Shtetasja australiane denoncon dhunën, polici e fton për jetë nate

16
Shkon për të denoncuar të dashurin e saj shqiptar, i cili e kishte dhunuar fizikisht, por gjendet përballë një tjetër historie të rëndë. Një shtetase australiane është bërë pjesë e një historie të pazakontë, ndodhur në Komisariatin numër 2 në kryeqytet. Ngjarja është bërë publike në emisionin investigativ BOOM në Ora News. I dashuri i vajzës pas shoqërimit ka qëndruar vetëm tre orë në polici. Por shtetasja australiane më pas është gjendur përballë mesazheve të dërguara nga një polic i këtij komisariati. Ajo ka denoncuar ngjarjen në emisionin investigativ. “Unë jam jashtë gjithë natën sonte, mund të takohemi” i shkruante polici gruas në mesazhet që kanë shkëmbyer. Aktualisht dosja ndodhet në gjykatën e Tiranës. Historia e australianes me të dashurin shqiptar ka nisur që në vitin 2013. Gruaja ka rrëfyer, se pasi u dashurua me banakierin shqiptar në vitin 2013, vendosi që të shkëputej përfundimisht nga Australia dhe të vendoset në Tiranë, për të filluar një jetë të re me të dashurin e saj. Por kur u kthye për të jetuar në Shqipëri gruaja u përball me një sjellje krejt ndryshe të tij. Në momentin kur vendosi t’i japë fund lidhjes, ajo gjendet përpara një dhune fizike të tmerrshme. Në një rrëfim tronditës për BOOM ajo tregon se ai e rrihte edhe në gjumë. “Për herë të parë erdha në Shqipëri, sepse kisha dëgjuar se ishte e bukur, me një natyrë të bukur dhe me një histori interesante. Kur erdha këtu kuptova që isha në një vend shumë miqësor. Ditën e dytë të qëndrimit këtu m’u ofrua një punë dhe vendosa të qëndroj një vit që të eksploroja një tjetër lloj kulture këtu. Disa muaj më vonë teksa isha në një lokal u njoha me banakierin dhe ai u bë i dashuri im. Kjo ndodhi në dhjetor të 2013. Rashë në dashuri me të, ai ishte i mrekullueshëm në fillim. Në fund të vitit unë shkoj në Australi dhe praktikisht hoqa dorë nga jeta atje, shita gjithçka kisha dhe u ktheva këtu që të qëndroja me të. Kur u ktheva, sjellja e tij filloi të ndryshonte. Ajo po përkeqësohej dita ditës dhe kjo ishte e papërballueshme për mua. Vendosa t’i jap fund lidhjes me të dhe reagimi i tij ishte duke me rrahur ndërkohë që isha në gjumë. Ishte ora 03:00 e mëngjesit kur unë u shtriva për të fjetur dhe një orë më vonë ai vjen në shtëpinë time, të cilën e ndanim bashkë dhe u zgjova nga grushtet që më jepte në fytyrë. Kjo ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së diel më datë 28 maj 2017”, është rrëfyer shtetasja australiane.