Shqipëria sërish zhgënjen/ Prof. Arben Malaj: 9 Maj 2019, njollë e zezë në CV e disa politikanëve. Jemi të dytët në botë për mërgimtarë

803
Sigal

9 Maj 1950, Evropa e Bashkuar thellësisht frymëzuese

 

9 Maj 2019, Shqipëria sërish zhgënjyese

 

Prof. Dr. Arben Malaj

 

“Nuk do ju flas për Italinë, por për Evropën dhe jo për Evropën e djeshme apo të sotme, por për Evropën e së nesërmes, për atë Evropë që duam ta mendojmë, ta përgatisim dhe ta ndërtojmë”,

Alcide de Gasperi 1945-1953

Një prej baballarëve themelues të BE-së

 

Pse 9 Maj 2019 nuk është për Shqipërinë dhe shqiptarët siç vazhdon të jetë 9 Maj 1950 për evropianët? Sepse edhe sot, në 9 Maj 2019 në Shqipëri, ndoshta më ashpër se dje, po shohim sërish një luftë të ashpër ndër-partiake të politikanëve tanë, pa vizionin, frymëzimin dhe përkushtimin e baballarëve themelues të projektit dhe realiteti të paqes, harmonisë dhe prosperitetit në Evropën e Bashkuar. Një projekt që nisi me 6 vende themeluese ku u bashkuan fitimtarët dhe të humburit e Luftës së Dytë Botërore, ku u përfshinë Franca, Gjermani, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu me rreth 175 milionë njerëz. Sot Evropa e Bashkuar nën frymëzimin e vlerave më të mira të demokracisë, me ekonominë e dytë më konkurruese në botë dhe me statusin e donatorit më të madh në botë për ndihma humanitare dhe kundër konflikteve dhe sëmundjeve të shekullit, si dhe me nivelin e dytë më të lartë të të ardhurave për frymë, përfshin sot 28 vende. Tregu i saj i përbashkët përbëhet nga 514 milionë banorë. Një arritje e jashtëzakonshme e projektit të Shteteve të bashkuara të Evropës (SHBE), ide e frymëzuar nga Churchill, është Banka Qendrore Evropiane, e themeluar në Janar 1999, ku sot bëjnë pjesë 19 shtete anëtare nga 28 vende të BE-së, të cilët kanë dorëzuar vullnetarisht sovranitetin mbi monedhën kombëtare dhe politikat monetare, duke krijuar të parin institucionin federativ në arkitekturën e qeverisjes ekonomike të BE-së. Eurozona, përfshinë rreth 70 % të popullsisë së BE-së, ose rreth 341 milionë banorë ku të ardhurat për frymë janë rreth 33.900 euro ose rreth 38.000 dollarë amerikanë.

Ky projekt i BE-së që lindi mbi gërmadhat e përgjakura të miliona të vrarëve dhe të plagosurve, ka sot në këtë përvjetor rreth 74 vite që ka garantuar paqe dhe mirëqenie duke eliminuar konfliktet dhe luftërat. Ndërsa, në 9 Maj 1950 humbësit dhe fituesit e dy luftërave botërore nën përgjegjësinë e largimit të konflikteve dhe luftërave u bashkuan, u betuan, u përkushtuan dhe krijuan një prej kontinenteve më paqësorë dhe progresistë në botë, politikanët tanë që evropiane kanë vetëm sjelljen sipërfaqësore por jo vizionin, shpirtin dhe përkushtimin e tyre, ushqejnë përditë konflikte dhe krizat. 9 Maj 1950 është një ditë e veçantë në historinë e Evropës, është hapi i parë, guri i parë i themelit të këtij projekti të suksesshëm për më shumë se 70 vite, ishte dita e konceptimit dhe më vonë e lindjes së tre institucioneve të para të Evropës së Bashkuar, për të garantuar paqen dhe mirëqenien përballë varfërisë dhe skamjes që solli nacionalizmi i sëmurë, i cili, fatkeqësisht, po shfaqet si re e zezë mbi horizontin BE-së.

9 Maj 1950 është një ditë e veçantë edhe për ne, për të ndarë shpirtin dhe përkushtimin evropian të liderëve politike nga mungesa e vizionit, qartësisë edhe përkushtimit për ta konsoliduar paqen në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet rritjes së mirëqenies, kohezionit dhe përgjegjësisë sociale. Pikërisht, në 9 Maj 1950 shtetet ndërluftuese evropiane, edhe pse kishin luftuar deri në vdekje kundër njeri tjetrit, nën peshën e përgjegjësisë për fëmijët dhe vendet e tyre lanë pas të shkuarën dhe u përkushtuan për të ardhmen. Rreth 78 milionë të vrarë dhe të plagosur prodhoi Lufta e dytë botërore dhe rreth 40 milionë të vrarë dhe të plagosur prodhoi Lufta e Parë Botërore, të dyja bashkë rreth 110 milionë. Ka vende që humbën deri 12-16% të popullsisë se tyre dhe serish nuk mbeten viktima të luftërave, por u shndërruan vizionarë të përkushtuar të paqes dhe prosperitetit në gjirin e BE-së. Çfarë po ndodh në atdheun tonë, luftë e përhershme ndërpartiake që, edhe pse nuk ka prodhuar viktima fizike, ka prodhuar “shumë të vrarë dhe të plagosur ” në shpresat për të ardhmen dhe përkushtimin e tyre. Çfarë kërkohet më shumë midis shqiptareve që politikanët tanë të kuptojnë, se misioni i tyre nuk është mbijetesa nëpërmjet konflikteve dhe luftërave politike, por ndërtimi dhe garantimi i paqes sociale dhe eliminimi i krizave të përhershme të besimit, krizave ekonomike, sociale, buxhetore dhe politike. Kostot njerëzore më të mëdha, të “të vrarëve dhe të plagosurve shpirtërisht” nga luftërat ndërpartiake të përhershme, të cilat do të na rëndojnë rëndë dhe për kohe jo të shkurtër janë:

  • humbja e shpresës.
  • rritja e zhgënjimit,
  • braktisja e vendit.

Politikanët e Shqipërisë por edhe politikanët shqiptare në përgjithësi në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, të prekur nga të njëjtat sëmundje politike, por ndoshta jo në përmasat që ka lufta ndër-partiake në Shqipëri, e materializuar në grindjet dhe krizat permanente sot, në 9 Maj 2019 kishin një mundësi jo të lehtë të vërtetojnë me prova reale, me marrëveshje konkrete mbipartiake që në shpirt dhe angazhimet e tyre janë evropianë të përkushtuar apo “partizanë partiakë heroikë të përbetuar” qoftë edhe duke vazhduar të vrasin dhe dëmtojnë rëndë të ardhmen progresiste të vendit të tyre. Le të shpresojmë që larg deklaratave përbetuese, sidomos përballë te huajve, se janë evropianë, këta politikanë të kenë arritur të kuptojnë se evropianizimi real i vetvetes dhe vendit të tyre nëpërmjet vizionit dhe përkushtimit për paqen dhe mirëqenien është mundësia e vetme për të mirën e shqiptarëve. Ndërsa opsioni i dytë ai nacionalistit dhe populistit është mundësia më e mirë vetëm për mbijetesën e tyre nëpërmjet parimit “përça e sundo”. Por ky është SUNDIM ne kurriz të shqiptarëve që i kanë votuar të gjitha partitë politike, por që jo pak prej tyre me dështimet dhe krizat e përhershme po u vrasin të sotmen dhe të ardhmen fëmijëve dhe vendit të tyre.

9 Maj 1950 do të mbetet përherë frymëzuese, ndërsa 9 Maj 2019 i Shqipërisë me ngërçet dhe krizat ku jeton do të mbetet një njollë e zezë në CV-të e disa politikanëve.