Shteti dhe drejtësia në kaos, vendi drejt diktaturës

648
Sigal

Shqipëria sot është gati në kolaps total. Parlamenti ka vetëm 122 anëtar nga 140 që përcakton Kushtetuta, gjë që e bënë atë jolegjitim dhe monopartiak. Pushteti lokal, institucionet e pavarura  nën kontrollin e qeverisë, ndërsa gjykatat nën kërcënimin e e kreut të saj. Reagojnë ish-presidenti Nishani, Lubonja, Bardhi: Vetëm rruga e Kushtetutës na fut në BE

 

Lubonja: “Eliminimi” i Meta është alarm i madh për të gjithë ne që duam të jetojmë në një vend të lirë

Analisti Fatos Lubonja komentoi shpërthimin e Presidentit Ilir Meta ditën e sotme, lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese. Lubonja tha, se në thelb Meta ka të drejtë, pasi këshilla e ndërkombëtarëve për ta çuar çështjen në Komisionin e Venecias është qesharake. “Si President do ta doja më racional. Nëse bëhet fjalë për palaço ndërkombëtarë, do doja diçka më konkrete. Në thelb mendoj se ka të drejtë. Ta nisim me Venecian. Është qesharake kjo këshillë, sepse dëshmon dështimin e Reformës në Drejtësi. Ata na kishin premtuar se do bënin një reformë në drejtësi që do ta shpëtonte nga politika. Lidhur, me kush ka të drejtë? Unë ndjehem i fyer të më vendosë Venecia për këtë. Aty është e qartë fare, është e shkruar në Kushtetutë, që duhet bërë me radhë. Jo një jurist, por edhe një qytetar normal, e kupton se aty duhet të ishte respektuar një radhë, që nuk është respektuar qëllimisht, për të vendosur aty njerëzit që donte PS me Ramën. Presidenti e ka çuar deri në Prokurori vendimin e Dvoranit, pra ka disa argumente ligjore. Tani, kjo u dashka çuar në Venecia! Ka ca gjëra e shkruara e zeza në të bardhë xhanëm, që thotë tre Presidenti, Tre Parlamenti dhe unë sot lexova Venecian dhe pikëpyetja më e madhe ishte për ato tre të Parlamentit, se thoshte që duhet të ketë shumicë të cilësuar, jo të thjeshtë. Ne jemi para një situate që bën “muu”, ku një Parlament i kapur i gjithi nga mazhoranca kërkon të vendosë tre të vetët, edhe tre të Presidentit dhe, pas kësaj është e qartë fare, se kemi një President nën kërcënim për t’u hequr nga Presidenca. Venecia e ka thënë, se një nga rreziqet e mëdha është kapja e drejtësisë nga këta që kontrollojnë procesin” Dhe “eliminimi” i Presidenti Meta është alarm i madh për të gjithë ne që duam të jetojmë në një vend të lirë. – tha Lubonja.

Ish-Presidenti Nishani: Kushtetuta zbatohet! Demokracia s’mund të dorëzohet më si në 1944-n!

Ish-Presidenti Bujar Nishani, pas takimit me kreun e shtetit Ilir Metën se Kushtetuta e Shqipërisë  u shpreh: Sot pata një takim me Presidentin e Republikës, fokusuar tek situata e rëndë e agresionit të maxhorancës qeverisëse mbi Kushtetutën e vendit, Institucionin e Presidentit të Republikës dhe Gjykatën e re Kushtetuese që po krijohet. Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë si kristali në lidhje me formimin e kësaj Gjykate superiore!

1- Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 (nëntë) anëtar, 3 (tre) zgjidhen nga Presidenti, 3 (tre) zgjidhen nga Parlamenti dhe 3 (tre) zgjidhen nga Gjykata e Lartë!

2- Anëtari i parë zgjidhet nga Presidenti, anëtari i dytë zgjidhet nga Parlamenti, anëtari i tretë zgjidhet nga Gjykata e Lartë e kështu radha përsëritet deri tek anëtari i 9 (nëntë).

3- Anëtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi betohet përpara Presidentit të Republikës.

Kjo është Kushtetuta e Shqipërisë të cilën që nga Presidenti i Republikës e deri tek çdo qytetar duhet ta zbatojë, ta respektojë dhe ta mbrojë! Në këtë rast nuk ka alternativë tjetër! Nuk ka alternativë tjetër pasi integriteti i Shtetit Shqiptar, të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, funksionimi i shtetit ligjor, vetë Demokracia në Shqipëri nuk mund të dorëzohen më si në 1944″.

Bardhi: Komisioni i Venecias nuk merr vendime. Shqipërisë nuk i shërben zvarritja e ngritjes së GJK

Në përgjigje të interesit mbi çështjen e Gjykatës Kushtetuese, në emër të PD-së, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ka këtë reagim: Lidhur me debatin për Gjykatën Kushtetuese, rikonfirmojmë qëndrimin se Edi Rama po tenton të kapë e kontrollojë politikisht Gjykatën Kushtetuese. Ne mbështesim plotësisht qëndrimin institucional dhe kushtetutës të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Nëse flasim për vendime në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, ato janë vendimet e emërimeve që ka bërë Parlamenti në kundërshtim të hapur me nenin 125 të Kushtetutës dhe pikën 5 të nenit 7/c të ligjit të Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, PD-ja shpreh bindjen se për Shqipërinë dhe qytetarët e saj është me rëndësi themelore vënia në funksionim sa më parë e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese.