Shtetarët në Ballkan dhe Tiranë i detyrojnë njerëzit të arratisen

460
“Deutsche Welle” për herë të parë dje, në një analizë të shkaqeve që i shtyjnë ballkanasit të emigrojnë drejt vendeve europiane, ka pranuar se fajtor janë politikanët e dështuar të vendeve ballkanike. Pothuajse gjysma e azilkërkuesve, që vijnë në Gjermani, janë nga Ballkani. Nisur nga numri gjithnjë e më i lartë i emigrantëve kryesisht nga ky rajon, televizioni publik gjerman “Deutsche Welle”, në një analizë të situatës, fajëson si përgjegjës, politikanët e Europës pasi kanë dështuar në vendosjen e stabilitetit në vendet e tyre. Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja dhe as Maqedonia, sipas “Deutsche Welle” nuk janë në luftë. Në asnjë prej vendeve të ballkanit nuk ka uri apo tortura, përkundrazi, prej vitesh ata aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Në analizë, situata në rajonin tonë krahasohet me situatën në Siri, Irak apo Afganistan, ku numri i lartë i azil-kërkuesve justifikohet me luftrat që vazhdojnë prej vitesh atje apo edhe terrorizmin. E pavarësisht kësaj, një numër gjithnjë e më i lartë shqiptarësh apo kosovarësh largohen nga shtëpitë e tyre për të kërkuar azil në “tokën e premtuar”, Gjermani e kjo sipas televizionit publik gjerman për shkak të varfërisë dhe mungesës së perspektivës. Faji për këtë është i liderve politikë të këtyre vendeve, të cilët nuk kanë krijuar perspektivë për qytetarët e tyre, duke rradhitur ndër shqetësimet kryesore nivelin e lartë të papunësisë, kryesisht tek të rinjtë. Në analizë theksohen gjithashtu si probleme mungesa e infrastrukturës sociale, duke nisur nga shërbimet në shëndetësi ndërsa theksohet se në vendet e Ballkanit, ndihma e BE-së ka shkuar dëm. Madje nënvijëzohet se një teser partie i jep shpresa dikujt të ketë më shumë shanse për të filluar një punë. Pavarësisht problemeve të ndjeshme të muajve të fundit në Ukrainë dhe Greqi, tashmë sipas “Deutsche Welle” vëmëndja e ndërkombëtarëve duhet të kthehet në Ballkan për shkak të eksodit masiv.
Sigal

Varfëria rritet në Shqipëri, qeveria të reflektojë

Fenomeni i eksodit të shqiptarëve në vendet europiane në muajt e parë të 2015, fillimisht qeveria jonë u mundua ta justifikojë me trafiqet e paligjshme të disa qendrave kriminale, edhe pse shqiptarët migronin familjarisht, në numër shumë të madh dhe kryesisht nga zonat më të varfëra rurale të Shqipërisë. Mirëpo, në muajt në vijim dhe deri më sot, numri i shqiptarëve që kanë emigruar dhe kërkojnë azil kryesisht në Gjermani është qindrafishuar, duke arritur në mbi 30-40 mijë vetë. Ky eksod i shqiptarëve në këto muajt e 2015, është i dyti, pas viteve 1991 dhe shpjegimi i vetëm i emigrimit është se tani shqiptarët detyrohen të emigrojnë nga humbja e shpresës se nesër mund të kenë bukën e gojës për fëmijët. Papunësia në këto 2 vite është rritur në mënyrë progresive, nuk u hapën vendet e punës që u premtuan, politika e re fiskale po asfikson të bërit biznes, bankat nuk po japin më kredi për bizneset, kreditë e këqia mbizotërojnë, ekonomia jonë është paralizuar nga stanjiacioni i krizës. Qeveria ka shkurtuar ndihmesat sociale dhe ekonomike për shtresat në nevojë, mungojnë projektet për zhvillimin e ekonomisë në zonat rurale. Sot ka një diferencim shumë të madh të të ardhurave në zonat e Shqipërisë, dhe kjo i detyron shqiptarët që zgjidhjen dhe shpresën që të mbijetojnë varfërisë dhe mjerimit ta kërkojnë në emigrim. Një tregues tjetër I krizës ekonomike që ka mbërthyer vendin tonë është edhe mosrealizimi i të ardhurave të buxhetit të shtetit në muajt qershor dhe korrik, ku qeveria mendon si zgjidhje shkurtimin e shpenzimeve buxhetore në ndihmesat sociale dhe ekonomike deri në 900 milionë lekë, çka do të thotë, që shqiptarët do të bëhen edhe më të varfër, e të papërkrahur nga shteti. 

Zef Preci: Çfarë e pengon punësimin në Shqipëri?

1) Politikat e paqarta publike pro-punësimit në sektorët e identifikuar si sektorë potencialë për thithjen e fuqisë punëtore të re si dhe asaj që për shkak të krizës ekonomike çvendoset nga njëra degë e ekonomisë në tjetrën.

2) Arsimimi i Lartë ineficient, tërësisht i palidhur në prirjet aktuale dhe perspektive që shfaq tregu i punës.

3) Ecuria e ngadalshme e formimit profesional, përmes të cilit mund të përmirësohet cilësia e shërbimeve si dhe të nxitet zgjerim i gamës së tyre, të nxitet punësimi, vetëpunësimi dhe biznesi familjar në sektorin agrar/rural si dhe agro-perpunimi – gradualisht.

4) Mungesa e politikave specifike, kryesisht ato fiskale ndaj veprimtarive sipërmarrese, shtresave dhe grupeve shoqërore të caktuara. Në këtë rrugë mund të zbutej paksa varfëria, të nxitet punësimi si dhe të shtoheshin kontributet në sigurimet shoqërore (psh nëse kemi në shkallë vendi 3 mijë fshatra dhe në secilin prej tyre janë mesatarisht 5 kafe/bar/bilardo, qender interneti/etj, është e mundshëm që duke i përjashtuar edhe zyrtarisht nga të gjitha taksat e tatimet, t’u imponohet me detyrim sigurimi i të paktën 2 vetëve në nivelin e pages miminale te njohur nga ligji.

5) Demonopolizimi i ekonomisë sonë kombëtare. Të jemi të qartë: ndër problematikat e çdo raporti të BE-së për vendin tonë është theksuar rregullimi i tregjeve dhe nxitja e konkurrencës. Për fat të keq, për sa kohë që ndërhyrja shtetërore është tejet prezente, sidomos me forma jo-institucionale (siç njihet dhe pranohet gjerësisht trafikimi i influencës për çfarëdo vendimmarrje të rëndësishmë për fonde publike, licensa, koncesione, etj), konkurrenca mbetet e dobët dhe nuk luan atë rol që ka në çdo vend të botës me ekonomi të tregut të lirë.

6) Fenomeni i krijimit të “moponoleve me ligj”. Vitet e fundit – në kushtet kur procesi i privatizimti grabitqar të pronës publike thuajse ka përfunduar – qeveritë po flasin vazhdimisht për “partneritet publik-privat”, që në kushtet e mbikqyrjes së dobët dhe korruptive të tregjeve, thjesht mundëson favorizimin e grupeve të caktuara të bizneseve me afilacion politik, por që nuk çojnë në krijimin e vendeve të reja të punës, për të mos thënë se mbyllin edhe ato që janë.

7) Mungesa e investimeve të medha publike që hapin vende pune.

8) Një pengesë më vete përbën kryerja e investimeve buxhetore me kompani të huaja, dmth nxjerrja e parave publike dhe/ose borxheve jashtë vendit dhe pamundësimi në këtë mënyrë i krijimit të vendeve të punës brenda tij. Kjo vihet re edhe në projekte që janë më pak se një milion Euro, madje edhe për shërbime të zakonshëm konsulence/projektimi dhe pa asnjë kushtëzim paraprak. 

9) Mungesa e marrëveshjeve ndështetërore për punësimin sezonal, bashkëpunimi për plotësimin e nevojave të tregut të punës në vendet e BE-së. 

10) Tregu i punës gjatë dy viteve të fundit rezulton të jetë tkurrur edhe për shkak të politikave fiskale ndaj biznesit, dmth përmirësimit tejet të ngadalshëm të klimës së biznesit në përgjithësi. 

11) Hapja e vendeve të reja të punës dhe zgjerimi i veprimtarisë ekonomike në vend, në kushtet kur sektori publik është i tkurrur – varet dukshëm nga kreditimi i ekonomisë reale.