Shqiptarët braktisin vendin, Mogherini flet për përparim

590
Zyrtarja e BE-së, në vështirësi për t’u përgjigjur për drogën, çështjen “Tahiri” dhe emigrimin masiv. Flet për suksese dhe nuk komenton skandalet
Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Federica Mogherini dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, janë ndodhur në vështirësi gjatë konferencës së djeshme për shtyp në Bruksel, për t’iu përgjigjur gazetarëve lidhur me trafikun e drogës, rastin “Tahiri” dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Gazetarja Erisa Zykaj e pyeti Mogherinin për çështjen “Tahiri” dhe trafikimin masiv të lëndëve narkotike, pasi zyrtarja e BE-së foli për përparimin, që sipas saj, ka bërë Shqipëria. “Tashmë kemi provat e Prokurorisë së Katanias ku përmendet 5 herë emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Si e vlerësoni ju qëndrimin që mbajti Parlamenti? Nëse Shqipëria ka përparuar kaq shumë si ka mundësi që shqiptarët duan të largohen nga vendi?”, ishte pyetja e gazetares për Mogherinin. Mogherini nuk pranoi të komentojë rastin në fjalë, duke thënë se vijojnë hetimet dhe se nuk është korrekte të flasë dhe të komentojë punën e gjyqësorit. Ajo shtoi se lufta ndaj kultivimit dhe trafikimit të drogës janë prioritete jetike të BE. “Është përmendur fakti që kultivimi dhe trafiku i drogës duhet luftuar me vendosmërinë e duhur, në mënyrë që të bëhet puna e duhur. Nuk mund të komentoj për hetimet që vijojnë, sepse nuk është korrekte për institucionet për një punë të gjyqësorit. E respektoj dhe e admiroj punën e gjyqësorit. Lufta ndaj trafikimit dhe kultivimit të drogës janë prioritete jetike që ne i ndajmë me autoritete shqiptare. Është një vendosmëri. Presim hapa konkretë dhe ky është një kusht për në BE”, deklaroi Mogherini. Të shumta kanë qenë reagimet për shmangien e Mogherinit. Ja si e komentojnë, gazetari Basir Çollaku dhe ish-ministri Ylli Manjani.
Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë
Konferenca e përbashkët për shtyp që zhvilloi shefja e politikës së jashtme në Bashkimin Evropian Federica Mogherini dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, u dha mundësinë gazetarëve të pranishëm të drejtojnë disa pyetje. Por Mogherini pyetjes që lidhej me kanabizimin e vendit dhe skandalin Tahiri, u mundua t’i shmangej, duke përdorur taktikën e përhershme atë të mospërfshirjes në punët e drejtësisë. Reagimet pas këtij momenti kanë qenë të shumta. I menjëhershëm ka qenë reagimi për këtë rast i ish-ministrit të drejtësisë Ylli Manjani. Ai e ka konsideruar të tepërt.

Një nga zërat që ka reaguar menjëherë pas këtyre prononcimeve “as mish e as peshk” është edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Me sarkazmën që e karakterizon ai shkruan në llogarinë e tij në Tëitter, që të mos prisim që zonja Mogherini të reagojë për Tahirin, kur nuk ka reaguar ende për, skandalin e vilës së vartëses së saj Vlahutin, në Tiranë. “Mogherini s’ka reaguar ende për vilën që bleu vartësja e saj këtu, ju prisni të reagojë për imunitetin e Tahirit. Respekt për Erisa Zykon, se na dha mundësinë të kuptojmë zonjën Mogherin, të cilës nuk i interesoi asnjëherë kanabizimi i Shqipërisë!”
Basir Çollaku, gazetar 
“Mogherini dhe disa zyrtarë të BE-së, heshtin kur duhet folur dhe flasin kur duhet heshtur. E tillë ishte deklarata e saj kur dha përgjigje për ngjarjen që ka së paku tre vite që ndodh intensivisht në Shqipëri. A ka diplomatja evropiane dijeni se kanabizimi është një katrahurë me përgjegjës ata që qeverisin? Sigurisht po. Vlahutin duhet ta ketë informuar, raporti i europolit që na rendit në krye të listës për prodhim kanabisi, mendoj se është i besueshëm për zonjën Mogherini. Dhe ta lësh këtë dallgë droge të bëjë ç’të dojë në Shqipëri, të mbështesësh me tepri përgjegjësit e kësaj gjendjeje, nuk është fort demokraci. Më së shumti emocion politik i shtuar për të mos tejkaluar arsyet e mos mbikëqyrjes më serioze që duhej të kishte ndodhur. Dhe Tahiri-Rama, me kanibizimin, janë sinonime, të cilat nuk i ndan dot. Janë aktorë dhe faktorë, janë administratorë të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila e ka bërë Shqipërinë një vendburim emigracioni. Ndryshe nga SHBA, në këtë reagim BE është e squllët dhe tangente në raport me qëndrimin e duhur. Hoyt Brian Yeee tha se duhet mbajtur qëndrim ndaj udhëheqësve të inkriminuar e korruptuar të Ballkanit, nuk duhen lënë të marrin pjesë në eventet ndërkombëtare apo pritur nëpër kancelari evropiane e më tej. Ndërsa Mogherini pret drejtësinë të flasë, pikërisht atë drejtësi të molepsur në korrupsion me politikën. Ndoshta ndërkombëtarët janë ndërgjegjësuar dhe do të jenë më serioz me Shqipërinë, më radikalë në qëndrime konkrete me klasën politike. Ka edhe prej tyre diplomatë që në Shqipëri janë bërë pjesë e korrupsionit. Nëse BE nuk është serioze dhe konkrete ndaj nesh dhe vetes, atëherë po luan komedinë e radhës”.
Sigal