SHTETI HESHT PËR MASHTRIMIN ME VAJIN E ULLIRIT

923
Sigal

Jakup B. GJOÇA

AKU-ja hesht për mashtrimin me vajin e ullirit të përzier me kimikate kancerogjene

Ish-ministri i Bujqësisë Prof. Dr. Edmond Panariti: Përse nuk publikohen emrat e prodhuesve dhe nuk sekuestrohet vaji i manipuluar

Gazeta “Telegraf” disa muaj më parë ka botuar një reportazh, me vajin e lulediellit i manipuluar në vaj ulliri që importohej nga Greqia dhe shitej në Shqipëri. Madje, disa ditë më vonë, edhe media gjermane DË i kushtoi një reportazh më të hollësishëm, ku shkruante se vaji i lulediellit, i ngjyrosur me ngjyrime, eksportohen nga Greqia në Gjermani e shitej si vaj ulliri, duke përshkruar edhe mënyrën sesi eksportohej, me çfarë ambalazhi transportohej nga Greqia në Gjermani, duke publikuar edhe emrat e manipuluesve grekë, si edhe vendndodhjen e punishtes, ku vaji i lulediellit përzihej me ngjyrues të rrezikshëm për shëndetin. Organet e specializuara greke vepruan menjëherë dhe manipuluesit grekë u çuan para drejtësisë.

AKU, si gjithmonë hesht…

Në Shqipëri, edhe pse gazeta “Telegraf” me përgjegjësi publikoi reportazhin, dha alarmin e këtij manipulimi, AKU, si institucion shtetëror i specializuar nuk veproi, as nuk sekuestroi sasitë e importuara të atij vaji nga Greqia ën Shqipëri dhe, natyrisht, nuk çoi para gjyqit manipuluesit dhe matrapazët, që vënë në rrezik shëndetin publik me ushqime të rrezikshme.

Gazeta “Telegraf” shkruan pardje, të martën: Vaj fals dhe i rrezikshëm

Pardje gazeta “Telegraf” botoi një shkrim, me titull: Vaji fals dhe i rrezikshëm, specialistët: Dëmton zemrën, shkakton sëmundje të rënda, ku ndër të tjera, thuhet: Një pjesë e vajit që etiketohet si vaj ulliri dhe që shitet në treg, në fakt nuk është aspak i tillë. Top Channel e faktoi këtë me analiza nga institucionet shtetërore të disa lloje të vajit. Përveç mashtrimit financiar, që i bëhet konsumatorëve pas vajrave false ka edhe një rrezik serioz për shëndetin. Onejda Kyçyku, specialiste e ullirit dhe vajit të ullirit thotë se, “Vaji i ullirit nuk është i lejueshëm për t’u tregtuar dhe konsumuar. Zakonisht këto vajra kalojnë për t’u rafinuar, sepse të gjitha këto komponentët në tërësi si aciditeti, peroksidet, koeficienti i përthithjes, tregojnë se këto komponentët kur merren në organizëm, japin probleme të shëndetit”. Kujdes nëse në etiketën e produktit lexoni vaj ulliri, ekstra i virgjër apo i virgjër jo gjithmonë është i tillë, pasi analizat treguan se vaji, i cili tregtohet si ulliri treguan që ishte përzierje industriale me përbërës të pa certifikuar, të panjohur dhe të rrezikshëm. “Ju e dini shumë mirë se ne çfarë hamë, na del në shëndet, dhe këto lidhen me shumë sëmundje që janë kardiovaskulare, kancerogjene dhe të gjitha sëmundjet e tjera, të cilat kanë këtë lidhje të drejtpërdrejtë me konsumimin e produkteve ushqimore”, tha Kyçyku. Edhe pas këtij botimi të shkrimit AKU nuk reagoi, por heshti si gjithmonë.

Tregtohet vaj ulliri i përzierë me kimkate kancerogjene

Tashëm dihet, që në tregun shqiptar tregtohet vaj ulliri i manipuluar me ngjyrues dhe me kimikate të rrezikshme për shëndetin, përzierjet e të cilit shkaktojnë edhe ndryshime në ADN dhe në kromozomet e gjakut të njeriut, duke shkaktuar sëmundje kancerogjene. Ka edhe analiza të bëra nga laboratorë të institucioneve shtetërore. Por, çuditërisht, konsumatori nuk ka dijeni, dhe vazhdon të blejë vaj ulliri të kancerizuar…

Laboratori i Veterinarisë ka bërë analizat e vajit të ullirit të manipuluar, AKU nuk ka marrë haber?!…

Madje, siç pohon edhe ish-ministri i Bujqësisë, Prof. Dr. Edmond Panariti, laboratori i Veterinarisë, që është në vartësi të AKU-së, ka bërë analiza, ka dëshmuar preparate kimike të hedhura ën sasi vaji ulliri që tregtohet në treg në Shqipëri. Mirëpo, AKU deri tani nuk ka vepruar? Përse AKU nuk ka sekuestruar sasitë e vajit të manipuluar me preparate kimike me përmbajtje kancerogjene? Ka marrë haber AKU nga laboratori i Veterinarisë, të cilin e ka në vartësi? Nëse po, dhe nëse ka sekuestruar sasitë e vajit të kancerizuar, përse nuk publikon emrat e biznesit që ka manipuluar vajin? Përse AKU nuk publikohen edhe emrat e supermarketeve që tregtojnë këtë vaj të manipuluar? Përse AKU nuk ka bërë padi penale kundër atyre që manipulojnë dhe tregtojnë vajin e manipuluar? Ku manipulohet vaji? Në Shqipëri? Ku janë fabrikat e manipulimit të vajit? Nëse importohet, inspektorët e PIK-ut në dogana kanë zbuluar gjë? Kanë kontrolluar dhe a kanë bërë gjë analiza? AKU e ka detyrim ligjor që të përgjigjet këtyre pyetjeve, sepse shqiptarët janë të rrezikuar përditë përballë vajit të kancerizuar, i cili tregtohet ende.

Agron Duka, ish-ministri i Bujqësisë: Të ndiqet gjurmimi i produktit të manipuluar!

Agron Duka ish-ministër i Bujqësisë dhe kryetar i PPA-së pohon se për të gjetur burimin e produkteve ushqimore të rrezikshme për shëndetin publik, të cilat tregtohen, duhet të ndiqet gjurmimi i tyre. Që, siç thotë zoti Duka, duhet të fillohet kontrolli i gjurmimit, nga tregtari i vogël ku e bleu, pastaj shkon te tregtari i mesëm, andej nga depot qendrore të tregtimit, që këtu gjurmët do të çojnë ose tek prodhuesi, ose tek importuesi. AKU në shumë raste, duke mos ndjekur metodën e gjurmimit, (ndoshta, sepse e di burimin por ka interesa, ose është e paaftë profesionalisht), në të shumtën e rasteve, vendos gjoba ndaj një shitësi të vogël, sekuestron disa litra që i gjenden atij në momentin e kontrollit, dhe, paskëtaj, e quan të kryer detyrën me publikimet e buletineve policore, si histori suksesi, për sekuestrime të disa kokrrave vezë, disa litrave qumësht, e dhjetë copave biskote jashtë standardeve higjienike….

Prof. Dr. Edmond Panariti, ish-ministri i Bujqësisë: “Zbulimi i vajit të ullirit të falsifikuar në treg, përbën një mega-skandal kombëtar”. AKU, fajtor 

Ish-ministri i Bujqësisë Prof. Dr. Edmond Panariti, ka reaguar pas publikimit në media të analizave laboratorike që treguan se një pjesë e vajit të etiketuar si vaj ulliri është thjesht mashtrim. “Zbulimi i vajit të ullirit të falsifikuar në treg, përbën një mega-skandal kombëtar”, shprehet Panariti, ndërsa paralajmëron se “pasojat mbi shëndetin gjithashtu mund të jenë kronike, afatgjata dhe të transmetueshme në breza”. shprehet në reagimin e tij ish-ministri. Ai hedh akuza edhe ndaj AKU-së se hesht dhe nuk bllokon prodhuesit e vajrave të falsifikuara. Ja reagimi i ish-ministrit të Bujqësisë, deputetit të LSI-së, Prof. Dr. Edmond Panariti: Prodhues, apo institucione “fake”? Kjo është çështja! Zbulimi i vajit të ullirit të falsifikuar në treg, përbën një mega-skandal kombëtar… Bëhet fjalë për një produkt, të cilin e përdorim të gjithë! Këtu nuk diskutohet thjesht për falsifikimin, por mbi të gjitha për natyrën dhe llojin e tij ! Ky falsifikim mund të jetë edhe me natyrë kriminale, pasi agjentët falsifikues, të cilët mund të jenë ngjyrues, aromatizues, vaj sintetik industrial etj. mund të jenë kancerogjenë, teratogjenë, mutagjenë… Lista e pasojave me prapashtesën.. “gjenë” mund të jetë e gjatë.! .. Pasojat mbi shëndetin, gjithashtu, mund të jenë kronike, afatgjata dhe të transmetueshme në breza!!!! Kjo nuk mund të kalohet lehtë, si një “lajm vere”..!! Duhet t’i jemi mirënjohës medias, e cila zëvendëson në këtë rast rolin dhe funksionin e AKU-së dhe arrin ta zbulojë këtë skandal! Të dhënat e zbulimit të falsifikimit, vijnë nga Instituti i Sigurisë dhe i Veterinarisë, i cili është në varësinë e AKU-së. Por pavarësisht se Instituti i saj bën publike në media skandalin ushqimor, AKU hesht dhe nuk bllokon prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtuesit e këtij prodhimi fals, duke vënë në rrezik me mijëra konsumatorë në të gjithë Shqipërinë! Dikush duhet të përgjigjet! Dy janë mundësitë: O mashtron prodhuesi dhe në këtë rast emri i tij dhe i markës duhet të bëhet publik. Prodhimet e falsifikuara, të tërhiqen urgjentisht nga magazinat dhe tregu dhe të nisë procedimi penal, ose analizat nuk janë të vërteta dhe zyrtare! Edhe në këtë rast do të kishim të bënim me falsifikim të rezultateve në dëm të prodhuesve dhe të prodhimit. Përsëri objekt hetimi penal! Këtë duhet të na sqarojë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe sa më parë!

DW / Greqi: Policia zbulon shumë ton vaj luledielli, të shitur si vaj ulliri

Policia në Greqi ka arrestuar shtatë vetë që kanë ngjyer me të gjelbër tonelata të tëra vaj luledielli dhe e kanë shitur si vaj ulliri. Prokuroria greke bëri të ditur të dielën (26.11), se në Greqi janë shitur shumë ton vaj luledielli si vaj ulliri. Ajo akuzoi shtatë persona, që e kanë ngjyer vajin e lulediellit të verdhë në ngjyrë të gjelbër, në mënyrë që të duket si vaj ulliri. Ky vaj i falsifikuar është eksportuar edhe në Gjermani dhe ne vendet e tjera rreth saj në Ballkan. Policia arrestoi të dyshuarit – një familje me katër anëtarë dhe tre të afërm – në qytetin Larisa. Vaji i falsifikuar u është shitur në enë pesë litërshe konsumatorëve grekë dhe është eksportuar në mbajtëse njëtonëshe vaji, kryesisht në Gjermani. Policia gjeti në vend pesë ton vaj të falsifikuar, i cili nuk qe paketuar ende dhe dymbëdhjetë mbajtëse, të destinuara për eksport. Produkti shitej si “Vaj ulliri ekstra i pastër, direkt nga prodhuesi”. Në Greqi, një vaj i vërtetë i tillë kushton nga 26 deri 30 euro. Policia pati arrestuar më parë rreth 60 tregtarë të vajit të falsifikuar dhe vetëm më vonë konstatoi se ku ndodhej qendra e dyshuar e mashtrimit.