Sigal

Shteti krijonë lehtësira për bixhozin dhe ruletat elektronike të cilat kanë shkaktuar drama sociale, familjare,krime, vetvrasje dhe humbje të pasurisë. Shpresa tek “Fundi i Marrëzisë” dhe rilindja e industrisë së kumarit, për shkak të favorizimit më të fundit nga qeveria duke i lehtësuar aktivitetin në qëndrat e banuara dhe ulur taksat, ndërkohë që rriti të biznesit të vogël

Çuditërisht, në Shqipëri, sa më shumë rritet varfëria, kaq rriten edhe xhirot e lojrave të fatit, kazinove elektronike, ku shqiptarët  e dëshpëruar, lenë  jo vetëm pasuritë e tyre, por edhe jetën e tyre, teksa në pamundësi të gjejnë rrugëzgjidhje të halleve e problemeve familjare, sociale, psikike, vetëvriten.

Degradimi shpirtëror e social fillon nga kazinotë e bixhozi

Qeveria e re socialiste, e ardhur në pushtet më 2013, filloi që në ditët e para një luftë frontale kundër kazinove, lojrave te fatit, bixhozit, të cilën e pagëzoi edhe “Fundi i Marrëzisë”.  Sekuestroi me mijëra kompjuter të bixhozit e kazinove elektronike, mbylli mijëra biznese të paligjshme dhe premtoi se do ta pastronte qytetetet nga to, për t’i përqëndruar në një vend jashtë qyteteve. Madje, qeveria përgatiti në 2014 edhe një ligj, ku në diskutimin e tij në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kryetari i këtij komisioni Fatmir Xhafaj shumë herë u shpreh për mbylljen përfundimtare të tyre. Mirëpo, pas disa viteve, ai aksion policor përfundoi në një fiasko të madhe, sepse kazinotë dhe biznesi i lojrave të fatit ka lulëzuar më shumë.

Qeveria  në korrik 2018 u lehtësoi kazinove dhe bixhozit edhe barrën fiskale

Qeveria e Rilindjes Socialiste ka rritur të gjitha taksat ndaj biznesit të vogël e të mesëm, ka shtuar edhe taksat për qytetarët, sa shqiptarët paguajnë më shtrenjtë se çdo vend i Europës energjinë elektrike, ujin, taksat vendore, karburantin, etj, mirëpo qeveria në korrik të 2018 përgatiti dhe çoi në parlament  ligjin për lehtësimin  fiskal  ndaj biznesit të lojrave të fatit e bixhozit, ku tani ata do të paguajnë 15 % të tatim fitimit, e jo më të shumës së xhiros.  Pardje Presidenti Meta dekretoi kthimin mbrapsht ë ligjit të qeverisë, që favorizon Lojrat e Fatit me lehrësi fiskale, deri në 15 %.

Lulëzimi  bixhozit në 2017, qindra miliona euro fitime

Në vitin 2017 nuk kishte as kampionat botëror dhe as europian, por kjo nuk e ka penguar industrinë e basteve dhe lojërave të fatit që të vijojë rritjen me ritme të shpejta, teksa numri i pikave sa vjen e po shtohet. Sipas të dhënave, bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 miliionë euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve për lloto e kazino janë rritur me 9.3%, apo rreth 11 milionë euro më shumë. Ironikisht, që prej vitit 2013, kur qeveria nisi me bujë aksionin për të luftuar këtë fenomen, të ashtuquajtur “Fundi i Marrëzisë”, apo ndryshimeve legjislative për t’i nxjerrë kazinotë jashtë qytetit (që nuk është zbatuar akoma dhe shtyhet vazhimisht) , marrëzia vetëm është shtuar dhe industria ka shënuar rritje dy shifrore vit pas viti. Në 2016-n, zgjerimi ishte 15%, ndërsa edhe në 2018 vlerësohet që ajo do të rritet ndjeshëm për shkak të Kampionatit Botëror dhe shtimit të pikave të lotove e basteve, që po shtrihen në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, duke zëvendësuar baret e lokalet tradicionale. Këto janë vetëm shpenzimet zyrtare, teksa nuk llogaritet informaliteti që vlerësohet i lartë në këtë sektor. Biznesi më i madh është tek kazinotë. Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj. Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 78 milionë euro. Rritja e qarkullimit vjetor për kazinotë ka qenë minimale në 2017-n. Në të kundërt, kompanitë e basteve sportive kanë parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2017-n, ndonëse një vit i zakonshëm pa kampionate botërore apo europiane, i ndikuar nga shtipi i pikave nëpër qendrat e qyteteve. Për lotaritë dhe bingot, shpenzimet janë më të ulëtat, në rreth 5 milionë euro. Por, më shumë sesa individëve, që kërkojnë të bëjnë goditjen e jetës, fati u buzëqesh kompanive, që marrin 30-50% të të ardhurave si fitime dhe rezultojnë si sektori më fitimprurës në vend. Shpenzimet për frymë të shqiptarëve për kazino, loto, bingo etj kanë arritur në 46 euro në vitin 2017. Kjo shumë është e barabartë me atë që shpenzohet për t’u siguruar (tregu i sigurimeve në total ishte rreth 16.2 miliardë lekë në 2017-n, sipas AMF-së), ku pjesën më të madhe, rreth 60% e zë sigurimi i detyrueshëm, teksa kultura e sigurimit në vend është shumë e ulët. Por, ndërsa shqiptarët ngurrojnë të sigurojnë jetën, shëndetin, apo shtëpinë, ata nuk hezitojnë që të lënë miliona në kërkim të fatit të shpejtë.