Shtetarët rrëfehen para Lefterisë: Ja mëkatet tona

213
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar dje formularët e vetëdeklarimit të të zgjedhurve vendorë, deputetëve, këshilltarëve në njësitë e qeverisjes vendore. Referuar deklarimeve të bëra nga subjektet që i nënshtrohen ligjit të dekriminalizimit, disa nga deputetët dhe të zgjedhurit vendor kanë pranuar se janë hetuar për vepra të ndryshme penale apo janë dënuar. Kjo do të thotë, se nëse do të ketë një zbatim rigoroz të ligjit të miratuar me ndërhyrjen e SHBA dhe BE-së, atëherë në disa bashki të vendit do të ketë zgjedhje të parakohshme, vetëm 1 vit pas atyre të 2015. Po kështu deputetë në Parlamentin shqiptar duhet të dorëzojnë mandatin e tyre, duke i lënë radhën të tjerëve në listat shumëemërore të partive respektive. Por kjo situatë e krijuar mund të çojë edhe në një proces të parakohshëm elektoral, kjo për vetë faktin se ligjvënësit që mund të humbasin mandatin e tyre për shkak të dekriminalizimit, kanë qenë aktiv në mbledhjen e votave për forcat respektive politike në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit 2013. Gjithsesi ky variant mbetet në vullnetin e partive politike, të cilat mund të zgjedhin zëvendësimin e deputetëve që humbasin mandatin me emra që vijnë në radhën e listës shumëemërore, duke shmangur në këtë mënyrë një proces të parakohshëm elektoral, një vit para përfundimit të legjislaturës parlamentare. Ligji i dekriminalizimit parashikon që pas vetëdeklarimit të subjekteve, një komision i Prokurorisë së Përgjithshme do të verifikojë skedën penale të secilit prej tyre, para se të merret një vendim për zyrtarët që rrezikojnë të humbasin mandatet. Aktualisht, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin vetëm për Kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi.

Deputetët që rezultojnë të dënuar

Mes deputetëve, të cilët rezultojnë se kanë probleme me ligjin, është edhe Armando Prenga. Ai ka deklaruar se është ndaluar dhe arrestuar nga autoritet shtetërore, si dhe është dhënë masë shtrënguese “arrest me burg” për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe plagosje e lehtë. Gjithashtu, i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me 1 vit heqje lirie rezulton dhe deputeti Tom Doshi, me akuzën; sjellje e pa “denjë në shoqëri”. Gjithashtu, Doshi deklaron dhe arrestimin tij në vitin 2015, për kallëzim të rremë. 
Edhe deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani, ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit se është dënuar me vendim gjyqësore të formës se prerë me 5 muaj dhe 1 vit kusht, por është amnistuar si vendim antikushtetueses.
Deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Mhill Fufi rezulton se ka pasur probleme me ligjin. Ndaj Fufit, ka pasur një masë sigurie “arrest me burg”, por që më vonë janë pushuar hetimet. Ai akuzohet edhe për favorizim prostitucioni në vitin 2000, por Prokuroria i pushoi hetimet.

Alban Zeneli

Midis deputetëve të Partisë Demokratike të dënuar është Alban Zeneli. Megjithëse emri i tij nuk është përfolur në publik
Zeneli rezulton i dënuar me 6 muaj burg dhe me 30 000 lekë gjobë. Vepra e kryer është ajo e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.

Dënimin e parë, Zeneli e ka marrë më 20 gusht të vitit 1992, ndërsa dënimin e dytë me gjobë e ka marrë më 7 korrik të vitit 1996. Ende nuk dihet nëse është përfshirë ndonjë aksident me pasoja të rënda në lidhje me veprën për të cilën është dënuar me 6 muaj burgim.

Tom Doshi

Është dënuar nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Durrësit me vendim të formës së Prerë nr. 18, datë 25/05/ 1990, me një vit burg për akuzën e sjelljes së padenjë në shoqëri, neni 121 dhe 31 / a e Kodit Penal. Më pas përmend dhe urdhër – ndalimin me firmën e Prokurorit të Përgjithshëm që mban datën 26 mars 2015. Më pas Gjykata e Lartë vendosi masën e arrestit – shtëpie, me vendim nr.15 dt, 28/ 03/ 2015. Ky vendim u ndryshua, më pas detyrim me paraqitje.
Shkëlqim Selami

Deputeti i LSI-së Shkëlqim Selami rezulton se ka qenë në hetim nga Gjykata e Brindisit, pasi dyshohej për një vepër penale të kryer në 2007, por është shpallur i pafajshëm me vendim të formës së prerë po në këtë vit.
Mhill Fufi 

Një tjetër deputet demokrat rezulton i arrestuar dhe i dënuar. Bëhet fjalë për Mhill Fufin, deputeti i Qarkut të Lezhës. Ai, rezulton i përfshirë edhe në ngjarjet e 14 shtatorit, 1998, për organizim dhe pjesëmarrje të paligjshme, hetimet për të cilën janë pushuar.
Fufi rezulton person nën hetim, edhe për favorizim prostitucioni.
Në formularin e plotësuar pranë KQZ-së, ai deklaron se është hetuar për këtë vepër penale. Akuzat në fjalë janë ngritur më datë 06.08.2000 dhe 20.01.2001.
I pyetur për masën e sigurisë që është marrë ndaj tij, Fufi qarkon masën e “arrest me burg” dhe “arrest shtëpie”, por më vonë rezulton se procedimi është pushuar.
Arben Ristani 

Midis deputetëve që kanë pasur një proces gjyqësor është edhe Arben Ristani, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Ristani rezulton i dënuar me 5 muaj burg dhe me një vit kusht për veprën penale “Dhënie vendimi të padrejtës”, vendim i cili është shfuqizuar më vonë. Ristani u arrestua me urdhër të Prokurorisë në vitin 1994, duke u mbajtur 48 orë prapa hekurave.

Pjerin Ndreu 

Pjerin Ndreu kujton arrestimin e tij në 2004 për akuzën e përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. Por për këtë akuzë gjykata e ka shpallur të pafajshëm. Për këtë akuzë ndaj tij ishte marrë masa e sigurisë, detyrim me paraqitje para policisë gjyqësore. Në qershor 2005 Gjykata e Apelit i dha pafajësinë

Armando Prenga

Përmend arrestimin e tij, më 5 shtator 2015 pas përleshjes para komisariatit dhe për të cilën vijon të jetë në gjykim. Ndaj tij fillimisht u mor masa e arrestimit burg, më pas kjo masë u zhvendos në masën e arrestit, detyrim me paraqitje
Përparim Spahiu 

Deputeti i LSI-së rezulton i ndaluar më 17 tetor 2009 për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Për këtë është caktuar masa detyrim me paraqitje, më 14 janar 2010 çështja është pushuar, pasi personi nën hetim nuk ka kryer vepër penale.
Fatmir Mehdiu

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mehdiu rezulton person nën hetim në Milan të Italisë. Sipas formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Mediu thotë se arsyeja e hetimit ka qenë për “pengim të forcave të policisë në kryerjen e detyrës”, për të cilën më vonë është dhënë pafajësi nga Gjykata e Lartë.
Dekriminalizimi/Kryebashkiakët që rezultojnë të dënuar dhe të hetuar

Nga formularët e vetëdeklarimit të depozituar në KQZ nga të zgjedhurit vendorë rezulton se disa nga kryebashkiakët kanë pranuar se kanë pasur problem me ligjin. Sipas formularëve të publikuar dje nga KQZ, tre kryetarë bashkie, të zgjedhur nga Partia Socialiste dhe dy të tjerë të Partisë Demokratike kanë qenë të paktën njëherë të arrestuar, të proceduar ose të dënuar nga gjykata, brenda ose jashtë vendit. Të dhënat e dorëzuara në KQZ nga vetë zyrtarët tregojnë se të zgjedhur nga Partia Socialiste dhe nga Partia Demokratike, kanë pasur problem ligjore. Nga pesë kryebashkiakët që kanë vetëdeklaruar problemet me drejtësinë, dy janë dënuar nga gjykatat shqiptare të shkallës së parë, ndërsa tre të tjerët janë hetuar nga policitë e vendeve të Bashkimit Europian. Nga vetëdeklarimet rezulton se 3 kryetarë bashkish, Elvis Roshi, Agron Kapllanaj dhe Artur Bushi janë ndaluar nga policitë italiane dhe gjermane, për vepra penale të trafikimit. Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ka shënuar dënimin e tij të Gjykatës së rrethit Tiranë me dy vjet burg për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Pak javë më parë, Mziu fitoi pafajësinë në Gjykatën e Apelit. Një dënim nga drejtësia shqiptare e ka vetëdeklaruar edhe Elvis Rroshi. Kryebashkiaku i Kavajës, i lakuar për të shkuarën e tij të errët jashtë vendit ka pohuar në formularin e vetëdeklarimit se është dënuar nga Gjykata e Kavajës në vitin 2000 për kundravajtje penale. Përveç dënimit nga drejtësia shqiptare, Rroshi i është përgjigjur pozitivisht pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë nën hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj. Sipas tij, ai ka qenë nën hetim në Mynih të Gjermanisë para vitit 2002, për arsye që “nuk i kujtohen”. 

Rroshi deklaron gjithashtu se ka jetuar në Foxhia të Italisë në vitin 1991, në Campobasso të të njëjtit vend nga 1991-1993 dhe më pas është zhvendosur në Chiasso të Zvicrës gjatë periudhës 1993-1994. Njësoj si Rroshi, edhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi ka pranuar në formularin e dorëzuar në KQZ se ka qenë dy herë i arrestuar dhe i hetuar në Itali. Sipas Bushit, ai ka qenë i hetuar në vitin 1996 nga Prokuroria e Casertës në Itali për “arsye që nuk i kujtohen” dhe sërish në hetim në vitin 2010 nga Prokuroria e Busto Arsizios, i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike. Sipas Bushit, në vitin 1996, gjykata italiane ka vendosur “lirimin e menjëhershëm” për të, ndërsa në 2010 është liruar pasi ka qëndruar 1 muaj në qeli. Gjithsesi, Bushi deklaron se nuk është dënuar asnjëherë me vendim të ndonjë gjykate. Agron Kapllanaj, i zgjedhur i Partisë Demokratike në bashkinë e Ballshit rezulton gjithashtu me një dënim jashtë vendit. Sipas vetëdeklarimit të tij, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kapllanaj është dënuar me një vendim të formës së prerë, në prill të vitit 2003 në Itali për një ngjarje të ndodhur në vitin 1995. Ai ka vetëdeklaruar se është dënuar me 2 vjet burg dhe një gjobë 200 euro për shkelje të artikullit 624 të kodit penal italian. Ky nen i kodit penal italian i referohet krimit të vjedhjes.