Shteti i kapur nga korrupsioni dhe kartelet mafioze

475
Sigal

Bulqiza, PS, letër Kryeministrit Berisha për interpelancë në Kuvend lidhur me koncesionet e minierave

Grupi parlamentar i PS-së ka përsëritur kërkesën për interpelancë me kryeministrin Sali Berisha për zbatimin e marrëveshjeve koncesionare për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë dhe problemet e shumta që lidhen me këtë çështje. Në një letër drejtuar kryeministrit Berisha, nënkryetari i grupit të PS-së, Sajmir Tahiri thekson se, ai nuk po përmbush detyrimin Kushtetues për të dhënë informacion. “Grupi Parlamentar i PS ju ka kërkuar të paraqiteni 2 herë në interpelancë urgjente për çështjen e Bulqizës. Me kërkesën e Dt. 07.05.2012 dhe kërkesën tjetër Dt. 10.07.2012, kemi kërkuar që Ju si Kryeministër i vendit, të jepni shpjegime para parlamentit rreth punës tuaj për të ndalur rrethanat kriminale dhe pasojat tragjike me minatorët dhe mineralin. Gjithashtu, me kërkesën e Dt. 09.07. 2012 i kemi kërkuar informacion Ministrit të Qeverisë Suaj për Ekonominë, Tregtinë dhe Energjetikën lidhur me pagesën ose jo të detyrimeve të ACR ndaj shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për detyrimet e papaguara që ministri i atëhershëm, Genc Ruli i shtyu me një kontratë nën tavolinë dhe një justifikim banal sipas të cilit parlamenti ishte mbyllur”, thekson letra. Më tej në letër theksohet se heshtja e kryeministrit ndaj situatës në Bulqizë nuk mund të ketë shpjegim tjetër veç kapjes së shtetit, korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj karteleve mafioze që kanë zaptuar Bulqizën. “Por njëkohësisht, heshtja Juaj është edhe simbol i injorimit të shtetit ligjor, parlamentarizmit dhe detyrimit Tuaj kushtetues për të dhënë llogari para deputetëve. Ndaj përpara se të jetë shumë vonë, po Ju rikujtoj edhe një herë detyrimin tuaj për të dhënë llogari para Parlamentit duke respektuar kërkesën e Grupit të PS për interpelancë urgjente lidhur me çështjen e Bulqizës. Siç njëkohësisht po Ju rikujtoj edhe një herë të detyroni Ministrin Tuaj ti përgjigjet kërkesës për informacion lidhur me aspekte po të së njëjtën çështje” përfundon letra.