Shqiptarët pa shpresë në Evropë, me këtë qeveri

494
Sigal

Flet Agostin Marku, ish-deputeti i PS-së: “Jo” e BE është për problemet e mos funksionimit të shtetit ligjor, korrupsionit të zyrtarëve të lartë të qeverisë, azilkërkuesve, vjedhjes së votave. PS-ja nuk ekziston, është uzurpuar nga sekti i Rilindjes, e cila ka braktisur elektoratin e Majtë dhe u shërben oligarkëve

Agostin Marku, ish-deputet socialist

 

Çështja e mos hapjes se negociatave për Shqipërinë ishte për probleme të theksuara të mos funksionimit të shtetit ligjor, korrupsionit, mosndëshkimit të të korruptuarve me mandate politikë, azilkërkuesve, standardeve zgjedhore etj., etj.

 

Shqiptarët nuk kanë shpresë për Evropë, sa kohë do kenë Ramën kryeministër

 

Jakup B. GJOÇA

Agostin Marku, ish-deputet socialist, në intervistën për gazetën “Telegraf” thekson se fajtori për  “JO”-në e BE ndaj Shqipërisë është qeveria dhe sa kohë që shqiptarët do kenë Edi Ramën kryeministër, nuk ka më asnjë shpresë për të hyrë në Evropë. Si socialist Marku pohon se Partia Socialiste nuk ekziston më, ngaqë e kanë zaptuar sekti i Rilindjes. Zoti Marku thotë se korrupsioni nuk luftohet, ngaqë zyrtarët e lartë janë përfshirë në tenderë korruptive dhe kanë lidhje me qeverinë, me Kuvendin, ndërkohë që reforma në drejtësi është e dështuar, derisa Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese e të Lartë, pa institucionet e reja të Drejtësisë.

 

-Zoti Marku, a fajësohet Qeveria shqiptare që Bashkimi Evropian nuk i hapi negociatat për Anëtarësim Shqipërisë?

 

 

Qeverinë shqiptarë mund të mos e fajësojë vetëm Kryeministri dhe ndonjë anëtarë kabineti, që Bashkimi Evropian nuk i hapi negociatat për anëtarësim e Shqipërisë, sepse besoj se ka edhe në kabinetin e tij, madje e fajësojnë shumë. Mund të ketë edhe ndonjë rilindës pragmatist nga ato “të hurit e të litarit” dhe kaq.

-Po kë duhet të fajësojnë Shqiptaret përveç se Qeverinë që i kanë dhenë mandatin të qeverisë dhe të drejtojë?

Atëherë pse bëhen zgjedhjet në vendet demokratikë dhe ndodhin rotacionet politike? Po të ecim me idenë se Qeveria udhëheq dhe nuk mban përgjegjësi për objektivat e pa realizuara duke ja hedhur fajin “armikut” si në kohen e sistemit të kaluar nuk kemi nevojë të bëjmë zgjedhje dhe as të aspirojmë për anëtarësim në Evropë, por “qëndrojmë si fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut” teksa shikojmë qeverinë nga fitorja në fitore dhe popullin duke emigruar. Pas gjithë këtyre “arritjeve” të vijmë në një ditë me një ndryshim nga e kaluara që populli i ka këputur zinxhirët dhe është i tëri në azil, ndryshe nga sistemi komunist i teri në izolim. Ky do të ishte dallimi. Por a meritojnë Shqiptaret ketë? Besoj se jo. Ndaj çdo Shqiptarë i ndershëm që e do Atdheun, që ka aspiruar dhe e do integrimin, që e do dhe lufto për familjen, nuk ka kë të fajësojë, Institucion tjetër, përveçse Qeverinë Shqiptarë që Bashkimi Evropian nuk i hapi negociatat për anëtarësim Shqipërisë.

Sot Partia Socialiste ekziston vetëm në letër, pasi nuk ekziston as programi saj, as strukturat  qendrore të saj. PS dhe strukturat e saj janë  zëvendësuar  nga një ekipi i vetëquajtur rilindës, ekip që nuk ka asnjë lloj kontributi   në Partinë Socialiste

 

A duhej që Kryeministri Ramë të atakonte publikisht dhe drejtpërdrejt Presidentin Makron si fajtorin për “Jo”- në e BE duke i kundërvënë qëndrimin e Merkel?

Kryeministri Ramë i ka larë duart me Makronin dhe me Merkelin, kështu që nuk ka çfarë të ruajë edhe politikisht apo në formë diplomatike. Makron e ka mbrojtur më shumë se kushdo Kryeministrin Ramë në ketë betejë, pasi në të njëjtin “thes” futi edhe Maqedoninë e Veriut duke gjetur një sebep se  duhet parë një formë apo rikonceptim për kushtet dhe mënyrat e zgjerimit, kur në fakt çështja e mos hapjes se negociatave për Shqipërinë ishte për probleme të theksuara të mos funksionimit të shtetit ligjor, korrupsionit, mosndëshkimit të të korruptuarve me mandate politikë, azilkërkuesve, andarteve zgjedhore etj etj. Pse, kushtet e Gjermanisë do të na çelnin negociatat Ne Shqiptareve? Ato kushte ishin të tilla, që në fakt, nuk janë asgjë tjetër përveçse do t’i jepnin mundësinë Qeverisë të propagandonte se i çelëm negociatat, por në asnjë moment nuk do të kishim bisedime e tryeza pa i realizuar. Por në fakt Qeverisë Shqiptarë i mungon vullneti për t’i realizuar dhe për këtë ka dhënë prova. Kështu që Makron është treguar shumë transparent në një çështje shumë decizive dhe shumë diplomat në mënyrën e mbrojtjes së Kryeministrit Shqiptar. Tani mosmirënjohja ekziston edhe tek ndonjë Shqiptarë dhe për ketë s’kemi se çfarë të themi, sepse i thonë një fjale të urtë popullore shqiptare “nuk ka pyll pa derra”

 

Sipas jush, cilat Reforma nuk u realizuan nga Shqipëria që të mund meritonim hapjen e Negociatave?

Se cilat Reforma nuk janë realizuar që të meritonim hapjen e negociatave më mirë e ka thënë Gjermania dhe kancelarja Merkel. Ose më mirë çilen Reforme realizuam, jo nga Shqipëria, por nga Qeveria? A mos arritëm ndonjëherë të vetme të bëjmë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike? Besoj kjo është A-ja e demokracisë. Çfarë kërkon në Evropë kur nuk bën zgjedhje me standarde demokratike? Çfarë kërkon në Evropë dhe në tempullin e demokracisë me gjendjen siç është Kuvendi, ka të inkriminuar dhe të pa arsimuari? Çfarë kërkon në Evropë kur mungon demokracia në sistemin partiak në vend dhe Partitë politike nuk janë më të anëtarësisë, të idealeve, të programeve, por të Kryetareve dhe të fortëve që shkojnë pas tyre? Mos vallë edhe për këto duhet ta kërkojmë fajin tek Makron, Merkel, po tek Holanda, Danimarka, Spanja e gjetkë? A mund të na pranojë Evropa kur vetëm në një tregues kemi gjithë këtë problematikë që në një mënyrë apo tjetër të çon në deformimin e krejt sistemit demokratik. Thuhet se reforma në drejtësi ka dhenë rezultat. Po për çfarë ka dhënë rezultat kur vendin e kemi pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese dhe gjithçka antiligjore që bëhet nga Institucionet kushtetuese, përfshi dhe Qeverinë që justifikohet, se nuk kemi Gjykata. Kjo është arsyeja që vonohet dhe pastaj themi se kemi ecur mirë në drejtim të reformës në drejtësi. Pse Gjermania i kërkoi si kushte për çeljen e negociatave? Sepse një shtet pa Gjykata nuk mund të funksionojë. Funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, janë në krye të këtyre kërkesave ku këto organe sipas të gjitha gjasave nuk mund të ngrihen brenda këtij viti. Tashmë e dinë të gjithë se çdo gjyqtar dhe prokuror në këtë vend është në ankthin e “vetingut të famshëm” dhe ka hyrë totalisht nën urdhrat e pushtetit në dhënien e vendimeve. Nuk përjashtohen edhe rastet e atyre që e kanë mbushur kupën dhe e dinë fundin e tyre dhe po bëjnë ç’të mundin që të marrin sa të munden. E gjitha kjo ka futur në një kolaps të plotë sistemin. Një tjetër kërkese apo kusht ishte lufta kundër korrupsionit. Çfarë përpjekje  është bërë për luftën kundër korrupsionit, përfshirë krijimin e të dhënave të pandërprera të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve, kur realisht korrupsioni në ketë vend po lulon çdo ditë? Apo të luftës kundër krimit të organizuar, kur Shqiptarët janë të tmerruar nga skenat kriminale që jepen çdo ditë dhe Qeveria për t’u justifikuar na jep statistika krahasuese që na kujtojnë krahasimet e kohës së sistemit komunist, ku çdo krahasim e betë me vitin 1938, kohë e sundimit të mbretit Zog, për t’i mbushur mendjen Shqiptarëve se po punohet dhe ka arritje. A mund të justifikohen këto statistika sot që Ne duam të integrohemi në Evropë? Si përfundim në ketë vend ka pothuajse dy-tre vite që vetëm për reforma nuk flitet. Po të ishte për propagandë qeveritarë, po, ia kalonim të gjithë vendeve edhe atyre të BE-së

Si mund të luftohet korrupsioni, kur njerëzit me mandate politike janë të implikuar në mega skandale tenderësh dhe nuk ndëshkohen ,ngaqë janë të lidhur me njëmijë fije me pushtetin nga qeveria, Kuvendi e struktura të tjera ligjzbatuese

 

Mospranimi i asnjë përgjegjësie nga Kryeministri Ramë a lë shpresë tek shqiptarët për Reflektim deri në Kohën kur BE të rishqyrtojë sërish kërkesën? Apo thjesht duhet që Qeveria shqiptare të presë, sepse i ka kryer detyrat e integrimit të saj?

Kur kryeministri Ramë nuk pranon asnjë përgjegjësi, do të thotë që në ketë vend, me ketë qeveri nuk ka asnjë shpresë, jo vetëm për reflektim të tij, por dhe që ky vend të integrohet për aq kohë sa të kemi ketë Kryeministër në krye të punëve. Çdo qeveri demokratike në ketë rast duhej të merrte përsipër jo vetëm përgjegjësitë, por do të kthente mandatin tek populli pa humbur kohë që të behej figurimi real politik për të shpejtuar hapat për integrimin dhe radhitjen e Shqipërisë, aty ku i takon, në BE. Shqiptarët me patjetër që duhet dhe do të reflektojnë. Ka një farë hezitimi, ndofta edhe për mosorientimin  mirë të opozitës nga frika e etiketimit si jo Evropianë. Sa i takon idesë që Qeveria shqiptare duhet të presë, sepse i ka kryer detyrat e integrimit, mendoj se vetëm detyra integrimi kjo Qeveri nuk ka mbaruar dhe nuk ka çfarë të presë, përveçse të marrë përgjegjësitë e dështimit gjashtë vjeçar për integrimin. Qeveria nuk na paska përgjegjësi dhe fajin e paska Makron për mosçeljen e negociatave? Ok. Por kë paguajnë Shqiptarët nga taksat e tyre përveçse Qeverinë për t’i mbushur mendjen Evropës me veprime konkrete se Ne e meritojmë çeljen e negociatave? Atëherë nuk mundet kjo Qeveri dhe Kryeministri Ramë të thotë nuk kam se çfarë t’i bej Presidentit Francez sepse ai e ka me popullin e vet. Dakord. Kryeministri Ramë të mbajë krahun dhe t’i kërkojë popullit të gjejë lidershipin qe i mbush mendjen skeptikëve evropiane se Ne e meritojmë çeljen e negociatave dhe integrimin.

 

Sa Socialiste dhe e Majtë është Rilindja Socialiste? Me politikat e saj ekonomike a ka ndihmuar Elektoratin që e votëbesoi?

Me këtë rikonceptim të rilindjes sot e të paktën që gjashtë vite në qeverisje nuk mund të thuash që ekziston e majta dhe Partia Socialiste në veçanti. Sot PS ekziston vetëm në letër, pasi nuk ekziston as programi saj, as strukturat  qendrore të saj. PS dhe strukturat e saj janë  zëvendësuar  nga një ekipi i vetëquajtur rilindës, ekip që nuk ka asnjë lloj kontributi   në Partinë Socialiste. Partia Socialiste kishte në qendër të saj kolegjialitetin që në fakt me Rilindjen nuk ekziston qoftë edhe në forme minimale dhe vendin e tij e ka zënë arbitrariteti, autokracia dhe despotizmi i njëshit. PS sot e të paktën që gjashtë vite përdoret thjeshtë si sigël nga njëshi vetëm si mjet për të arritur qëllimin. Vendimmarrja, zgjedhjet, statuti janë në duart e njëshit. Institucioni i zgjedhjeve ne ketë sekt Rilindës me sigël PS ka humbur dhe është zëvendësuar me emërime dhe komandime të gjithfarë sojit, mjafton që të mos mendojnë dhe të jenë socialist. Baza e partisë tashme nuk pyetet për asgjë por është thjesht fasadë për të reklamuar propagandën e njëshit. Zëri ndryshe  në ketë sekt Rilindës me sigël PS, jo vetëm nuk pranohet por përçudnohet dhe diskriminohet duke humbur çdo të drejtë, edhe me minimalen e të qenit anëtar partie. Personat  me reputacion dhe kontribute të Partisë Socialiste janë larguar, denigruar dhe zëvendësuar me anonimë, trafikantë e të inkriminuar dhe me një cilësi tjetër që të jenë vazhdimisht nën komandën e njëshit, të imitojnë njëshin dhe te intimidojnë kundërshtaret e tij. Kështu që vetëm e majtë dhe Socialistë nuk mund të quhet kjo Rilindja e sotme që është në pushtet. Nuk ka fyerje me të madhe për socialistet e ndershëm, për ato të çilet ëndërruan dhe luftuan për alternativen socialdemokratë, për socializmin modern Evropian, për alternativen sociale, për meritokracinë dhe administratë profesionale, që t’i thuash se po realizohen këto aspirata nga Rilindësit. Çilen nga këto gjera të thjeshta por shumë substanciale i kemi parë të konkretizuara e të demonstruara në këto gjashtë vite në pushtetin Rilindës? Politikat ekonomike të rilindjes jo vetëm që nuk kanë ndihmuar elektoratin që e votëbesoi dhe atë të majtë në tërësi, por dhe po të kishte qenë me një bazë dhe program tërësisht të djathtë nuk mund t’i kishte shërbyer më me fanatizëm një grupi oligarkësh siç po i shërben. Fakti që sot shumë njerëz kanë ikur nga vendi është pikërisht humbja e shpresës për të jetuar në ketë vend si rezultat i rritjes së kostos së jetesës dhe pasigurisë totalë

 

Zoti Marku, kur DASH dhe Bashkimi Evropian kërkojnë nga Shqipëria Luftën kundër korrupsionit, çfarë kuptojnë? Kush korrupton? Deri tani Prokuroria nuk ka çuar një Gjykatë asnjë zyrtar të Lartë?

DASH dhe Bashkimi Evropian me të drejtë kërkojnë nga Shqipëria luftën kundër korrupsionit, pasi në ketë vend akoma lulëzojnë mekanizma korruptive ne strukturat shtetërorë që po dobësojnë çdo ditë ekonominë e këtij vendi dhe pasurimin me hapa të shpejtë të një pjesë të elitës në pushtet. Lufta kundër korrupsionit, kryhet me mekanizma efektive dhe ligje të forta dhe jo me propagande. Si mund të realizohet kjo luftë kur njerëzit me mandatë politike janë të implikuar në mega skandale tenderash e shkelje financiare dhe nuk ndëshkohen për vetë faktin që janë te lidhur me njëmijë fije me pushtetin nga qeveria, kuvendi e struktura të tjera ligjzbatuese që kanë për detyrë ta luftojnë korrupsionin. DASH dhe Bashkimi Evropian kërkojnë nga Shqipëria që të luftohet korrupsioni, ndaj duhet në mënyrë urgjente ndërtimi dhe nisja nga puna e SPAK, ndërtimi dhe nisja nga puna e Gjykatës Kushtetuese, plotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, nisja e proceseve penale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të rrëzuar nga Vettingu, dënimi i personave të përfshirë në vjedhjen e votave. Pse nuk realizohen këto? PO të ngrihen dhe funksionojnë këto struktura atëherë para drejtësisë do të kemi edhe pushtetarë të nivelit të lartë, që nuk i intereson kësaj kastë kolitke në Shqipëri, sepse digjen pothuajse të gjithë. Nëse do të ngrihen dhe funksionojnë këto struktura atëherë bilancet në ketë luftë do të ishin shumë të suksesshme dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jepte frutet e saj. Nëse do ta bënim ketë pa asnjë hezitim edhe Marron nuk do të kërkonte të gjente mekanizma të tjerë për mënyrën e konceptimit dhe gjetjen e parametrave të tjerë për zgjerim. Kush nuk e do të mirin me ehte? Të keqin dhe të korruptuarin asnjë! Dihet se korrupton ai që ka pushtetin dhe mbështetjen politike dhe të korruptuarit me mbështetje politike nuk ka  Prokurori politike si kjo e jona që mund t’i dërgojë në Gjykatë e për më tepër zyrtarë të lartë.

 

Elektorati socialist i quan legjitime zgjedhjet e 30 qershorit, që u zhvilluan pa Opozitën? A duhet të ripërsëriten, për të zbatuar standardin demokratik, pluralizmin politik e partiak?

Të thuash zgjedhje të 30 qershorit sikur nuk shkon. Ka një të vërtetë se me 30 qershor janë bërë votime. Si mund të quhen zgjedhje kur vetë Qeveria dekretin e anulimit të zgjedhjeve e botoj në Fletoren zyrtarë? Mirë beri, sepse zbatoi ligjin. Po atëherë si nga njëra anë e boton dhe dekreti kur botohet hyn ne fuqi dhe nga ana tjetër deklaron se nuk e njoh, pra nuk zbatoj ligjin? A nuk është paradoks? Pra, vetë Qeveria në ketë rast ka bërë autogol. A njihen votimet në demokraci? Mendoj se nuk ka sens. Brenda të të njëjtës familje, të të njëjtës Parti, të të njëjtës shoqatë etj edhe Po, por në një spektër politik pluralist them se votimet nuk kane se si njihen. Pastaj 30 Qershori ta quajmë si të doni, por ka për të qenë një problem madhor në mënyrën e funksionimit te mekanizmave të qeverisjes vendore. Siç e dimë në zgjedhjet për strukturat e pushtetit vendor kemi dy votime. Një është në sistem mazhoritar që është vota për Kryetar njësie dhe një në sistemin proporcional që është vota për këshillat bashkiake. Kryetari Bashkise është pushteti ekzekutiv dhe këshilli Bashkisë është pushteti legjislativ. Edhe në kushtet e zgjedhjeve normale me të gjithë spektrin politik pluralist në vend mund të ndodh që në sistemin mazhoritar të gjithë Kryetaret t’i fitojë një krah politik apo subjekt, pasi kush del i pari fiton, por kurrsesi në krahun tjetër që zgjedhjet janë proporcionale ku krahët politikë pavarësisht performancës në paraqitje, vetë sistemi proporcional i bën pjesë e strukturës, pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes në pushtetin legjislativ që është këshilli Bashkise. Në kushtet e 30 qershorit nuk është problem se 61 Kryetar Bashkie janë të një subjekti apo krahu politik, pasi në fund të fundit janë në pozicion ekzekutive, por kemi 61 parlamente legjislative vendore (këshilla bashkiake) të një subjekti apo krahu politik monist, të cilët kanë në dorë vendimmarrjen dhe janë kontrolluesit kryesorë nëpërmjet vendimmarrjes të pushtetit ekzekutiv në Bashki. Sa për idenë e ripërsëritjes mjafton kjo që theksova më sipër që është nevojë urgjente dhe jo vetëm për të zbatuar standardin demokratik, pluralizmin politik e partiak. Po kur dhe kush duhet ta bëjë? Duhet vullneti politik që mungon. Duhet Gjykata Kushtetuese që mungon dhe nuk dihet kur do të fillojë funksionimi me hapat e breshkës që po ecet qëllimisht për ngritjen e saj.

 

Thuhet se reforma në drejtësi ka dhënë rezultat. Po për çfarë ka dhënë rezultat, kur vendin e kemi pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese dhe gjithçka antiligjore që bëhet nga Qeveria justifikohet, se nuk kemi Gjykata

 

Sa zbatohet meritokracia në emërimet në administratën publike nga Qeveria e Rilindjes?

Fakti që sot është në fuqi një ligj për shërbimin civil deri diku në nivelet bazë kemi edhe specialiste të cilat i ka mbrojtur ky ligj. Në shumë raste ne funksionet kyçe dhe pozicionet e larta drejtuese kur shoh Cv-të e atyre individëve që janë emëruar, me bën përshtypje se pjesa dërmuese e tyre nga mosha 25 vjeç deri 65 vjeç janë arsimuar në Universitet private që Qeveria me të drejtë i ka mbyllur me ligj. Si është e mundur qe na trumbetohet me të madhe arsimimi jashtë apo meritokracia dhe realisht fitojnë në këto pozicione kjo kategori e arsimuar në Universitete private të mbyllura. Po të realizohet një investigim do të vëmë re se shumë syresh në Cv-në që mund të kenë dorëzuar para 2015 mund ta kenë deri në nivelin e shkollës së mesme dhe pas mbylljes së atyre universiteteve na dalin të diplomuar atje. Këto janë çudirat shqiptare dhe atëherë themi, se pse rinia dhe studentët e diplomuar me nota të shkëlqyera në Universitete shtetërore e private me emër në Shqipëri ikin në emigrim. Kjo tashmë dihet, ato nuk plotësojnë kushtet e të qenit Rilindës. Dhe kur veprohet kështu do të kemi edhe korrupsion, do të kemi edhe zvarritje dhe burokracira, do të kemi edhe përvetësime e tjetërsime të pasurisë shtetërore. Ndaj BE-ja kërkon me forcë dhe vendos si kusht kryesor për çeljen e negociatave implementimin e reformave në administratën publike në kuadër të rritjes së profesionalizmit dhe depolitizimit të saj.

Kur kryeministri Ramë nuk pranon asnjë përgjegjësi, do të thotë që në ketë vend, me ketë qeveri nuk ka asnjë shpresë, jo vetëm për reflektim të tij, por dhe që ky vend të integrohet për aq kohë sa të kemi ketë Kryeministër në krye të punëve

Reforma në Drejtësi, siç po zbatohet, a rikthen tek shqiptarët besimin se Drejtësia është e barabartë për të gjithë qytetarët?

Një ndër kushtet themelore të DASH dhe Bashkimi Evropian ka qenë reforma në drejtësi me qëllim pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Fakti që lufta kryesore kolitke gjatë detyrë 3 viteve të fundit ka qenë konceptimi dhe mënyra e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë dhe kjo, jo për të realizuar atë që kërkon faktori ndërkombëtar, por dikush për të ruajtur dhe dikush për të marrë këtë pushtet ka lënë shije të hidhur tek opinioni publik. Që të realizohet pavarësia e sistemit të drejtësisë duhen ndërmarrë masa të reja për përforcimin e pavarësisë, efikasitetin dhe përgjegjësinë e institucioneve të drejtësisë. Me këtë luftë të pandershme, vështirë që do të konkretizohet dhe të ketë rezultatet e duhura. Pra e gjitha kjo rrugë dhe mungesa e Institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë është një zhgënjim i madh dhe një besim i humbur tek qytetarët për drejtësi në zgjidhjen e problemeve.