Shqiptarët vuajnë në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga bindja e tyre politike

120
Klaudia Malaj
Forum / Ekskluzive për gazetën “Telegraf”, me të rinjtë e partive politike, LSI, PD, dhe PAA për arsyet, pse Shqipëria duhet të ngrihet në protestë
Të rinjtë janë përgatitur të jenë zëri më i lartë i protestës së 27 janarit. Në forumin e përgatitur nga “Telegraf”, flasin; Floida Kërpaçi, deputete e LSI, Belind Këlliçi, kryetar i Forumit Rinor të PD, Klevi Pojana, Nënkryetar në Lëvizja Rinore për Integrim – LRI dhe Hergi Tabaku, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Agrare Ambientaliste. Të rinjtë njëzëri shprehen se e gjithë Shqipëria duhet të ngrihet në protestë për një jetë më të mirë. Të rinjtë duhet të jetojnë në Shqipëri dhe jo të largohen për një jetë më të mirë. 
Belind Këlliçi: Sot të rinjtë punojnë në arat e kanabisit
Si do ta përkufizonit protestën e 27 janarit? 
“Protesta e 27 janarit është dita kur qytetaret duhet të reagojnë. Pabarazia dhe varfëria janë rritur në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror “Rritja gjithëpërfshirëse dhe raporti i zhvillimit” për 2018. Sipas raportit, shqiptarët që jetojnë në varfëri u rriten me 0.7 për qind dhe norma e varfërisë ka arritur në 6.8%. Për vendet në zhvillim, ky tregues llogaritet si përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 3.1 dollarë në ditë. 290 mijë shqiptarë vuajnë për ushqim ndërsa 400 milionë euro janë shpenzuar nën qeverisjen e Edi Ramës për fasada. 60 mijë fëmijë ushqehen një herë në ditë, 39 % nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe të ujit, ndërkohë që 300 milionë euro ka shpenzuar Edi Rama për luksin e tij. 43 për qind e familjeve nuk sigurojnë dot ngrohjen, ndërsa ne 2017 Edi Rama shpenzoi 350 mijë euro për kondicionerë ne kryeministri. 40 biznese mbyllen çdo ditë, 13 mijë në 2017 nga pamundësia për të paguar taksa, ndërkohë që shqiptarët paguajnë në vit, 1.5 miliardë euro më shumë taksa.”
Cilat janë, sipas jush, dëmet që ka pësuar rinia shqiptare nga qeverisja e Ramës? 
“Mjafton t’i hedhim një sy statistikave për të kuptuar se në çfarë situate është rinia sot. 62% e të rinjve shohin papunësinë si shqetësimin kryesor. Ndërkohë 1 në 3 të rinj në Shqipëri janë pa punë. 110 mijë të rinj nga 14-34 vjeç kanë emigruar gjatë qeverisjes Rama. 1 në 2 të rinj kërkon një mundësi emigrimi. Po kështu truri po largohet me shpejtësi nga vendi. Në 3 vjet kemi afërsisht 1000 infermiere me eksperiencë dhe rreth 600 mjeke të larguar nga Shqipëria. Kontrolli i Lartë i Shtetit konfirmoi në një raport të posaçëm kaosin e shkaktuar gjatë procesit të pranimeve në universitete në 2016-n. Por, KLSH shprehet se Matura 2016 pati kosto edhe për qytetarët, pasi aplikantët që mund të ishin pranuar në universitetet publike, u regjistruan pas limitit kohor në ato private, ku sipas vlerësimeve të KLSH, tarifat e edukimit janë 6 deri në 10 herë më të larta.”
Klevi Pojana: Të gjithë shqiptarët vuajnë në mënyrë të barabartë pavarësisht nga bindja e tyre politike
Si do ta përkufizonit protestën e 27 janarit? 
“Në protestën e 27 janarit gjithkush ka diçka për të protestuar, kanë për të protestuar gjimnazistët, ata të cilët sot më shumë se kurrë shikojnë vështirësi për të ardhmen e tyre, për studimet, për mundësitë që i ofrohen dhe për atë çka i pret në Shqipëri. Është një protestë për studentët shqiptar, të cilët duhet të jenë aty për të protestuar për tarifat e shkollimit, për praktikat e munguara të punës, për kartën e studentit që mungon, për kushte më të mira në konvikte, për infrastrukturën më të mirë në çdo universitet të vendit, për standardet e barabarta dhe të larta në arsimin publik. Është një protestë ku mund të protestojë çdo prind, që sot vuan sepse nuk mundet të sigurojë fondin e muajit për familjen e tij. Duhet të protestojë çdo pensionist që sot has vështirësi më të mëdha se në të shkuarën për të siguruar jetesën me një pension minimal, për të siguruar ilaçet e nevojshme dhe, ku më shumë se kurrë, ka humbur shpresat se në këtë vend mund të jetohet. Protesta po bëhet për të gjithë qytetarët shqiptarë, pa dallime politike, sepse të gjithë shqiptarët vuajnë në mënyrë të barabartë pavarësisht nga bindjet e tyre politike.” 
Cilat janë, sipas jush, dëmet që ka pësuar rinia shqiptare nga qeverisja e Ramës? 
“Rinia shqiptare është sot më e dëmtuara nga kjo keqqeverisje e qeverisë Rama, sepse kjo nuk është një mënyrë qeverisjeje, dhe druaj se është me dashje. Dëmet më të mëdha rinia shqiptare i ka pësuar në arsimin e saj, sepse nuk i ofrohet sot mundësi reale që rinia shqiptare të mirë-arsimohet dhe të mirë-edukohet në këtë vend. Të rinjtë shqiptarë sot shikojnë si zgjidhje largimin nga vendi. Po të shohësh statistikat, në Francë ka më shumë shqiptarë që kërkojnë azil sesa sirianë. Nëse në Siri ka luftë, po në Shqipëri çfarë lufte ka? Kush i lufton? Jam i bindur që i lufton keqqeverisja.”
Floida Kërpaçi: Një protestë pa dallime politike
Si do ta përkufizonit protestën e 27 janarit? 
“Kjo nuk është një protestë PD-LSI. Kjo është një protestë e të gjithë spektrit, e shpirtit opozitar ndaj keqqeverisjes së vendit dhe situatës shumë të rëndë ekonomike e sociale të vendit. Shqipëria nuk ka shpresë dhe të gjithë duhet të bashkohemi, pa dallime bindjesh politike për të rindezur frymën e shpresës, për të rindezur fuqinë e njerëzve si motori më i fuqishëm që do e çojë Shqipërinë drejt standardeve të Bashkimit Evropian.”
Pse duhet të protestojnë studentët?
“Ka një mori arsyesh për studentët, fillon nga ligji i arsimit e lartë e problematikat e këtij sistemi klientelist, tek tarifat e larta të arsimit, tek cilësia e dobët e mësimit, e shumë arsye të tjera që lidhen me jetën e tyre studentore dhe varfërinë e arsimit shqiptar. Sistemi arsimor sot karakterizohet nga një varfëri arsimore, pa efektivitet, që më shumë se dije, i jep stres studentit dhe nuk e aftëson për të ardhmen e tij. Që prej dhjetorit 2017 kur filloi fryma e protestave, jam takuar e më kanë kontaktuar me mijëra të rinj, të cilët çdo ditë e më shumë po binden që dufin, inatin e tyre me situatën e zymtë ku jetojnë të mos e vuajnë më thjesht me veten, familjen apo shoqërinë, por të dalin në rrugë, të protestojnë për të drejtat e tyre, e të kërkojnë të bëhet drejtësi në këtë vend, që të drejtat themelore për një jetë më të mirë të mos i mohohen brezit të ri, nga disa pushtetarë që bëjnë pasanikë brenda ditës miqtë e tyre dhe varfërojnë nga ana arsimore, ekonomike, shpirtërore të gjithë të tjerët.” 
Hergi Tabaku: Të rinjtë janë shndërruar në kavie laboratori
Si do ta përkufizonit protestën e 27 janarit? 
“Protesta e 27 Janarit do të shprehë revoltën tonë kundrejt një sistemi jotransparent dhe promovues të padrejtësive. Qeveria e tanishme ka premtuar drejtësi, transparencë, prosperitet dhe meritokraci ndër të tjera, të cilat, jo vetëm nuk na janë mbajtur, por na janë mohuar haptas. Protesta në vetvete është mënyra më liberale e qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime dhe unë si qytetar dhe përfaqësues i të rinjve të LRA-së, mendoj që të gjithë duhet te ngrihemi për të luftuar padrejtësitë që hasim çdo ditë.” 
Cilat janë, sipas jush, dëmet që ka pësuar rinia shqiptare nga qeverisja e Ramës? 
“Për një të ardhme të begatë, me rritje në ekonomi, në mundësi dhe në vlera njerëzore, rinisë duhet t’i sigurohen mundësi arsimimi, zhvillimi intelektual dhe punësimi. Në vend të na sigurohen këto të drejta të premtuara nga qeveria, po na mohohen çdo ditë e më shumë. Ne, të rinjtë e sotëm, jemi shndërruar në ‘kavie laboratori’ me ndryshime të panumërt, të paprecedent dhe radikale në sistemin parauniversitar, universitar dhe pasuniversitar pa u informuar paraprakisht për to. Përveç mungesës së infrastrukturës së përshtatshme, studentët e sotëm po përballen me tarifa të papërballueshme studimi, dhe jo vetëm, por dhe një pasiguri të lartë në arenën profesionale dhe në tregun e punësimit.