të thoja. Kemi njerëz që sot janë në pushtet dhe që i kanë heq atë që është më e rëndësishme për shtetin, seriozitetin e një institucioni”. Sipas tij, sot është një dorë që është në krye të qeverisë. “Ai dominon të gjitha pushtetet. Ai në këtë lloj ndërmarrjeje nuk ka qenë i vetëm. Me ndryshimet kushtetuese në vitin 2008 atij ju dha një ndihmë e drejtpërdrejtë edhe nga kryetari i opozitës së sotme. Sot kemi të drejtë të bëjmë vlerësimet tona kritike, të kritikojmë mënyrën se si administrohet shteti e institucionet. Kemi të drejtën legjitime të themi se politika shqiptare duhet të ishte më e urtë dhe jo konfliktuale”, nënvizoi Topi.

  Edi Rama: “Vendimi për 21 Janarin barbar, gjyqi ende s’ka filluar”

 Kryesocialisti Edi Rama mbajti dje një konferencë për shtyp ku ka ‘dënuar’ vendimin e Gjykatës së Tiranës për të shpallur të pafajshëm 2 të pandehurit e ngjarjeve të 21 janarit. Rama tha se për këtë ngjarje nuk u mor vendim, pasi siç shtoi ai, drejtësia nuk vihet në vend me vendime të padrejta. “Kryeministri i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj që e pushkatojnë drejtësinë në publik njësoj si garda 4 dëshmorët e 21 janarit. Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë atij që pas 23 Qershorit do jetë thjesht kryetari i Partisë Demokratike. Sot nuk pati gjykim por vetëm një përfaqësim mes vrasësve të drejtësisë dhe vrasësve të 4 protestuesve. Edhe pse ishte krimi më barbar në Shqipëri pas komunizmit, vendimi i sotëm është më barbari”, tha Rama. Sipas tij, “Familjet e 4 dëshmorëve të 21 janarit nuk duhet ta vuajnë sot përfundimin e një gjyqi që në të vërtetë ende nuk ka filluar. Siguroj se 21 janari është nga ato ngjarje që nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe nuk mbyllen me gjykim të padrejtës”, shtoi ai. Ai tha më tej se, “Pas 23 qershorit, do të nisë një proces publik për kreun e PD”. Sipas Ramës, mos dënimi i të pandehurve është një turp për të gjithë shoqërinë. “Ky i sotmi nuk është turp nga vrasësit e drejtësisë, ky është një turp për shoqërinë tonë, është përgjegjësia jonë historike si shoqëri. Përgjegjësi që duhet ta ndjejë çdo prind, çdo i ri dhe e re në këtë vend, çdo socialist apo demokrat që ka respekt për veten”, tha ai. Rama shtoi se, “sot, çdo mik ndërkombëtar që u angazhua për 21 Janarin, besoj se ndjehet më afër një shteti, ku ligjet nuk vlejnë asnjë grosh dhe kultura e pandëshkueshmërisë bën ligjin”, shtoi ai.

 Berisha: “Nuk komentoj vendimet e gjykatave”

 Kryeministri Sali Berisha doli para medias dhe fillimisht preferoi të flasë për fermerët e Shqipërisë duke e shmangur çështjen e vendimit të gjykatës për 21 Janarin. “Jam këtu të informoj fermerët se qeveria javën e ardhshme do të heqë TVSH-në për çdo lloj vegle, pajisje dhe makinerie të cilat kanë destinacion bujqësinë, blegtorinë, bletarinë e agrobiznesin”, u shpreh Berisha. I pyetur nga gazetarët për vendimin mbi ngjarjet e 21 Janarit kryeministri deklaroi se “sot jam këtu për këtë çështje. Sot dhe asnjëherë nuk do më gjeni mua të komentoj vendimet e gjykatave. Ky është qëndrimi im i prerë. Ky është një vend që ka sistemin e drejtësisë, sistemin e akuzës dhe asnjë koment zotëri. Unë ju kërkova ju pyetje nëse keni për çështjen që jam këtu para jush”. Berisha tha se, “mos prisni kurrë nga unë të komentoj vendimet e gjykatave. Ky është qëndrimi im i prerë. Nëse keni pyetje për çështjen e bujqësisë dakord”.

 AK: “Berisha të përgjigjet për krimet”

Aleanca Kuqezi akuzoi Kryeministrin se pasi i vrau katër njerëz të pafajshëm u ka dalë në mbrojtje vrasësve si urdhërues i tyre. Sipas kësaj partie, Garda i ktheu armët popullit të paarmatosur për të mbrojtur regjimin e Sali Berishës. “Aleanca Kuq e Zi dënon me forcë lirimin nga çdo akuzë të përgjegjësve për vrasjet e 21 Janarit 2011. Sali Berisha i ka patur dhe do t’i ketë përherë duart e lyera me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm të cilët prej 1997 po vriten nga armët që regjimi i këtij shtetasi nuk mundi t’i kontrollonte, nga armët pushtetare që me 21 Janar 2011 u drejtuan kundër popullit. Ky shtetas vrastar që drejton qeverinë e Shqipërisë, por jo të shqiptarëve duhet të përgjigjet për krimet e kryera. Sali Berisha nuk i ka mbyllur hesapet me shqiptarët, me largimin e tij nga qeveria ai do të përballet me gjyqin e shqiptarëve dhe do të ndëshkohet maksimalisht për të gjitha krimet e kryera nga pushteti”, -tha Myslim Pasha.

  Petro Koçi: “Atentat ndaj shpresës se Shqipëria mund të bëhet”

Guximi i një gjykate për të shpallur të pafajshëm autorët e masakrës së 21 Janarit përbën një akt të shpalljes me vendim të gjyqësorit se Republika ka vdekur dhe është instaluar pashallëku i Sali Berishës. Kjo është një ngjarje edhe më e rëndë sesa vetë masakra e 21 Janarit.  Ky akt përbën një atentat ndaj shpresës se Shqipëria mund të bëhet. Vendimi i gjykatës për të rivrarë dëshmorët e 21 Janarit na rikujton dhe një herë se shteti ka rënë dhe rron vetëm pushteti kriminal i qeverisë “Berisha”. PSV91 i bën thirrje qytetarisë mbarëshqiptare të reagojë kudo dhe në mënyrë të bashkuar për të rrëzuar  ndërgjegjen antishtetërore të Kryeministrit antishtet Sali Berisha dhe për të punuar së bashku me opozitën progresiste për rotacion të shpejtë qeverisës dhe instalim të ndërgjegjes shtetërore në qeverisjen e re të vendit. Vendi ka nevojë për demokraci dhe drejtësi institucionale. PSV i shpreh mirënjohje Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë për vlerësimin pa ekuivok të natyrës antishtetërore të vendimit të sotëm të gjykatës.

 Kush është Besnik Hoxha, gjykatësi që dha vendimin për pafajësinë e Prendit dhe Llupos

Besnik Hoxha, kryetari i trupit gjykues që dha vendimin e lirimit të gardistëve të akuzuar për vrasjet e 21 Janarit, ushtron funksionin si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës që prej 1 prillit të vitit 2010, pas një vendimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që e transferoi atë nga Shkodra drejt kryeqytetit. Për shumë vite me radhë gjyqtari Besnik Hoxha ka punuar në Gjykatën e Shkodrës, ku dhe 12 vite më parë, tamam më 12 dhjetor 2002, ishte shënjestër e një shpërthimi me eksploziv në banesë në 1.30 të natës, ku për fat të mirë pati vetëm dëme materiale.

Ai atentat edhe sot e kësaj dite mbeti misterioz dhe pa autorë. Një raport i OSBE/së e cilësoi vendosje e eksplozivit si një goditje ndaj përfaqësuesve të drejtësisë. Por sapo dosja e 21 Janarit kaloi për gjykim, shorti vendosi që do të ishte pikërisht Besnik Hoxha kreu i trupit gjykues, me anëtarë Ardiana Berën dhe Arjana Cacon.

Vendimi për ’21 Janarin’, PS bojkot Kuvendit.Topalli: ‘Të paburrë’, boll vratë 50 vjet!

Opozita braktis dje sallën e Kuvendit në shenjë proteste për vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm të pandehurit për ngjarjet e 21 janarit. Deputeti Sajmir Tahiri deklaroi nga foltorja e Kuvendit se gardisti Agim Llupo dhe Kreu i Gardës, Ndrea Prendi nuk do shpëtojnë pa drejtësi. Pas fjalës së tij, deputetët e PS lanë sallën e Kuvendit. Teksa ata braktisnin sallën Kryeparlamentarja Topalli shprehej: “Ju jeni frikacakë. I çoni për t’i vrarë dhe pastaj ikni. Boll keni vrarë 50 vjet”, iu tha ajo deputetëve të opozitës.

Në reagimin e saj të menjëhershëm Topalli, i krahasoi deputetët socialistë me anëtarët e byrosë politike të sistemit komunist.

“Ju jeni të njëjtët. Janë mësuar që për pesëdhjetë vite të bënin prokurorin e gjykatësin dhe thoshin ‘t’i varin në litar’. Por, harrojeni, ka ndryshuar koha. Ti mund të jesh sekretari i parë i Tiranës, por si Xhelil Gjoni nuk mund të jesh o qyqar”, iu drejtua Topalli deputetit të PS-së, Tahiri.

 Duke marrë shkas nga vendimi për 21 janarin ajo theksoi se “kur drejtësia flet të gjithë duhet të heshtin”. Sipas saj, opozitarët janë “të paburrë” pasi i nxorën në bulevard për t’i vrarë demonstruesit dhe ikën.

 Topalli duke folur për drejtësinë, i kujtoi deputetes Luiza Xhuvani ngjarjen me djalin e saj.

 “S’ishte nënë ajo që djali yt i vrau të birin, po për atë duhet të heshtim se për atë vendos drejtësia, ndërsa për të tjerët jo”, -tha Topalli.