Shtesa të reja nëpër ministri, por shkurtojnë kontrollorët e Tregut

559
Sigal

Numri i ministrive në qeverinë e Rilindjes është zvogëluar, ndërkohë që rritet numri i punonjësve të tyre

Në vitin 2018, sipas ligjit nr.109/2017 për buxhetin e shtetit, në institucionet buxhetore të Republikës së Shqipërisë do të jenë të punësuar 81 753 (tetëdhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre) punonjës. Krahasuar me vitin 2017, për totalin kemi një rritje me vetëm 40 punonjës. Në vitin 2018, do të kemi 5 ministri më pak se në vitin 2017, kjo si shkak i shkrirjes së këtyre ministrive dhe bashkimi me ministri të tjera. Në vitin 2017 kishim 16 ministri, ku së bashku me të punësuarit në Kryeministri, bënin një numër total prej 75 996 punonjësish. Në vitin 2018 kemi 11 ministri dhe po ashtu aparatin kryeministror. Kjo përbën një numër total prej 75 654 punonjësish. Mirëpo, Këshilli i Ministrave dje, me VKM shton edhe më shumë numrin e nëpunësve në ministri. Kjo do të thotë, që qeveria do të bëjë edhe shtesa në buxhetin e shtetit, pasi këto emërime nuk ishin planifikuar në buxhet. Ndërkohë, që administrata e ministrive fryhet nga punonjës, borxhi publik i Shqipërisë vazhdon kurbën e rritjes, ku, sipas informacioneve, ka arritur mbi 78 %, ndërkohë, që nuk ka të dhëna zyrtare, duke bërë jo transparente shpenzimet e qeverisë, por nuk publikohen as të ardhurat e shtetit. Në vitin 2018 do të kemi 11 ministri dhe po ashtu aparatin kryeministror.

Kjo përbën një numër total prej 75 654 punonjësish.

Ja ministritë dhe numri i nëpunësve që shtohen

  1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2018, shtohet me 4 punonjës për Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 1951 veta.
  2. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për vitin 2018, shtohet me 9 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 4271 veta.
  3. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2018, shtohet me 3 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 14149 veta.
  4. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2018, shtohet me 21 punonjës për Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 1101 veta.
  5. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për vitin 2018, reduktohet me 21 punonjës të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 5705 veta.
  6. Numri i punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, për vitin 2018, reduktohet me 16 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 315 veta.