Shqipëria rifutet në “listën e zezë” për financime dhe investime të huaja

569
Sigal

MONEYVAL është mekanizmi i përhershëm monitorues i Këshillit të Evropës, me 47 anëtarë, që raporton drejtpërdrejtë pranë Komitetit të Ministrave dhe ka detyrën e vlerësimit të përputhshmërisë së shteteve me standardet ndërkombëtare për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe bën njëkohësisht vlerësimin e masave efektive për implementimin e këtyre standardeve. Disa javë më parë, u mbaj në Strasburg Seanca e 56-të Plenare e Komitetit të Ekspertëve të Vlerësimit të Luftës për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL), ku u përfundua vlerësimi i Shqipërisë dhe Letonisë. Ndërsa publikimi i Raportit të Shqipërisë duket se do të vonojë, lajmi i futjes së Shqipërisë nën vëzhgim për mospërmbushje të garancive dhe standardeve që kërkon lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit u konfirmua gjatë seancës plenare. Në Raport dhe komentet e delegacioneve përfaqësuese të shteteve anëtare; korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e hetimeve efikase nga ana e prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese për luftën kundër financimit të terrorizmit, ekonomia informale dhe mungesa e kontrollit të Bankës së Shqipërisë mbi subjektet që licencon, ishin arsyet që bënë Shqipërinë të rifutet në “listën e zezë”. Tashmë, FATF do të monitorojë nga afër vendin, për një periudhë kohore dhe, nëse nuk përmbushen masat e rekomanduara, Shqipëria do të vijojë të konsiderohet vend i pasigurt për investimet e huaja. Penalizimi i rëndë dhe dëmi i ardhur interesave të shtetit shqiptar, po mbahet i fshehtë nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, dhe Bankën e Shqipërisë, që manipuloi me qëllim të dhënat dhe statistikat e raportuara ekspertëve të huaj vlerësues, të cilët gjatë vizitës në terren, konstatuan mospërputhje të shifrave dhe të dhënave që kishin administruar zyrtarisht. Nuk dihet ende, nëse kjo situatë u shkaktua nga papërgjegjshmëria apo u bë me qëllim të qartë për përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve jo të sigurta, dhe përdorimin e rekomandimeve të ekspertëve të Këshillit të Evropës si pretekst për ndryshime ligjore dhe organizative, për përforcimin e kompetencave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, së bashku me ato të Bankës së Shqipërisë. Pasojat janë më se të qarta. Një sërë penalitetesh financiare e presin Shqipërinë, duke e shënjuar sot si një parajsë për pastrimin e parave në zemër të Evropës. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, prej kohësh nuk kryen funksionin që i ka ngarkuar ligji.