Shqiptarët me sytë nga Gjermania/ Kancelarja Merkel i thotë “JO” negociatave me Shqipërinë, ndërkohë që Presidenti Meta nga Berlini, pas intervistës në DW, flet me thënien e Merkel, për 30 qershorin: “Çdo gjë, edhe nëse është e gdhendur në gur dhe e pandryshueshme, në të vërtetë mund të ndryshojë”

418
Sigal

Intervistë e Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta për “Deutsche Ëelle Shqip”

 

Shtyrjen e datës së Zgjedhjes në 30 qershor, Presidenti Meta  nuk e përjashtoi as nga Gjermania

Deutsche Ëelle: Z. President, ju ndodheni aktualisht në Berlin. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Gjermani?

Presidenti Meta: Kjo vizitë ishte në funksion të pjesëmarrjes në takimin ndërkombëtar të Berlinit, organizuar nga Parlamenti gjerman, Bundestag. Unë pata kënaqësinë edhe të mbaj një fjalë përshëndetëse dhe të jepja disa mesazhe. Përveç kësaj, vizita ishte e lidhur me disa takime që pata mundësinë të zhvilloj me disa përfaqësues të grupeve të ndryshme parlamentare kryesore këtu në Bundestag, që përgjigjen për politikën e jashtme të fraksioneve të tyre, duke pasur parasysh se Shqipëria ndodhet në një moment mjaft të rëndësishëm, ku ne aspirojmë dhe kemi vullnetin për të çelur negociatat sa më shpejt, brenda këtij muaji mundësisht.

A kanë shprehur një qëndrim bashkëbiseduesit gjermanë të partive politike me të cilët jeni takuar sot në Berlin?

Do të theksoj rëndësinë që gjithë përfaqësuesit e fraksioneve parlamentare që kam takuar, si të CDU/CSU apo edhe të SPD dhe grupeve të tjera, janë pozitivë përsa i takon mbështetjes për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Sigurisht që situata politike në Shqipëri është një situatë jofavorizuese, por është e rëndësishme gjithashtu që ata në mënyrë mjaft të sinqertë kanë treguar vullnetin edhe për të ndihmuar në kapërcimin e këtij ngërçi dhe në dhënien e një kontributi për të vendosur një dialog politik sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që Shqipëria ta kapi këtë moment të rëndësishëm historik për të. Por jo vetëm për Shqipërinë, besoj edhe për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe gjithë rajonit tonë në BE.

Dy ditë para se të vinit ju në Berlin, gazeta bulevardeske më e madhe në Gjermani, “Bild”, botoi protokollet e përgjimit nga prokuroria. A ishte edhe kjo një temë në bisedat që keni pasur në Berlin?

Kjo nuk ka qenë aspak një temë në bisedat e mia, për sa i takon çfarë është pasqyruar në media të caktuara në Gjermani. Por natyrisht ka qenë temë angazhimi i vendosur për të përmbushur të gjitha pritmëritë në fushën e sundimit të ligjit, dhe së dyti rëndësia e jashtëzakonshme që kanë standardet demokratike të zgjedhjeve në Shqipëri, dhe kuptohet edhe ndëshkimi i gjithë personave përgjegjës apo të dyshuar për cenimin e integritetit të zgjedhjeve në të kaluarën. Këto kanë qenë mesazhe edhe të mëparshme të dhëna në mënyrë të vazhdueshme nga përfaqësues të grupeve të caktuara në Bundestag.

A nuk ka pritur shumë gjatë presidenti pa reaguar me një ftesë konkrete për dialog mes palëve? Në mënyrë që zgjidhja të gjendet brenda vendit dhe jo me mbështetje nga Berlini, apo diku gjetkë në botë?

Ndoshta për koincidencë, në ditën që opozita bëri zyrtare vendimin e saj për të djegur mandatet, unë pata rastin që edhe atë ditë të isha në Berlin për të takuar presidentin gjerman Steinmeier, dhe dhashë një intervistë për Deutsche Ëellen, dhe për fat të keq ftesa ime, apo thirrja ime nga të dy palët nuk u dëgjua, në mënyrë që opozita të bënte një hap pas, të mos shkonte drejt zyrtarizimit të këtij vendimi, por edhe maxhoranca të bënte dy hapa pas në mënyrë që të evitohej një përshkallëzim i mëtejshëm i ndarjeve dhe i një krize më të gjerë institucionale dhe përfaqësimi në vend. Unë në mënyrë të vazhdueshme kam nxitur vendosjen e dialogut, por për fat të keq të dy palët kanë vendosur disa kushte që e kanë bërë të pamundur një tryezë apo një takim zyrtar, pasi kryeministri Rama dhe kryetar i Partisë Socialiste, ashtu sikurse kam ndjekur edhe mbrëmë, do doja shumë të isha korrekt, ka qenë qartësisht refuzues për rishikimin e datës me mirëkuptim midis dy palëve për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse demokratike. Ashtu sikurse edhe zoti Basha dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës kanë vendosur si parakusht që zoti Rama të mos jetë në një tryezë të tillë në cilësinë e kryeministrit. Megjithatë, përpjekjet e mia do të jenë të palodhura, por edhe çdo kontribut i partnerëve tanë për rivendosjen e këtij dialogu dhe të këtij besimi, është jo vetëm i mirëpritur por është edhe i domosdoshëm.

A mund të mbahen zgjedhjet lokale në këtë situatë, ndërkohë që datën e votimeve ju e keni përcaktuar konform kushtetutës. A ka mundësi shtyrjeje të datës së zgjedhjeve, brenda kuadrit kushtetues?

Në këtë drejtim unë nuk do të ndaloj së angazhuari institucionin e presidentit dhe natyrisht personalisht deri në fund për të shmangur çdo alternativë që nuk i shërben jo vetëm stabilitetit të vendit por edhe e largon në horizonte të padukshme mundësinë e çeljes së negociatave apo anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Unë besoj se të dy palët kanë për detyrë t’i përgjigjen vullnetit të gjithë qytetarëve shqiptarë, i cili është në shifra të jashtëzakonshme mbi 90 e ca përqind, për t’ i dhënë këtë mundësi historike Shqipërisë që të çeli së afërmi negociatat me Bashkimin Evropian dhe unë besoj, se nëse kjo gatishmëri nga të dy palët do të reflektohet në orët dhe ditët që vijnë, edhe mbështetja nga Bundestagu do të jetë e plotë dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme për kurorëzimin me sukses të këtij qëllimi madhor për vendin tonë.

Zoti President, Sistemi juridik është pothuajse jofunksional, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Këshill të lartë të Drejtësisë dhe problemi me Gjykatën e Lartë. A mundet presidenti të japë një këshillë në këtë drejtim, a mund të dilet nga ky vakuum?

Dua t’ ju siguroj juve dhe të gjithë ndjekësit e Deutsche Ëelle-s, se presidenti i ka bërë të gjitha përpjekjet e tij që kurrë Shqipëria të mos ishte në një situatë të tillë, që reforma në drejtësi të ecte me ritme edhe më të shpejta, dhe njëkohësisht ne të mos kishim një vakuum të tillë. Çështja më e rëndësishme është që Shqipëria e ka nisur këtë reformë madhore. Natyrisht që kërkohet një konsolidim i zbatimit të saj dhe një besueshmëri në rritje që kjo reformë po jep rezultatet e saj në drejtim të sundimit të ligjit, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, dhe të gjithë duhet të riangazhohen për suksesin e saj të plotë.

Keni marrë ndërkohë ndonjë mesazh shpresëdhënës nga Berlini për të dhënë dritën e gjelbër për negociata me Shqipërinë?

Unë personalisht dallohem për realizëm në politikë dhe duke qenë se kam një eksperiencë relativisht të gjatë në veçanti në gjithë çështjen e integrimit evropian për shkak edhe të gjithë pozitave, besoj se çdo orë tani, e fituar çdo ditë e fituar, në ndihmë të demonstrimit të një maturie të klasës politike, të maxhorancës, qeverisë dhe opozitës nga ana tjetër, absolutisht që e bën shumë të afërt çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe natyrisht edhe për fqinjën tonë, tashmë Maqedoninë e Veriut, dhe për këtë vendoset këto orë, vendoset këto ditë.