Shqipëria rrezikon përplasjen civile

568
Sigal

Kancelari i Austrisë Kurz dha dorëheqjen, sepse nuk erdhi në pushtet për karrigen e tij. Në Shqipëri tensionet mund të na sjellin 199-n për karrigen e Ramës. Ish-ministri Bushati apel Kryeministrit: Duhet përgjegjshmëri politike! Morali i publiikimeve në Austri dhe etiketimi i VOA-s si “kazan” prej Ramës pas zbardhjes së përgjimeve të dy dosjeve të famshme

Kancelari i Austrisë dha dorëheqjen, sepse nuk erdhi në pushtet për karrigen

 Shqipëria në prag të përplasjes civile për karrigen e kryeministrit

Jakup B. GJOÇA

Kancelari austriak Sebastian Kurz bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së zëvendës kancelarit, që i dha fund koalicionit të tij qeverisës. Në fjalën e dorëheqjes kancelari austriak Kurz, midis të tjerave, tha: “…Unë nuk erdha në pushtet për karrigen time. As për të përmbushur një ego. Erdha për të dhënë ndihmesën për Austrinë por, unë nuk mund të qëndroj në pushtet në këtë situatë, prandaj, sot, jap dorëheqjen dhe thërras zgjedhje të parakohshme”. Zëvendës kancelari austriak, Heinz Christian Strache, ka dhënë dorëheqjen pas publikimit të një incizimi sekret, ku shihet duke i ofruar një përfitueses ruse kontratat e qeverisë, në këmbim të mbështetjes politike. Dorëheqja e tij vjen pas publikimit të një incizimi nga gazeta “Der Spiegel”, ku shihet duke i ofruar kontrata qeveritare një gruaje që paraqitet sikur është investitore e pasur nga Rusia. Kjo ngjarje kishte ndodhur më 2017-n në Ibiza, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare në Austri, ku Strache u emërua zëvendës kancelar.

Antiteza në Shqipëri: Kryeministri cilëson VOA-n “Kazan”, pse publikoi zbardhjen e auto-përgjimeve

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë 2 dosje, 339 dhe 184, që “Zëri i Amerikës” ka zbardhur para pak javësh, një zbardhje të disa biseda të zyrtarëve të lartë me persona të botës së krimit gjatë fushatës elektorale të 2017-s, ku bëhen fjalë për blerjen e votës. Këto zbardhje u bënë shkak që opozita të dorëzonte mandatet e deputetëve, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, pasi ky parlament nuk është më legjitim, pasi është blerë vota e mandateve të deputetëve. Mirëpo, kryeministri Rama asnjëherë nuk ka pranuar që auto-përgjimet e dosjeve 339 dhe 184 janë fakte të mjaftueshme, madje para 3 ditësh, në një intervistë televizive, kryeministri Rama u përgjigj se ato audio-përgjimet nuk mund të përbëjnë fakte që të merren masa ndaj zyrtarëve. Madje, kryeministri Rama e cilësoi “Kazan” edhe VOA-n, e cila publikoi zbardhjen e disa bisedave që dëgjohen në audio-përgjimet e dosjeve 339 dhe 184 të prokurorisë së Krimeve të Rënda. Qëndrimi i kryeministrit Rama është në antitezë të plotë me qëndrimin e kolegut të vet austriak, Sebastian Kurz, i cili menjëherë dha dorëheqjen dhe Austria do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi u publikua videoja e zv. kancelarit të tij, se premtoi të jepte kontrata qeveritare një biznesmeneje, në këmbim të ndihmave ekonomike për fushatën elektorale, madje, pa pritur as që prokuroria të fillonte hetimet, as që opozita austriake ta kërkonte dorëheqjen e qeverisë. Në antitezë me kancelarin austriak, kryeministri Rama, duke mos dhënë dorëheqjen pas zbardhjes së bisedave të audio-përgjimeve të dosjeve 339 dhe 184, po e zhyt Shqipërinë në krizë të thellë politike, e madje edhe më kaq. Shqipëria është më afër se kurrë në një përplasje civile, për shkak të qëndrimit të kryeministrit Rama, i cili kërkon që të zhvillojë, në 30 qershor 2019 zgjedhje vendore pa opozitën, ndërkohë që opozita deklaron e vendosur, që do të pengojë me ço formë zgjedhjet vendore. Kancelari austriak dha dorëheqjen, sepse, sikundër deklaroi, nuk erdhi në pushtet për karrigen e vet, ndërsa kryeministri Rama, e çon Shqipërinë në përplasje civile për karrigen e vet.

“Zëri i Amerikës” për dosjen 339: Në audio përgjime kanë dalë emra gjyqtarësh, prokurorësh dhe zyrtarësh të tjerë

“Zëri i Amerikës” në një shkrim të publikuar bën me dije se Prokuroria e Krimeve të Rënda po vazhdon hetimet lidhur me dosjen 339, e cila ka audio-përgjimet që janë bërë gjatë fushatës elektorale të 2017. Siç, bëhet me dije, javën e kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u thirr një dyshimtar, kryetar bashkie, emri i të cilit përmendet në audio-përgjimet. Prokurorët vazhdojnë të zbardhin volume të tëra përgjimesh telefonike mes pjesëtarëve të grupit, që, sipas prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, janë regjistruar në gjithsej 700 kompakt disqe. Në përgjimet voluminoze, krahas emrave të lakuara, të cilat tashmë janë bërë publike, jo zyrtarisht, mësohet se u kanë dalë emrat edhe disa zyrtarëve të tjerë të pushtetit vendor, si dhe disa gjyqtarë e prokurorë, të cilët mund të pyeten në vazhdim të hetimeve. Gjykata e Krimeve të Rënda refuzoi sërish kërkesën e njërit prej të arrestuarve, Altin Avdyli, i njohur me nofkën Niçja, i cili u mbajt në arrest me burg. Gjatë operacionit ‘Vol-Vo 4’ u arrestuan 74 persona, të cilët nga hetimet kanë kryer disa vepra penale si trafik droge, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe ndërhyrje të paligjshme në procese zgjedhore.