Shqiptarët janë faktor i rëndësishëm në integritetin e Malit të Zi

624
Sigal

Zëri i Amerikës: Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta viziton Malin e Zi

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta nisi të hënën një vizitë shtetërore dy ditore në Mal të Zi, me ftesë të homologut të tij malazez, Milo Gjukanoviç. Me rastin e kësaj vizite, në rrugët e Podgoricës janë vendosur flamujt kuqezi për nder të Presidentit të Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite, përveç takimeve me zyrtarët e lartë të Malit të Zi, Presidenti Meta do të vizitojë edhe qytetet ku jetojnë shqiptarët, Tuzin dhe Ulqinin, si dhe do të ndalet në Arqipeshkvinë e njohur të Tivarit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit dje me nderime të larta shtetërore nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Presidenti Meta, në fjalën e rastit, ndër të tjera theksoi se “Shqipëria dhe Mali i Zi i kanë të gjitha motivet, arsyet, por edhe themelet mbi të cilat do të forcohet edhe më tej bashkëpunimi në të gjitha drejtimet. Pavarësisht nga fakti që marrëdhëniet tona janë shembullore, jemi ende nën potencialin real të këtij bashkëpunimi, por kam besim se kjo do të vijë dhe gatishmëria e veçantë e Presidentit Gjukanoviç do t’i japë një shtysë të re të gjitha projekteve tona. Një temë mjaft e rëndësishme e forcimit të bashkëpunimit tonë ka të bëjë edhe ajo me integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Malin e Zi dhe po kështu me respektimin e të drejtave të pakicës malazeze në vendin tonë. Jam krenar për përkushtimin e shqiptarëve këtu në Malin e Zi, që nga pavarësia, që nga shtetformimi dhe në vijimësi për të gjithë mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë forcimit të shtetit të Malit të Zi dhe integrimit të tij euro-atlantik dhe në Bashkimin Evropian. Sepse në këtë mënyrë i kanë shërbyer interesit më të lartë, jo vetëm të Malit të Zi, por në këtë mënyrë i kanë shërbyer edhe forcimit të paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në rajonin tonë.

Presidenti Meta pritet në takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç

Gjatë vizitës shtetërore në Mal të Zi, Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviç. Presidenti Meta vuri në dukje marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe potencialin e madh të bashkëpunimit që kemi përpara si dy vende tashmë edhe anëtare të NATO-s dhe bashkërrugëtuese në integrimin evropian. Presidenti evidentoi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë përgjegjësinë që të përçojnë vlerat më të mira të Aleancës Transatlantike si në planin dypalësh ashtu edhe atë rajonal, dhe se Parlamentet e të dy vendeve duhet të bëhen katalizatorë të këtij mentaliteti të ri rajonal. Kreu i Shtetit i kushtoi vëmendje të posaçme respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, duke inkurajuar nisma ligjore mbështetëse ndaj përdorimit të gjuhës, ruajtjes së simboleve, dhe identitetit kulturor të shqiptarëve si dhe për përfaqësimin e tyre proporcional në nivel qendror dhe lokal, duke i shërbyer bashkëjetesës harmonike në Mal të Zi si dhe bashkëjetesës rajonale. Presidenti vlerësoi qëndrimet dhe rolin që Mali i Zi luan për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, dhe shprehu dëshirën për kontakte më të shpeshta dhe nisma të përbashkëta mes Parlamenteve të dy vendeve tona.