Shqipëria, vendi ku kanabisi gëzon mbështetje politike

508
Nga Philipp Grüll dhe Karl Hoffmann 

Kundër mafies së marijuanës: Aty ku kanabisi dhe krimi lulëzojnë
Një reportazh tronditës i medias gjermane, realizuar në Shqipëri në verën e vitit 2017 dhe transmetuar dje në televizionin publik
Kultivimi dhe kontrabanda e kanabisit është një biznes një miliard dollarësh për mafien shqiptare. Shqipëria është bërë një nga prodhuesit më të mëdhenj të drogës në botë, e favorizuar nga korrupsioni, drejtësia e dobët dhe varfëria e përhapur gjithandej. Nën presionin nga Bashkimi Evropian, qeveria i deklaroi luftë ndaj mafias së kanabisit. Por, a do ketë sukses?

“T’i pastrosh institucionet e korruptuara do të thotë t’i modernizosh ato. Unë besoj se njerëzit sillen ndryshe në sisteme të ndryshme dhe unë gjithmonë përdor një shembull: Asnjë shqiptar që jeton në Gjermani nuk mund të imagjinojë të dalë nga shtëpia, të marrë makinën dhe të ngasë atë pa vendosur rripin e sigurimit. Këtu; nga ana tjetër: do të ishte normale që ne të shihnim gjermanët që të lëviznin pa rrip, prandaj është e rëndësishme të zhvillohet një sistem ku njerëzit ndryshojnë sjelljen e tyre”, thotë Edi Rama, kryeministër.

Në Shqipëri njerëzit janë të varfër në shumë fusha, standardi i jetesës është jashtëzakonisht i ulët, gjithçka mungon. Dhe megjithatë prej disa vitesh në Shqipëri mbizotëron një luks i madh. I financuar nga një industri e paligjshme miliarda-dollarëshe.

“Banesa ime u kontrollua, ata konfiskuan materialet e punës: aparatet fotografikë, kompjuterët e familjes sime që u përkisnin fëmijëve ose mua, dhe kërkonin materiale elektronike, të tilla si USB, kartë memorie të ndryshme të ruajtjes së materialeve, gjithçka që kisha. Madje edhe telefonat nuk i kam edhe sot e kësaj dite; dhe kur familja ime u kërcënua dhe jeta e tyre ishte në rrezik, përfundoi për mua. Tri fëmijët e mi janë më të rëndësishëm se jeta ime, puna ime dhe gjithçka tjetër në botë. T’i mbroja ata është detyra ime njerëzore”, thotë Dritan Zagani, oficer shqiptar i antidrogës.

Kryeministri fillon ofensivën e parë
Marijuanë e kapur/ Fuqia e mafias së kanabisit është e pafund. Por kësaj do t’i jepet fund shpejt – kur është fjala për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai qeveris që nga viti 2013 dhe ka deklaruar zyrtarisht se dëshiron të “pastrojë” gjithçka. Në qershor 2014 pati një konfrontim të parë të hapur midis shtetit dhe mafies – në Lazarat, një fshat në jug të vendit. Sipas fjalëve të tij, Rama fitoi mbi bosët e drogës. Pas pesë ditësh rrethimi të Lazaratit, policia kapi më shumë se 70 ton marihuanë dhe shkatërroi 133,000 bimë, pati një duzinë të arrestuarish. Aksioni u ndërmor, pak kohë përpara vendimit të Bashkimit Evropian, nëse Shqipëria do të bëhej kandidate apo jo për anëtarësim.

Vendi i shkatërruar, prodhimi i drogës vazhdon i pakontrolluar
Natyrisht, bosët e drogës nuk u kapën gjatë aksionit. Vetëm disa fermerë, familjet e të cilëve jetonin me kultivimin e kanabisit, përfunduan në burg. Fshati Lazarat – i quajtur në media si qendra e kanabisit – është sot i shkatërruar. Papunësia këtu është shumë më e lartë se në pjesën tjetër të Shqipërisë – dhe atje është tashmë 14 për qind. Dhe për t’i bërë gjërat edhe më keq, objektivi i zvogëlimit të dukshëm të tregut të drogës qartësisht mungoi. Prodhimi i kanabisit vazhdoi i pa frenuar në vitet 2015 dhe 2016. Këtë vit, qeveria shqiptare njoftoi përsëri një plan veprimi – përsëri nën presionin e BE-së. Vetëm nëse bosët e drogës janë efektivisht të luftuar, mund të ketë negociata për anëtarësim me Shqipërinë. Një punë e vështirë.

Plani i veprimit me buxhet të ulët
Kontroll nga ajri/ Vetëm në muajt e parë të 2017, rreth 20 ton marihuanë u konfiskuan në Detin Adriatik pranë Barit, pika më e afërt midis Shqipërisë dhe Italisë. Po aq sa në vitin 2016 në rajonin e Pulias. Kjo ishte meritë e një njësie prej 200 rojesh të armatosur rëndë të Rojës Bregdetare, ë cilët kërkojnë kontrabandistët që përdorin gomone me motorë të shpejtë.

Kontroll nga deti/ Disa muaj më parë, policia shqiptare gjithashtu filloi të bënte mbikëqyrje ajrore – por me mjetë shumë të varfra. Veçanërisht në zonat e largëta malore kanabisi nisi të kultivohej. Fushat mund të zbuloheshin vetëm nga ajri. Pas rizgjedhjes së suksesshme në muajin qershor, kryeministri Rama dëshiron që më në fund të pastrojë biznesin ilegal të drogës. Viti 2017 duhet të mbahet mend si viti në historinë e Shqipërisë, ku mafias së kanabisit i erdhi fundi.

Hetime serioze?
E gjitha kjo duket si një ofensivë e madhe. Por jo të gjithë besojnë në seriozitetin e tyre. Ata që ishin shumë të zellshëm kundër mafies së drogës patën probleme me udhëheqjen e policisë dhe duhet madje në fund të iknin nga Shqipëria – si oficeri i antidrogës Dritan Zagani, i cili ishte në ndjekje të një çështjeje të nxehtë të kanabisit. Tani ai jeton në Zvicër në azil. Kjo do të thotë që edhe oficerë të lartë të policisë janë të përfshirë në trafikun e drogës.

Tregu i kanabisit mbetet i pakontrollueshëm
Djegia e kanabisit/ Megjithatë, plani i veprimit më i fundit i qeverisë duket se ka pasur sukseset e tij të para. Fotot e fundit të ajrit tregojnë një hapësirë më pak të kultivuar të kanabisit. Por kjo – për njohësit e problemit – është më tepër për shkak të stoqeve të mëdha të mafias. Kështu, policia vazhdon të arrestojë veçanërisht fermerët e vegjël – hallka më e dobët në zinxhirin e drogës. Paratë e mëdha bëhen nga mbështetësit. Dhe ata nuk janë kapur. Në fakt, shtrirja e plotë e tregut shqiptar të kanabisit nuk është e menaxhueshme.

Një problem politik
Kanabisi dhe Shqipëria – kjo është historia e fermerëve të varfër, mafias dhe korrupsionit. Por mbi të gjitha, kanabisi është këtu një çështje politike. “Kanabisi ka lindur në Shqipëri si një problem politik, ka mbetur një problem politik dhe ka pasur mbështetje politike. Është luftuar apo toleruar, e varur nga llogaritjet politike dhe zhvillimi i vitit të kaluar dëshmon edhe njëherë se kanabisi është i lidhur fort me politikën. Nëse sasi të mëdha të kanabisit u prodhuan në Shqipëri vitin e kaluar, kjo ndodhi sepse situata politike lejoi këtë fenomen”, nënvizon Artan Hoxha, gazetar. Sipas tij, fakti që policia greke dhe italiane kap mesatarisht një ton kanabis çdo ditë, nga janari deri në mesin e majit, tregon shtrirjen e vërtetë të kultivimit gjatë vitit të kaluar. “Përveç kësaj, është interesante të theksohet se përkundër sasive të mëdha të kanabisit të konfiskuara, vlera në treg e kanabisit nuk ka rënë. Kjo do të thotë se sasia e kanabisit që shkon drejt Bashkimit Europian mbetet kuptimplotë”, shprehet Artan Hoxha. 

Shënim
Dokumentari me titull: “Kundër mafies së marijuanës: atje ku kanabisi dhe krimi lulëzojnë” u shfaq dje nga televizioni publik gjerman me qendër ne Munih. TV Bavaria (BR) është pjesë e rrjetit publik të Gjermanisë, ARD. Xhirimet janë kryer në verën e 2017-ës, pa shpërthyer ende çështja “Habilaj”.
Sigal