Shqipëria vetëmenaxhon fondet e BE, Gjosha-Cani: Faleminderit Brukselit për besimin

396
Sigal

TIRANE – Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, së bashku me Ministrin e Financave Shkëlqim Cani mbajtën një konferencë për shtyp në lidhje më vendimin e Komisionit Evropian që i lejon Shqipërisë të menaxhojë vetë fondet e BE dhe jo nëpërmjet Delegacionit Evropian, sikurse ka ndodhur deri tani. Në fjalën e saj ministrja Gjosha theksoi rëndësinë e këtij vendimi duke shtuar se kjo tregon besimin e Brukselit ndaj qeverisë shqiptare. “Gjithcka u bë e mundur nga nënshkrimi i marrëveshjes që i lejon Shqipërisë të menaxhojë vetë fondet e BE, duke konfirmuar besimin e Brukselit ndaj qeverisë shqiptare. Fillimisht kjo do të testohet përmes projektit ‘IPA 2013’ me një sërë projektesh. Suksesi i arritur sot është në vijim të synimeve të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Kjo arritje vjen pas  plotësimit të një sërë detyrimesh nga ana jonë. Ky sukses është dëshmi e një administrate efiçente. Dua të theksoi se qeveria do të vazhdojë në rrugën e nisur. Besimi i dhënë na bën më të përgjegjshëm në rrugën tonë drejt BE.” tha në fjalën e saj ministrja Gjosha. Nga ana e tij duke folur në konferencë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se, institucioni që ai drejton është “pjesë e suksesit të akredimit të fondeve në strukturat e BE”. “Ky proces është i rëndësishëm pasi bëhemi pjesë e akreditimit. Kjo gjë do të thotë besim dhe kjo gjë sjell më shumë të ardhura dhe vende pune në Shqipëri. Kjo tregon besimin që BE-ja kanë për qeverinë shqiptare. Në këto 6 muaj kam qenë ndërmjetësi kryesor në këto marrëveshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë me BE, FMN dhe BB”, deklaroi ministri Cani. Sipas Ministrit të Financave, “ky vendim nga strukturat e BE, arrihet nga një angazhim maksimal i qeverisë shqiptare dhe në menaxhimin e kontrolleve të fondeve të IPA-s. Tani fondet nuk do menaxhohen më nga Brukseli, por nga shqiptarët”. “Zbatimi do të jetë një sfidë për strukturat e administratës dhe qeveria shqiptare shpreh mbështetjen e plotë ndaj tyre. Dua të falenderoj strukturat e BE-së për mbështetjen e gjithanshme. Shqipëria në të ardhmen do të menaxhojë në mënyrë më të mirë fondet e BE”, përfundoi ministri i Financave, Shkëlqim Cani.