Shtatori i Rilindjes allaturka në kalendat greke

552
Jakup B. GJOÇA
Kryeministri Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së e pranoi publikisht, që ministrat nuk kanë bërë punën e duhur. Që kryetarët e bashkive kanë shkëputur kontaktet me njerëzit, me realitetin. Që deputetët janë kthyer në punëdhënës. Që kryetarët e partisë nëpër qarqe nuk kanë as zyra. Që ka korrupsion, derisa pretendoi se do të fillojë edhe vettingu brenda qeverisë dhe partisë. Që… edhe shumë pohime të tjera të dështimit. Mirëpo, dy gjëra bënë përshtypje në fjalën e kryeministrit Rama. Që të gjithë fajësohen, ministra, deputetë, kryetarë bashkie, kryetarë të PS-ve në qarqe dhe bashki, veç kryeministri Rama, jo!!! Dhe, kryeministri Rama i pohoi të gjitha këto dështime të qeverisjes së Rilindjes, thua se ka në pushtet vetëm …100 ditë, duke “harruar” që ai qeveris 5 vite. 

Pyetja e parë e më e thjeshtë që duhet t’i bëjmë kryeministrit Rama është: 

-Përse deri tani nuk keni vepruar ju, si kryeministër, derisa i keni evidentuar kaq saktësisht dhe imtësisht, si dështimet e qeverisjes, por edhe shkaktarët dhe përse keni neglizhuar duke mos marrë asnjë masë ndaj fajtorëve dhe keni neglizhuar edhe për përmirësimin e qeverisjes? 

Së pari, derisa tani, ju, zoti kryeministër Rama e keni i vetëm timonin e qeverisjes, me gjithë këto dështime, faji bie tërësisht mbi ju, si kryeministër. 

Nuk mundesh më të shfajësohesh se fajin e kanë vetëm ministrat e LSI-së, sikurse justifikoheshit, kur bashkëqeverisnit. 

Së dyti, ju, zoti kryeministër jeni tërësisht fajtor, sepse të gjithë këta; ministrat, kryebashkiakët, kryetarët e PS-ve nëpër qarqe janë zgjedhja juaj, dhe derisa, siç thoni tani, janë të paaftë, ju, i pari jeni fajtor, sepse keni zgjedhur të paaftët dhe i bëtë ministra, deputetë, kryebashkiakë. 

Pyetja e dytë, që i drejtojmë kryeministrit Rama, është: 

-Përse do të prisni edhe 4 muaj, që të mbani po këta ministra të paaftë dhe po kryetarët e bashkive që nuk bëjnë asgjë kur një ministër ka dështuar deri tani, a duhet ta mbani akoma deri në shtator?

Derisa kancelarja Merkel, deputetët gjermanë ta thanë qartë, që Shqipëria (domethënë qeverisja juaj 5-vjeçare, zoti kryeministër Rama) nuk i ka plotësuar detyrat e integrimit, nuk ka luftuar krimin e organizuar, nuk ka luftuar korrupsionin, reforma në drejtësi ka ngrirë institucionet e Gjyqësorit, që në Shqipëri nuk ka liri të Fjalës dhe shkelen të drejtat e Njeriut, të gjitha këto nuk mundet të mballosen me analizat që doni të bëni ju, si qeveri dhe si Parti Socialiste deri në shtator. Që (edhe) ndërkombëtarët të besojnë se deri në qershor, kur Këshilli i Ministrave të BE-së të vendosë për hapjen ose jo të negociatave, duhej sot që, e pakta, ju, si kryeministër, duhet të riorganizonit qeverinë. Të shkarkonit pikërisht, ata ministra që ju pohuar që nuk punojnë. Duhet, që reforma në drejtësi (derisa pretendoni se e keni realizuar) të çojë para drejtësisë; ministrat, drejtorët e korruptuar, ata qeveritarë që kanë bashkëpunuar me krimin. Ju caktuat shtatorin, jo se ndjeni përgjegjësi, jo se keni vullnet për reflektime dhe ndryshime, por doni të fitoni kohë. Dhe, më keq akoma, që gjithë përgjegjësinë ta shkarkoni te disa “peshq” të vegjël, që mund të shkarkoni në shtator, duke mos mbajtur aspak përgjegjësinë tuaj politike. Ose, ta çoni shtatorin që u premtuat socialistëve në …kalendat greke. 
Sigal