Shqiptarët duan të shkojnë në Evropë, jo në …Jugosllavinë e Re

147

Shqiptarët duan të shkojnë në Evropë, jo në …Jugosllavinë e Re

Jakup B. GJOÇA

Ideja e një “MiniShengenit Ballkanik” e prezantuar nga kryeministri Rama dhe Presidenti Serb Vuçiç u kritikua nga të gjithë shqiptarët, sepse është një projekt i vjetër i idesë së Serbisë së Madhe. I dërguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Mathew Palmer, dje deklaroi se idenë e një “MiniShengenit Ballkanik” e shikon si një veprim pozitiv për rajonin. Palmer: Angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtu-quajturës nisma e minishengenit është shpresëdhënës, është një tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet. Palmer ishte një ndër përkrahësit e ndryshimit të kufijve të Kosovës me Serbinë, të planeve Vuçiç – Thaçi, të cilën tashmë edhe DASH zyrtarisht e ka braktisur këtë ide. Shqiptarët e kanë kundërshtuar idenë e “Minishengenit Ballkanit”, sepse dëshirojnë të shkojnë në Evropë e jo të bëhen vasalë të Jugosllavisë së Re. SHBA-ja ishte mbështetja kryesore e Kosovës për Pavarësi, prandaj, çdo përjashtim i saj nga integrimi i Ballkanit, sikurse u përpoqën Vuçiç dhe Rama në “Minishengenin Ballkanik” është në kundërshtim të interesave edhe të SHBA-së në Ballkan. Dje në disa media u publikua fjalimi i të dërguarit të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Mathew Palmer, të ketë pohuar në Forumin e Davos se zgjedhjet në Shqipëri në 30 qershor u bënë demokratike dhe se SHBA do të përkrahë reformën zgjedhore të hartuar e të miratuar edhe nga ata deputetë që janë protagonistë të dosjes “184”, të vjedhjes dhe blerjes së votave në Dibër. Mirëpo, Palmer u shpreh: “Do të na pëlqente të shihnim përparim, është e rëndësishme që themelet demokratike të Shqipërisë të jenë të fortë, që zgjedhjet të jenë të lira dhe që populli shqiptar ka lirinë të zgjedhë në mënyrë demokratike. Prandaj do na pëlqente të shihnim një dialog që sjell si rezultat një marrëveshje mbi Reformën Zgjedhore që zbaton rekomandimet e OSBE/OHDIR-it dhe një drejtim që çon sërish drejt normalitetit për demokracinë shqiptare. Është detyrë e institucioneve të SHBA, të DASH dhe e ambasadës së SHBA në Tiranë të përgënjeshtrojnë keqpërkthimin me dashje ose pa dashje të fjalimit të zotit Palmer.