“Shteron” qeveria, deputetët firmosin projekt-ligjet

555
Prej muajit maj, ekzekutivi nuk ka paraqitur në Kuvend asnjë nisëm ligjore. Propozimet u “shpërndahen” parlamentarëve. Ja 13 kërkesat
Prej muajit maj, qeveria shqiptare nuk ka paraqitur asnjë nisëm ligjore në Kuvend, ndërsa në procedurën parlamentare kanë hyrë në shtator 13 projekt-ligje të firmosura nga deputetët. “Prodhimtaria” e shtuar e anëtarëve të Kuvendit në mandatin e saponisur ia ka kaluar edhe vetë strukturës qeveritare, ndërsa shumë prej nismave prekin apo janë të lidhura me sektorin e drejtësisë. Projekt-ligji i fundit i dorëzuar nga qeveria në Kuvend mban datën 22 maj dhe në fakt bëhet fjalë vetëm për një ratifikim marrëveshjeje me Suedinë për programin “Forcimi i policimit në komunitet në Shqipëri (2017-2020)”. Për shkak të fushatës elektorale dhe kohës së nevojshme për “ndërtimin” e Kuvendit të ri, deputetët e miratuan këtë marrëveshje vetëm më 28 shtator. Megjithatë, qeveria për katër muaj nuk ka dërguar asnjë nisëm tjetër ligjore. As në tre mbledhjet e para të ekzekutivit “Rama” nuk ka pasur asnjë projekt-ligj të miratuar.

Megjithatë, “shterimi” i prodhimit të ligjeve nga Këshilli i Ministrave nuk ka penguar deputetët të dorëzojnë propozimet e tyre në Kuvend. Vetëm brenda tre ditëve (20-22 shtator), në sekretarinë e Kuvendit janë depozituar 13 nisma ligjore. Ai që bie në sy është fakti se pjesa dërrmuese e tyre lidhen me problematika të mbuluara nga Ministria e Drejtësisë, si përmbarimi, noteria, avokatia, edukimi ligjor dhe tarifat gjyqësore. Nisma të rëndësishme janë ato për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, si dhe për profesionin e avokatit. Për më tepër vihet re se deputetë të veçantë kanë propozuar nga 2-3 projekt-ligje njëkohësisht. Nuk dihet arsyeja për të cilën këto nisma ligjore nuk janë ndërmarrë nga qeveria apo më konkretisht nga Ministria e Drejtësisë, por tashmë ato kanë hyrë në procedurën parlamentare dhe do të duhet të shqyrtohen. 

Gjatë muajve qershor, korrik e gusht, mbledhjet e qeverisë pothuajse u ndërprenë, duke miratuar vetëm disa vendime qarkulluese. Kryeministri Rama nuk e mblodhi asnjëherë Këshillin e Ministrave, sa kohë në përbërje të tij ishin edhe ministrat teknikë, të emëruar pas marrëveshjes së 18 majit. Pavarësisht një kërkese të Ramës që ata të largoheshin nga detyra pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ministrat teknikë qëndruan në detyrë deri në emërimin e kabinetit “Rama 2”. Qeveria e re socialiste ka zhvilluar prej 13 shtatorit tre mbledhje, ndërsa vetëm takimi i parë është drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Nderi për të udhëhequr ministrat në dy mbledhjet e tjera i ka takuar zv/kryeministres Senida Mesi, e cila ka firmosur edhe vendimet përkatëse. Edhe gjatë mandatit të shkuar, një pjesë e konsiderueshme e mbledhjeve të qeverisë drejtoheshin nga zv/kryeministri Niko Peleshi. 

Java e zëvendësministrave
Kryeministri Rama pritet të shpallë gjatë kësaj jave edhe listën e zëvendësministrave. Shumë emra tashmë ndodhen në tryezën e shefit të qeverisë, i cili duhet të plotësojë dikasteret përkatëse me numrat dy. Vetë kryeministri ka premtuar se do të ketë një shtim të numrit të zv/ministrave në dikasteret e reja, të formuara pas ndryshimeve në strukturën e qeverisë. Gjithashtu Rama është shprehur se zv/ministrat do të kenë një rol më të madh se më parë, pasi tashmë, sipas tij, ministritë nuk do të drejtohen nga një person, por nga një ekip. Megjithatë, duhen pritur ditët e fundit të javës për të mësuar emrat e zgjedhur nga Rama në postet e zv/ministrave dhe në çfarë mase ata do t’i përkasin Partisë Socialiste apo do të jenë prurje nga shoqëria civile e sektorë të tjerë. 
Nismat e deputetëve
1 – Projekt-ligj “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 031, DATË 11.12.2008, “PËR SHËRBIMIN PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT”, TË NDRYSHUAR.

Edmond Leka, Jurgis Çyrbja
2 – Projekt-ligj “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E POLICISË GJYQËSORE”.

Vasilika Hysi
3 – Projekt-ligj “PËR PROFESIONIN E AVOKATIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.

Alket Hyseni
4 – Projekt-ligj “PËR TARIFAT DHE SHPENZIMET GJYQËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.

Adnor Shameti
5 – Projekt-ligj “PËR STRATEGJINË E EDUKIMIT LIGJOR TË PUBLIKUT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.

Adnor Shameti
6 – Projekt-ligj “PËR NDIHMËN JURIDIKE”.

Alket Hyseni
7 – Projekt-ligj “PËR PROVIMIN E SHTETIT PËR PROFESIONIN E JURISTIT”.

Klotilda Bushka
8 – Projekt-ligj “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR .8331, DATË 21.4.1998 “PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMEVE PENALE” I NDRYSHUAR.

Vasilika Hysi
9 – Projekt-ligj “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9936, datë 26.6.2008, “PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””.

Alket Hyseni
10 – Projekt-ligj “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10 385, DATË 24.2.2011 “PËR NDËRMJETËSIMIN NË ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE”.

Adnor Shameti
11 – Projekt-ligj “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7829, DATË 01.06.1994 “PËR NOTERINË”, TË NDRYSHUAR.

Adnor Shameti
12 – Projekt-ligj “PËR GJUETINË”.

Erion Braçe
13 – Projekt-ligj “PËR STATUSIN E MINATORIT (PUNONJËSVE TË MINIERAVE NË NËNTOKË)”.

Përparim Spahiu
Sigal