Shqiptarët (jo politikanët) humbasin qindra milionat euro nga mosintegrimi në BE

101

Konfliktualiteti politik po rrezikon sërish rrugën e integrimit të Shqipërisë për në Bashkimin Europian

Bojkoti  i djeshëm i Parlamentit nga opozita është rikthyer sërish në skenën e politikës shqiptare. Thua se ka filluar pjesa e dytë e një ndeshjeje, që 23 Qershori nuk solli kthesë politike, por vetëm ndërrim të portave nga maxhoranca dhe opozita.

Shqipëria deri në 2011-n,  kishte 2 vjet që ishte mbërthyer në ngërçin e konfliktualitetit total, shterpë, të qëllimtë, midis maxhorancës dhe opozitës, dhe viktima e vetme e kësaj klime të acartë politike u bënë shqiptarët, të cilët e shikojnë vetveten të veçuar nga komuniteti i kontinentit, të cilit i përkasin (gjeografikisht) në mijëvjeçarë. Deri, kur në fundmajin e 2013-s, maxhoranca dhe opozita, sikur u ..ndërgjegjësuan, për përgjegjësitë historike që kanë, me sfondin e frikës të 23 Qershorit, dhe së bashku me konsensus, votuan edhe pengun juridik të procesit të integrimit, 3 ligjet e paketës së 12 kushteve të statusit kandidat. Mirëpo, 1 tetori, në vend që   të shënonte edhe hyrjen në fuqi të ligjeve të konsensusit, duket se, rihapi siparin e konfliktualitetit politik, total, deri në rrënimin e plotë të konsensusit politik të integrimit të Shqipërisë në BE, derisa maxhoranca e re sjell në Kuvend me  akt normativ,  shtyn në 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit që u miratua me konsensus, vetëm 3 muaj më parë, ndërsa opozita bën fjalë për atentat kushtetues dhe shpall bojkotin e dialogut.

Kur integrimi në BE, u barazua me liberalizimin e …vizave në zonën Shengen

Ëndrra e madhe e jetës së çdo shqiptari, që të udhëtonte në Europën, së cilës i përket në mijëvjeçarët e jetës, duket se u bë (gjysmë)realitet, me liberalizimin e vizave në zonën Shengen, sepse ende janë në fuqi të gjitha kufizimet e lëvizjes së lirë, në shumë shtete të Europës, që ndonëse janë në BE, nuk janë anëtare të zonës Shengen, sikurse Britanie, vendet nordike, etj.. Mirëpo, lëvizja e lirë, qoftë edhe në zonën Shengen,  nga politika shqiptare u festua si vetë…integrimi i plotë, duke fshehur të vërtetat e mëdha. Në të vërtetë, dyndja e shqiptarëve nëpër Europë, është tepër e kufizuar, për shkak se shqiptarët, tashmë,  nuk kanë – jo vizë – por lekë, as për biletë, për të vajtur në kryeqytetet e Europës. Qoftë pa vizë, qoftë pa lekë, shqiptarët mbeten të ngujuar e të veçuar larg Europës, sepse, më shumë se lekët, u mungon edukata dhe kultura demokratike europiane.

Shqiptarët (dhe jo politikanët) janë ata që humbasin të ardhurat financiare nga mosintegrimi në BE

Para 4 vjetësh zhvillova një intervistë me pronarin e kompanisë më të madhe greke farmaceutike, “Demo”, Dhimitër Demo. Në pyetjen që i bëmë, sa janë ata të interesuar të investojnë në Shqipëri, meqë shteti shqiptar favorizon shumë investimet e huaja dhe krahu i i punës, është nga më të lirët në Ballkan, zoti Demo, për çudinë tonë, u përgjigj prerë: “Nuk na intereson fare të investojmë tani në Shqipëri”. E pyetëm përse dhe zoti Demo na dha këtë sqarim: “Derisa Shqipëria nuk është vend anëtar i BE-së, dhe as kandidat për anëtarësi, nuk na intereson fare të investojmë aty, pasi BE-ja nuk na subvencionon investimet tona. Nuk na favorizojnë ligjet e shtetit, kur vendi nuk është në BE, pasi ajo (BE-ja) financon vetëm investimet në vendet e saj anëtare. Ndaj na intereson të investojmë në Bullgari dhe Rumani, dhe jo në Shqipëri”.  Shqipëria, vendi më deklarues europiandashës dhe amerikandashës, edhe pas 20 vjetëve të tranzicionit demokratik mbetet jashtë, pikërisht për shkak të konfliktualitetit politik. E vërteta e hidhur është se viktima e vërtetë nuk janë politikanët. Sepse ata, në këto 20 vjet, kanë krijuar edhe shtresën e lartë të shoqërisë, janë pasuruar, kanë të gjitha të mirat materiale dhe nuk e kanë ndjerë pasojën e mosintegrimit. Viktima janë shqiptarët, të cilët humbasin nga të ardhurat e tyre qindra milionë euro, të cilat do t’i jepeshin Shqipërisë, nëse do të ishte anëtar i BE-së, nëpërmjet investimeve, subvencioneve e ndihmesave të shumëllojshme parësore dhe indirekte. Elektorati në votën e tij, të 23 Qershorit, pikërisht me votën plebishitare dhënë ASHE-së, dënoi frymën e konfliktualitetit dhe tranzicionin politik. Por, siç duket, ky mesazh i elektoratit është deformuar që në fillim, te sipari i konfliktualitetit, bojkotit, që sjell retë e zeza të mosintegrimit në BE. Shqipëria mbetet shprehje gjeografike e Europës, në fillimshekullin e 21-të, për shkak të konfliktualitetit politik.

Flasin për “Telegraf”

Arjan Starova, ish-zv/ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes

“Është e kuptueshme, se në qoftë se Shqipëria do të ishte kandidate apo anëtare e BE-së, do të kishte ndihma të drejtpërdrejta financiare nga BE-ja. Edhe investimet e huaja favorizohen shumë kur vendi është anëtare apo kandidate e BE-së”.

Marko Bello, ish -anëtar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe atij të Integrimit

Shqipëria nëse do të ishte kandidate apo anëtare e BE-së, do të përfitonte shumë të mëdha financiare nga IPA, do të përfitonte edhe ndihma të tjera indirekte, sikurse janë bursat studimore, por do të kishte kushte më të favorshme për vetë investitorët e huaj, që të investonin në Shqipëri. Sepse për ata, nuk është e mjaftueshme vetëm ligjet favorizuese, apo krahu i lirë i punës.”

Qemal Minxhozi- ish anëtar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe ish-ambasador

“Është e vërtetë që pesha i ndihmesave financiare të drejtpërdrejta  të BE-së për Shqipërinë, do të ishte mjaft e madhe, nëse ne do të ishim qoftë edhe vend kandidat i BE-së. Prandaj, duhet ta kuptojmë domosdoshmërinë e marrjes së statusit kandidat, prandaj politika jonë duhet të lërë interesat e qëllimet partiake dhe të mos pengojë integrimin me bojkote dhe konflikte shterpë. Në integrim shkohet me dialog politik midis të gjitha forcave politike. Ndryshe, do të mbetemi peng i vetvetes”.