Shtetarët shqiptarë, përgjegjës për krimin dhe korrupsionin

540
Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, dje zhvilloi një dialog virtual në facebook me shqiptarët, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tyre. Thuajse thelbi i pyetjeve ishte nëse ambasada amerikane do të publikojë faktet e korrupsionit të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, por më interesantja ishte pyetja përse ambasadori nuk bojkoton takimet me politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar. Duke u dhënë përgjigje të sinqerta dhe të drejtpërdrejta, ambasadori Lu këshillon shqiptarët që të besojnë në vetvete, të mos jenë pesimistë, dhe të luftojnë fort për të drejtat e tyre. Ja, si u shpreh, ambasadori Lu, pasi përfundoi bisedimin virtual me shqiptarët: Unë dua të falënderoj të gjithë ju që morët pjesë në këtë bisedim në Facebook. Mësova shumë mbi atë që shqiptarët mendojnë nëpërmjet komenteve dhe pyetjeve tuaja. Mirëpres me kënaqësi që të takoj disa prej jush personalisht, si dhe vazhdimin e kësaj bisede. Do të bashkëbisedojmë sërish. Ju mund të mos e besoni, por unë kam shumë shpresë se gjërat po ndryshojnë në lidhje me korrupsionin në Shqipëri. Njerëzit në Shqipëri janë të lodhur dhe duan të shohin ndryshime – nga dekriminalizimi i parlamentit, deri tek reforma gjyqësore, tek transparenca financiare e partive politike për të parandaluar blerjen e votave.
1. Ambasadori Lu:Është koha që gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët e korruptuar, të largohen 
Le Aleksi: Zoti Ambasador, kur do ketë drejtësi vendi ynë, kur do të jenë pronarët legjitim? 
Aleksi, unë shpresoj që në vitin 2016, ju dhe çdo qytetar tjetër shqiptar, do të shihni zbatimin e reformës në drejtësi dhe nisjen e ndryshimeve të vërteta. Do të duhet kohë për të larguar të gjithë gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët e korruptuar, por ndikimi shtrëngues i reformës kryesore do të nisë menjëherë. Menjëherë ju do të shihni gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë që do të kenë frikë nga pasojat e marrjes së ryshfetit. Unë shpresoj që ky ndryshim të vijë shumë shpejt.
Arben Marku: Z.Ambasador, problemi më i madh në Shqipëri nuk janë 4 – 5 politikanë, që pasi u bënë të pasur me drogë dhe prostitutë, më pas hynë në politikë, por gjykatës e prokurore, që i hynë politikës “pa brekë” dhe të nesërmen u gdhinë milardierë.
Arben, unë mbajta një fjalim të shkurtër dje, në konferencën kombëtare gjyqësore. U mundova ta ndaj fjalimin tim në dy mesazhe; një për pjesën më të vogël të gjykatësve, të cilët janë jashtëzakonisht të korruptuar, dhe një mesazh për pjesën më të madhe të tyre, të cilët e kryejnë punën e tyre me ndershmëri dhe nuk kërkojnë ryshfet. Jam dakord me ju, gjendja me gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë është e patolerueshme. Unë shpresoj se ju do të punoni për të mbështetur reformat që piketojnë dhe largojnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Kjo gjë është kritike për të ardhmen e këtij vendi.
Ardenal Ferhati: I nderuar Ambasador, si mund të shkojmë nga konstatimi te veprimi? 
Ardenal, pyetje shumë e mirë. Ndryshimi i Shqipërinë do të fillojë me ligje të reja – për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare të Hetimeve, dhe reformën e gjyqësorit. Por vetëm ligjet nuk do të ndryshojnë Shqipërinë. Implementimi është puna e vështirë. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht. Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga liderët e partive politike, nga parlamenti dhe nga pozicionet lokale. Ministra të korruptuar, të mëparshëm dhe të tanishëm, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre. Populli shqiptar duhet të kërkojë që kjo të ndodhë.
Martin Hicka: Përse po shtyhet reforma?! A ka dijeni “Departamenti i Shtetit” për këtë zvarritje?! 
Përshëndetje Martin: Unë nuk mendoj se do të thosha se reforma gjyqësore është vonuar. Kjo është një reformë e rëndësishme dhe komplekse që meriton një bisedë të plotë brenda shoqërisë shqiptare. Kjo kërkon kohë. Unë besoj se Komiteti Ad Hoc ishte e mençur në dërgimin e projekt-amendamenteve të Komisionit të Venecias për komente. Këtë muaj ne presim mendimin paraprak të Komisionit të Venecias. Kjo, e kombinuar me komentet e marra nga 19 tryezat e rrumbullakëta publike, duhet të ndihmojë ekspertët të bëjnë ndryshime për të përmirësuar draftin aktual. Unë shpresoj se në pranverë do të shohim këtë grup të ligjeve dhe ndryshimeve kushtetuese të miratuara.
2. Mos u largoni nga vendi juaj, bashkohuni në shoqërinë civile
Artan Resuli: Z. Ambasador, kush është aksioni që duhet të ndërmarrë çdo qytetar në nivel personal, për të ndryshuar në drejtimin e duhur situatën në Shqipëri? 
Mos u dorëzo. Ndryshimi po vjen. Të heqësh dorë dhe të largohesh nga atdheu yt nuk është asnjëherë përgjigja e duhur. Bashkohu me shoqërinë civile. Bëhu një gazetar i ndershëm. Bëj punë vullnetare për të mbështetur komunitetin tënd.
Indrit Sejko: Z. Ambasador! Çfarë është detyra e studentëve që kanë studiuar jashtë shtetit në këtë moment dhe si mund të japim kontributin nga këtu ku jemi ose të kemi rol aktiv në këtë periudhë ndryshimesh? 
Indrit: pyetje e mrekullueshme. Unë mendoj se, ata të cilët kanë pasur mundësi që të marrin një edukim të shtrenjtë ( përfshirë edhe mua) kanë një detyrim të veçantë për të dhënë përsëri në shoqëri. Unë shpresoj se në çfarëdo komuniteti ku jetoni apo në çfarëdo profesioni që keni zgjedhur, ju po ndihmoni për të krijuar një kulturë të diskutimit aktiv dhe debatit rreth korrupsionit, reformën gjyqësore dhe mënyrat për të përmirësuar Shqipërinë.
Dritan Dervishaj: Kur do kemi drejtësi të pavarur edhe në Shqipëri? 
Dritan, institucionet e pavarura janë jetike për balancimin e pushtetit në çdo qeveri. Në të njëjtën kohë, gjykatësit dhe prokurorët duhet të japin llogari për krimet që mund të kryejnë apo për çdo lloj abuzimi me pushtetin e tyre. Zgjidhja që është përfshirë në reformën aktuale në drejtësi, është ngritja e këshillave gjyqësorë dhe të prokurorisë, të përbërë nga anëtarë të shoqërisë civile dhe me shumicën gjykatës e prokurorë, të cilët do të propozojnë, promovojnë apo largojnë gjykatës dhe prokurorë. Ky është një ekuilibër shumë delikat.
3. Qytetarët do të sjellin ndryshimin
Luan Kurti: Zoti Ambasador! Do më interesonte te dija vizionin tuaj, se si mund të dilet nga kjo situatë kundër korrupsionit?
Luan, ndryshimi vjen nga qytetarët. Një kolegu im nga Uashingtoni tha së fundmi, “Gjelat e Detit asnjëherë nuk kanë të drejtën e zgjedhjes për Krishtlindje”. Me këtë, ai donte të thoshte se ne nuk mund të presim që zyrtarët apo gjykatësit e korruptuar të luftojnë korrupsionin. Me ndihmën e miqve tuaj ndërkombëtarë dhe me komunitetin aktiv të shoqërisë civile në Shqipëri, unë jam i sigurtë që qytetarët e thjeshtë do të mund të sjellin ndryshimin.
Redon Veliu: Z.Ambasador, çfarë mund të bëjmë ne të rinjtë, për më shumë liri politike dhe drejtësi sociale? 
Redon, unë besoj se gjëja më e mirë që nxënësit mund të bëjnë është që të kenë pritshmëri të mëdha – për udhëheqësit e tyre, komunitetet e tyre dhe veten e tyre. I jam shumë i lumtur kur takoj të rinj, sepse ata janë të padurueshëm për ndryshim. Ata duan që vendi i tyre të ketë të njëjtën ekonomi dhe politikë si në vendet më të zhvilluara të Europës. Dhe ata e duan këtë menjëherë. Ata kanë të drejtë dhe duke kërkuar këtë ata do ta çojnë Shqipërinë në një të ardhme më të mirë.
Kastriot Dinci: Deputeti që qëlloi me armë doli nga burgu, kurse ata që pritën plumbat u futën në burg. A nuk mban erë që shteti vazhdon bën pazare me krimin?
Kastriot, në demokraci, nëse ju jeni të pakënaqur me udhëheqësit tuaj, keni dy mundësi – ose të bashkëpunoni me njerëzit që janë në pushtet, ose të prisni deri në zgjedhjet e ardhshme dhe të votoni ndryshimin. Edhe unë kam dyshimet e mia për disa nga anëtarët e parlamentit dhe vullnetin e tyre për të mbështetur reformën, por unë besoj se me presion publik, ndryshimi është i mundur.
Anton Hasanpapaj: Zoti Ambasador, a mundeni ju të nxisni dhe përkrahni njerëzit që nuk nënshtrohen politikisht në mënyrë që ata minimalisht të krijojnë “polin e tretë”? 
Anton, kjo është një ide interesante që të ketë një parti politike anti-korrupsion. Unë mendoj se është puna e çdo opozite për të kritikuar qeverinë, kur ata kanë prova të korrupsionit. Në kushtet e një partie të veçantë të përqendruar në anti-korrupsionin, mendimi im është se partitë politike duhet të jenë në favor të diçkaje, jo vetëm kundër diçkaje. Sa për rekrutimin e njerëzve me prejardhje të ndryshme, unë besoj se nëse do të kishim më shumë njerëz të përditshëm në politikë (mësues, shoferë taksie, punëtorë të fabrikave, etj) ne do të kishim më pak korrupsion në politikë. Unë jam në favor të rekrutimit të udhëheqësve nga njerëz nga të gjitha fushat.
4. Hetim të plotë për të kaluarën kriminale të kandidatëve dhe politikanëve aktualë
Arjan Dullaj: Z.Ambasador, A ka bërë USA përkushtimin maksimal për të na mësuar demokracinë apo ne se kemi kuptuar drejt demokracinë? A mundet USA të na asistojë në hetimin e dekriminalizimit?
Arjan, në fund të fundit, unë nuk mendoj se është puna e qeverive të huaja që të hetojnë politikanët shqiptarë. Kjo është punë e medias, shoqërisë civile, dhe e partive politike. Ne po punojmë në mënyrë të vazhdueshme për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve të këtyre institucioneve, për të hetuar të kaluarën kriminale të kandidatëve apo politikanëve aktualë. Unë kam besim se kjo do të arrihet.
Odeta Çunaj: Zoti Ambasador, pse besoni që me reformimin e ligjit do luftohet korrupsioni në Shqipëri? Ku do gjenden njerëz për të zbatuar këto ligje?
Odeta, skepticizmi juaj është i kuptueshëm. Reforma në gjyqësor do të jetë e vështirë. Nuk ka asnjë mënyrë për ta mohuar këtë. Unë pajtohem se zbatimi i kësaj reforme do të jetë një sfidë e madhe. Për shembull, një pjesë e rëndësishme e propozimit të tanishëm të reformave është rishikimi i te shkuarës se personave, kualifikimeve, vendimet dhe pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Ekspertët propozuan në këtë reformë që ky proces shqyrtimi të kryhet nga ekspertë shqiptarë ligjore (të propozuar nga Avokati i Popullit dhe të miratuar nga Kuvendi) me monitorim aktiv nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Unë, personalisht, jam i bindur se ka njerëz të nderuar në Shqipëri që mund ta bëjnë këtë detyrë të vështirë.
Lazër Koçeku: Z Ambasador, a mendoni se duhet një sistem i integruar Dixhital në të gjitha institucionet që t’u vihet në shërbim qytetarëve për të ulur nivelin e korrupsionit në Shqipëri?
Lazer, sugjerimi juaj është i shkëlqyer. Jam dakord me ju, qasja online ndaj informacionit dhe shërbimeve është një nga mënyrat më të mira për të luftuar korrupsionin në nivelin kur qytetarët e zakonshëm kërkojnë shërbime zyrtare. Ekziston një nismë, e mbështetur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Ministria shqiptare për Teknologjinë dhe Inovacionin, e cila quhet Open Government Partnership (Partneritet i Qeverisjes së Hapur) dhe që përpiqet të përhapë këtë teknologji midis qeverisë kombëtare dhe vendore.
5. Reforma (e re) Zgjedhore do të japë zgjidhje problemeve në Shqipëri
Hamit Shehu: Z. Ambasador! Ç’mund të bëjë aleati ynë i madh për të na ndihmuar për vendosjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri? 
Hamit, unë pajtohem me ju se partive politike u duhet reformë për t’i bërë ato më demokratike. Udhëheqësit e partive sot mund të marrin të gjitha vendimet pa konsultim apo zgjedhje. Unë shpresoj se reforma zgjedhore mund t’i adresojë këto çështje. Ndoshta duke folur në lidhje me këtë çështje publikisht, ju mund të ndihmoni.
Igli Bisha: Përse ambasada Amerikane nuk bojkoton çdo aktivitet, konferencë, takim, që janë organizuar apo ku bëjnë pjesë politikanë të implikuar në korrupsion?
Igli, ju keni përmendur një prej sfidave që kemi. Është e rëndësishme te punosh me qeverinë, ndërkohë që punon edhe për ndryshime. Unë nuk besoj se të gjithë politikanët janë të korruptuar dhe unë mendoj se gjërat do të ndryshojnë. Tashmë këtë vit, ne kemi parë disa të japin dorëheqjen ose të pushohen nga puna. Është e rëndësishme të mos hiqni dorë dhe të mbani këta persona nën presion.
Sokol Cuadari: Z. Ambasador, a është inicimi i kësaj reforme për t’i treguar kësaj kaste politike totalisht e dështuar, që duhet të largohet?
Sokol, unë e kuptoj që ju dhe shumë shqiptarë të tjetër jeni të irrituar. Unë ju kërkoj që të mos dorëzoheni. Ne, pa dyshim, nuk jemi dorëzuar. Unë besoj se ndryshimi është i mundur nëse populli e kërkon atë. Sot në Shqipëri, unë shoh se populli kërkon veprime të prera kundër korrupsionit dhe reformë sistemin e tyre të drejtësisë. Ashtu si thoni edhe ju, a mund të mbështetemi tek politikanët për këto reforma ndërsa disa prej tyre po përfitojnë nga sistemi aktual. Po, ne mund të mbështetemi nëse populli e kërkon këtë.
Gazmir Gjoni: Përshëndetje Z. Ambasador Lu! A mendoni se me këta politikanë që kemi, do arrijmë ta luftojmë korrupsionin dhe të anëtarësohemi në BE në 5 vitet e ardhshme?
Gazmir: Kjo është një pyetje e mirë. SHBA nuk janë anëtarë të BE-së kështu që unë nuk e di se sa e mundshme është që Shqipëria do të futet në BE së shpejti. Ajo që unë di është se BE-ja është serioze në lidhje me kërkesat që Shqipëria të bëjë progres kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën gjyqësore përpara fillimit të negociatave. Dhe po, ju keni të drejtë se pagesa me rroga te arsyeshme është një pjesë e rëndësishme e luftës kundër korrupsionit.
Flori Myftari: Zoti Ambasador, çfarë mendimi keni për shpërnguljen e shqiptarëve? A do t’i publikoni emrat e politikanëve që kanë vjedhur?
Përshëndetje Flori, pyetje e mirë. Unë e di se shqiptarët janë të zgjuar. Unë jam i sigurt se ata mund të kuptojnë se cilët janë zyrtarët e korruptuar dhe kriminelë. Ata janë ato ose ata që nuk e bëjnë punën e tyre. Ata nuk e mbështesin reformën dhe ata nuk kanë arritur asgjë në pozicionet e tyre. Ata janë ata ose ato, te cilët kalojnë gjithë kohën e tyre duke vjedhur paratë tuaja.
Shpëtim Dervishi: Zoti Lu. A mund ta shkulin pemën e korrupsionit ata që e mbollën?
Shpëtim: Korrupsioni nuk ka nevojë të luftohet nga ata që e krijuan atë. Korrupsioni duhet të luftohet nga njerëz normal. Njerëz normalë që votojnë. Njerëz normalë që punojnë në biznes, në qeveri apo në shkolla. Njerëz normal që punojnë në OJQ-ë, universitete dhe media. Mos i lejoni politikanët të kontrollojnë nismën anti-korrupsion.
Sigal