SHQIPËRISË I MUNGON LIDERSHIPI, QË NUK BËN PAZAR/ Intervistë me Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financave. Qeveritë shqiptare kanë bërë që çdo banor duhet të paguajë për PPP-të, pa përfshirë borxhin publik 9100 euro për familje. Interesat kombëtare, koncesionet përtej mandatit, emigrimi i të rinjve dhe padrejtësitë ndaj biznesit

198

Irena Beqiraj, ish-zv/ministre e Financave

 

Qeveria Demokratike së bashku me Qeverinë Socialiste kanë bërë që çdo banor i Shqipërisë duhet të paguajë në të ardhmen, nëpërmjet buxhetit ose tarifave, vetëm për PPP (pa përfshirë borxhin pulbik) 2.300 euro, ndërsa për çdo familje kjo shumë është 9100 euro

 

Shqipërisë i mungon Lidershipi, që nuk bën Pazar me integritetin, ofron modelin, të mëtojë kulturën

 

Jakup B. GJOÇA

Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financës në qeverinë e parë të Rilindjes, në intervistën për gazetën “Telegraf”, jep alarmin e plakjes së Shqipërisë, derisa 50 % e emigrimit tonë janë të moshës 24-34 vjeç, ndërkohë, që popullata mbi 65 vjeç u rrit 12 %. Zonja Beqiraj, si eksperte ekonomike, larg ndikimeve partiake, bën skanerin e Koncesioneve që shumta që janë dhënë, sidomos në 3 vitet e fundit, duke theksuar rreziqet që mbartin, që shkaktohen nga mënyra sesi ato janë dhënë. Së pari, zonja Beqiraj thekson se dhënia e koncesioneve, pasi ato votohen në Parlament, e bën përgjegjësinë kolegjiale, në mënyrë të atillë, që asnjë zyrtar i lartë të mos japë llogari, edhe kur ato dëmtojnë interesat ekonomike e strategjike të vendit. Së dyti, është shumë e vështirë, që koncesionet e tilla, të anulohen, sepse kanë penalitete me kosto të lartë financiare. Së treti, e vetmja mundësi është që të rinegociimi i tyre. Zonja Beqiraj kritikon drejtpërdrejtë politikën e qeverisë, që kërkon të vjelë me çdo kusht detyrimet tatimore, ndërkohë nuk i ka paguar në kohë biznesit TVSH-në e rimbursueshme duke krijuar sërish detyrime të prapambetura . Në këtë rast qëndrimet edhe veprimet e qeverisë (fatkeqësisht të të gjithave ) kanë qenë, siç thotë populli ” bëni si them unë po mos bëni si bëj unë”. Së fundi, zonja Beqiraj thekson se Shqipëria ka nevojë për shumë çka, por pikë së pari ka nevojë për një model frymëzues lidershipi që nuk bën pazar me integritetin dhe ka karakter të fortë.

 

-Zona Beqiraj, përse të rinjtë shqiptarë emigrojnë masivisht dhe kush mendoni se ka përgjegjësi?

– Rreth 50% e emigracionit përbëhet nga moshat e reja 24- 34 vjeç. Emigracioni i shoqëruar me uljen e martesave dhe uljen e lindjeve po çojnë në një plakje eksponenciale të shoqërisë. Nga viti 2015 deri në 2019, popullata mbi moshën 65 vjeç u rrit me 12%. Këto ritme të plakjes së popullsisë do të ngadalësojë rritjen ekonomike në afat të gjatë. Dëgjoj shpesh nga opozita që në Shqipëri ka humbur shpresa. Në fakt, mungesa e shpresës lidhet pazgjithshmërisht me të ardhmen, edhe për rrjedhojë me mungesën e një alternative më të mirë. PD dhe aleatët e saj nuk ngjallin shpresë dhe nuk perceptohen si alternativë. PD dhe aleatët notojnë në pellgun e ndenjur, të palëvizur të propagandës, pa ofruar asnjë mundësi që bind shqiptarët që e nesërmja pa Edi Ramën do të jetë më e mirë. Deri më sot, hulumtoj fjalimet e tyre, por nuk gjej asnjë grimcë plani, apo ideje se cilat janë masat që duhen marrë për të mbajtur rininë në vend, për të nxitur martesat dhe lindjen e fëmijëve? A do vazhdojnë të bëjmë arbitrazh social me çmenduri politike, që kanë fillesën që me qeverisjen e PD, të tilla si “ Universitet për të gjithë “? A kanë menduar ndonjëherë se cilat janë mekanizmat që do të lidhin kërkesën e tregut të punës me edukimin e të rinjve? Nuk është e vështirë të njohësh të mirën, por është e vështirë ta jetësosh atë në vepra. Veprat e mira kërkojnë njerëz me integritet, përgjegjshmëri dhe jo të uritur për pushtet. Nga natyra jam optimiste dhe besoj se shpresa vdes e fundit. Por ajo që ka sosur edhe shpresën e një optimisti si unë, nuk është as pozita edhe as opozita, por të rinjtë e përfshirë rishtazi të debatin publik, të cilët për nga narrativa edhe demagogjia janë vetëm klonime të shëmtuara të liderëve politik aktual. Tanimë është kthyer në zakonshmëri për shqiptarët, që i paafti të paraqitet si i aftë, mëkatari si fanatik, meskini si patriot, arroganti si i sjellshëm, vulgari si elegant, dhe budallai si intelektual. Shqiptarët kanë 27 vjet që shkojnë në kutinë e votimit, jo me shpresën se po zgjedhin një të ardhme me të mirë, por me mendimin e lëkundur se po zgjedhin të keqen më të vogël. Për këtë arsye shpresë humbur po lenë vendin.

– A kanë ndikuar koncesionet e shumta që vazhdon të jep qeveria në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës, apo në përmirësimin e shërbimeve ndaj popullit?

– PPP-të pa frikë mund t’i ti konsideroja “Kalin i betejës së çdo opozitarizimi në Shqipëri“. Kalë të cilin, edhe ne socialistët, nuk kemi përtuar ta përdorin kundër qeverisë së kaluar kur ishim në opozitë, por jo fare çuditërisht, këto 6 vjet që qeverisim jemi treguar po aq të zellshëm, që për sigurimin e të mirës publike të përdorim po të njëjtin mjet. Sot, shuma e kontratave të koncesioneve /PPP -ve të hartuara dhe në proces, duke përfshirë edhe ato të dhëna gjatë qeverisë Berisha, janë 6,6 miliard euro, ose 45% e PBB. Qeveria Demokratike së bashku me Qeverinë Socialiste kanë bërë që çdo banor i Shqipërisë duhet të paguajë në të ardhmen nëpërmjet buxhetit ose tarifave vetëm për PPP ( pa përfshirë borxhin publik ) 2.300 euro, ndërsa për çdo familje kjo shumë është 9100 euro. Por çdo kosto do t’ia vlente barra qiranë, nëse përfitimi do të ishte më i madh se kostoja . Fatkeqësisht, me studimet e fisibilitetit të kryera nga privati asnjë qeveri, as qeveria Berisha e as qeveria Rama nuk i kanë matur apo garantuar dot përfitimet, si zhvillimi ekonomi , punësimi etj. PPP-të më shumë se shkopi magjik ( sipas qeverive) apo dorashkat e hajdutit (sipas opozitave) do t’i krahasoja me bisturinë, e cila nëse përdoret nga kirurgu të shpëton jetën, por nëse përdoret nga një i paditur ta merr atë. PPP janë një mekanizëm kompleks financiar edhe juridik që kërkojnë njohuri të thella për të përcaktuar drejt dhe në mënyrë të pa anshme ndarjen e risqeve dhe përfitimeve midis publikut edhe privatit. Për këtë arsye partnerët dhe konsulentët tanë thërrasin: frenohuni , mendohuni por mbi të gjitha grihni kapacitetet dhe strukturat e nevojshme të vlerësimit të tyre.

– A është normale që një qeveri me mandat 4vjeçar të ngarkojë buxhetin e shtetit me fatura financiare dhjetëra milionë euro që duhet të shlyen në 10, 20, 30 vite?

– Mënyra sesi PPP-të janë trajtuar nga opozita, pozita apo dhe media është një shembull ekzemplar që tregon sesi një gjysmë e vërtetë është më e rrezikshme se një gënjeshtër . Një gënjeshtër zbulohet shpejt, ndërsa një gjysmë e vërtetë mund të na çorientojë e largojë nga rruga e drejtë për një kohë të gjatë. PPP-të duhet të jenë kontrata më shumë se 10 vjeçare që të jenë të suksesshme. Madje edhe strategjitë, politikat apo reformat, që të jenë të suksesshme duhet të shtrihen në afat më të gjatë se 4 vjet. Ndryshe përfundojnë në dogma e demagogji. Për të siguruar zbatimin në afte të gjata ,parakusht i nevojshëm është konsensusi për t’i dhënë prioritet, si dhe për të ngritur kapacitetet brenda administratës, por edhe jashtë saj. Përdorimi i propozimeve të pakërkuara për PPP -të është shembulli më i mirë i mungesës së kapaciteteve. Për të qenë të qartë me publikun, propozimi i pakërkuar do të thotë, që i ka shkuar privatit ndërmend se rruga, shkolla, sistemi i faturës online, skanimi , duhet të jetë prioritet për qeverinë, dhe si i tillë privati me iniciativën e vet harton, vlerëson kostot, ofron financim të pjesshëm apo të plotë për realizimin e projektit si dhe propozon mënyra sesi shteti duhet të shlyejë investimin e bërë nga privati. PPP-të me propozime të pakërkuara janë përdorur si zgjidhje të shpejta. Përveç aftësive menaxheriale që mungojnë në administratë, një tjetër aspekt që ka dëmtuar rëndë aftësitë tona në përgatitjen teknike të projekteve të qenësishme zhvilluese, është shkatërrimi i institucioneve të kërkimit shkencor dhe instituteve të kërkim zhvillimit gjatë reformës së 2007-s. Ky akt thuajse ka zhdukur kërkimin shkencor në Shqipëri, per te cilin në 6 vite qeverisje kemi bërë thuajse asgjë. Sot shpenzojmë vetëm 0.18% të GDP në kërkim zhvillim.

A ka koncesione që janë dhënë në dëm të interesave Kombëtare? Si dhe a ka mundësi që një qeveri pasardhëse të anulojë koncesionet që i quan korruptive apo që janë në dëm të interesave ekonomik të vendit?.

– Në çdo kohë në Shqipëri nuk kanë munguar “gladiatorët e akuzës dhe paragjykimit “që nëse është koncesion apo PPP është thjesht një aferë korruptive edhe në dëm të interesave ekonomik të vendit. Këto gladiatorë e shpallin veten shpëtimtarë që sapo të vijnë një pushtet, do u dalin zot interesave të vendit. Për këdo shqiptar, që ka parë edicionet e lajmeve pas 2008 kjo është një Dejave! Siç përmenda edhe më sipër, për shkak të risqeve financiare dhe juridike që koncesionet dhe PPP-të mbartin, si dhe paaftësisë për t’i matur dhe për t’u mbrojtur nga këto risqe, ka gjasa që kostot ekonomike të shumë PPP dhe koncesioneve, të tejkalojnë përfitimet që rrjedhin prej tyre, duke sjellë kështu dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Për shembull, është pranuar gjerësisht në praktikat ndërkombëtare që, risqet e ndërtimit në një vepër që ndërtohet me PPP duhet të mbeten me partnerin privat. Që kjo të ndodhë, duhet të partneri publik të fillojë pagesat, pasi vepra të ketë përfunduar. Ky rregull nuk është zbatuar dhe ka kontrata të cilat parashikojnë që partneri publik të fillojë pagesat pa përfunduar vepra. Në këto raste, risqet janë në kahun e partnerit publik, dhe si të tilla mund të rëndojnë më shumë nga ç’duhet buxhetin e shtetit. Në përgjithësi kontratat e koncesioneve janë miratuar në Parlament, duke transferuar kështu një pjesë të përgjegjësive nga autoriteti kontraktor tek një organ legjislativ kolegjial, siç është Parlamenti, por edhe duke i “përforcuar “ këto kontrata. Kontratat koncesionare janë “të blinduara”, për sa i përket mbrojtjes së partnerit privat. Edhe në rastet kur mund të vërtetohet, që një koncesion është në dëm të interesave ekonomike të një vendi, nëse kontrata parashikon mbrojtje të mirëmenduar të interesave të partnerit privat edhe është e miratuar në Parlament, mund të konsiderohet thuajse e pamundur për t’u “goditur” në arbitrazhin ndërkombëtar. Duhet të mësojmë nga eksperienca jonë. U çorëm e mund të çirremi sa të dëshirojmë që kur të vijmë në pushtet do prishim kontratat koncensionare, por duhet të kuptojmë që kemi shumë pak mekanizma për ta bërë këtë. Rinegociimi është më i mundshëm. Në vend të këngës absurde opozitare “ lum kush të rrojë ta shoh zonjë “ do ishte më e besueshme dhe më e shëndetshme të diskutohej për kufizimin e fushave ku do të përdoren koncesionet në të ardhmen si dhe ngritjen e kapacitete brenda dhe jashtë administratës për hartimin, dhe mbikëqyrjen e tyre.

Përse dështojnë të ardhurat e planifikuara? Është paaftësia e drejtuesve të Institucioneve të tatimeve e dogana apo ky është përfaqësim i politikës qeverisëse?

Në Dhjetor të vitit 2015 në një debat në komisionet parlamentare kam thënë që “plani i të ardhurave ka qenë është edhe do të jetë ëndrra e një nate vere “ Lajmi morri dhenë dhe aty kuptova se mediat tona nuk e tretnin dot sarkazmin para mesditës. Shpresoj që publiku ti lexojë këto reshta pas mesditës, pasi me dhimbje them që ne buxhetojmë dëshira politike. Po të shikoni tabelat e buxhetit në fund të nëntëmujorit, për 10 vitet e fundit do të gjeni një surplus ( më shumë të ardhura të mbledhura, sesa shpenzime të kryera). Kemi më shumë se një dekadë që menaxhimi i investimeve publike nuk është i kënaqshëm. Kemi probleme serioze që nga vënia si prioritet e deri tek ekzekutimi i investimeve publike. Investimet publike rrallë herë mund të kalojnë 55% të realizimit të tyre në fund të nëntëmujorit. Për një moment, konsiderojeni ekonominë e një vendi si një kompani, ku investitori më i madh që është shteti nuk investon kur dhe ku duhet, por tërheq para nga kompania nëpërmjet taksave dhe tatimeve . Kjo ngadalëson ekonominë, duke mos i dhënë asaj investimet e nevojshme ne kohë, kuptohet duke ndikuar edhe në mbledhjen e të ardhurave. Së dyti nuk përjashtoj problemet me qëndrueshmërinë, kompetencën edhe motivimin e stafit të administratave, ku edhe ndryshimi kaq i shpeshtë i drejtuesve qoftë në Ministrinë e Financave qoftë edhe brenda vetë administratave është i dëmshëm. Dhe së fundi nga njëra anë, me të drejtë qeveria promovon vetëdeklarimin edhe vetëpërmbushjen e detyrimeve tatimore, por nga ana tjetër nuk i ka paguar në kohë biznesit TVSH-në e rimbursueshme, duke krijuar sërish detyrime të prapambetura. Në këtë rast qëndrimet edhe veprimet e qeverisë (fatkeqësisht të të gjithave ) kanë qenë, siç thotë populli “Bëni si them unë, po mos bëni si bëj unë”.

– Për çfarë ka nevojë Shqipëria sot?

– Në fillimet e viteve 1900 Leon Tolstoi ka dhënë një intervistë për “New York Times” në të cilën shpjegonte, se çfarë e bënte Abraham Lincolnin një lider të madh. Sipas Tolstoit: “Ai nuk ishte një gjeneral i madh si Napoloni, as një burrë shteti i shquar sa Frederiku i Madh. Por madhështia e tij konsistonte, në integritetin e karakterit të tij dhe fijet morale të qenies së tij”. Shqipëria ka nevojë për shumë çka, por pikë së pari ka nevojë për një model frymëzues lidershipi që nuk bën pazar me integritetin dhe ka karakter të fortë. Lideri ofron modelin, modeli mëton kulturën dhe kultura përcakton performancën. Nga do ta kthesh kokën majtas, djathtas, anash, nga e djeshmja apo e sotmja ky model lidershipi MUNGON.

– Faleminderit!