Shqipëria ribëhet me Gjykatë Kushtetuese

165

Tre anëtarët më të rinj të Gjykatës betohen para Presidentit të Republikës duke i hapur dyert institucionit më të lartë kushtetues në vend. Procesverbali i Komisionit të Ligjeve, vendimmarrja për radhën e zgjedhjes së anëtarëve, arsyetimi i ekspertëve të kushtetueses dhe rasti unikal i betimit tek noteria…

Tre anëtarët e Gjykatës Kushtetuese betohen para Presidentit të Republikës.

Ilir Meta: I lumtur që Gjykata filloi nga funksionimi

Elsa Toska, bëhet anëtarja e dytë e Gjykatës Kushtetuese pas Besnik Muçit që bën betimin para Presidentit. Ceremonia u zhvillua në orën 19:00 të mbrëmjes së djeshme në Presidencë. Duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, gjyqtarja Toska u betua para Presidentit Meta: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!” Pas saj vijuan betimin Fiona Papajorgji dhe më pas Marsida Xhaferllari. Kjo e fundit është plotësimi i vakancës së dytë të Presidentit që zëvendëson ish-gjyqtaren, Altina Xhoxhaj. Elsa Toska së bashku me Fiona Papajorgjin u zgjodhën nga Kuvendi, ndërsa Marsida Xhaferllari është dekretuar nga Presidenti si anëtare e Gjykatës Kushtetuese

Legjitimohet dekreti për Xhaferllarin/ Anëtarët dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kushtetueses në Presidencë

Në ceremoninë e betimit të Marsida Xhaferllarit, në plotësim të vakancës së dytë të Presidentit për Gjykatën Kushtetuese, ishin të pranishëm edhe të tjerë anëtarë të kësaj gjykate, por edhe Sekretari i Përgjithshëm. Anëtarja e sapobetuar, Elsa Toska ka qenë prezent gjatë betimit të Xhaferllarit para Presidentit, bashkë me anëtarët e tjerë, Vitore Tusha dhe Besnik Muçi. Prezenca e të gjithë anëtarëve në detyre të Gjykatës Kushtetuese dhe e vetë Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, duket se legjitimon zgjedhjen dhe veprimin e bërë nga Presidenti i Republikës, duke refuzuar në këtë mënyrë thirrjen që Kuvendi bën për të mos e njohur dekretin e Metës për Marsida Xhaferllarin. Tashmë zyrtarisht pas betimit, Gjykata Kushtetuese ka në detyrë 5 anëtarë: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. Përbërja aktuale nuk e bën ende funksionale Gjykatën Kushtetuese, e cila për të funksionuar duhet të ketë në detyrë minimumi 6 anëtarë.

Presidenti Meta i buzëqeshur në mes të anëtarëve të Kushtetueses: I lumtur që Gjykata filloi nga funksionimi

Pas betimit të tyre reagoi Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh: I lumtur që më në fund, pas dy vitesh, fillon sot nga funksionimi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë! Urime tre anëtareve të reja të kësaj Gjykate, znj.Elsa Toska, znj. Marsida Xhaferllari dhe znj. Fiona Papajorgji!- shkruan Presidenti Meta, në rrjetin e vet social.

Presidenti Meta: Ndërkombëtarët, sytë tek xhepi i tyre. Kuvendi bllokoi Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta ka sulmuar Kuvendin, ndërsa theksoi se ky institucion ka dhunuar Kushtetutën dhe qëllimisht e ka lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese. Në një intervistë për ‘Opinion’ kreu i shtetit bëri dhe një deklaratë të fortë, ku pavarësisht se nuk përmendi emra tha se, ‘Ata nuk i kanë sytë të kushtetuta, por te xhepi i tyre’.

Blendi Fevziu: Mazhoranca ka përgatitur një projektrezolutë që pritet ta kalojë nesër në një seancë të jashtëzakonshme.

Ilir Meta: Po ta kalojë, çfarë shqetësimi kam unë.

Ku thotë që Kuvendi i Shqipërisë dhe Gjykata Kushtetuese dhe gjithë organet publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionit të Gjykatës Kushtetuese, të zbatojnë me përgjegjshmëri detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë dekretin e presidentit numër 11.350 të datës 13 nëntor. Pra, Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Komisionit Hetimor për shqyrtim kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e presidentit, pra do e quajnë dhe këtë shkelje për të çuar në shkarkim.

Ilir Meta: Më bëjnë nder të madh me gjithë këto shkelje që po më ngarkojnë, unë të gjitha veprimet i kam bërë para qytetarëve shqiptarë. Të gjithë e dinë sot se çfarë përfaqëson sot Kuvendi i Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Çfarë përfaqëson Kuvendi?

Ilir Meta: Përfaqëson kulmin se si nuk duhet të jetë një institucion që duhet të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptarë.

Blendi Fevziu: Është i njëjti Kuvend që ju zgjodhi juve president në mungesë të opozitës dhe vetëm me votat e së majtës.

Ilir Meta: Ka dhunuar Kushtetutën dhe qëllimisht e ka lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese që bllokoi KED e parë në 2017-n dhe që bllokoi KED në 2018-n, pse? Sepse nuk i pëlqenin emrat nga shorti sipas ligjit që kishte bërë vetë, por donte të vinte Dvoranin në krye të KED për të bërë veprime mafioze.

Blendi Fevziu: Çfarë qëndrimi mbajnë ndërkombëtarët?

Ilir Meta: Unë këtë Kushtetutë e kam bërë me ndërkombëtarët. Le të vijë një ndërkombëtar këtë e të më thotë se nuk e kemi bërë në këtë mënyrë. Cilët ndërkombëtarë? Ata që nuk i kanë sytë të kushtetuta, por te xhepi i tyre. Ka ndërkombëtarë seriozë e me dinjitet. Ka ndërkombëtar si zonja Glover, që i tha të vërtetën gjithë botës, se si çfarë ishin zgjedhjet farsë të 30 qershorit.

Ilir Meta për aferën tek Unaza: U arrestuan banorët, por recepsionisti i “DH Albania” nuk arrestohet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u pyet gjithashtu për Prokuroren e Përgjithshëm. Ai u shpreh se zgjedhja e kryeprokurores së përkohshme me 69 vota, ka qenë një rrugë e gabuar dhe këtë e dëshmojnë shumë çështje, si për shembull, hetimet për aferën e “Unazës së Madhe”, ku janë arrestuar shumë banorë të Astirit për shkak të protestave, por nuk arrestohet administratori i “DH Albania”, Avdjol Dobi. “Sa njerëz kanë hyrë bë burg atje tek Unaza, që unë i njoh një pjesë se i kam pasur komshinj. Por, recepsionisti nuk është arrestuar. Që në momentin që hyri në atë rrugë prokuroria, që u zgjodh në mënyrë anti kushtetuese, ka qenë rrugë e gabuar”.

Datë të re zgjedhjesh në Shkodër dhe Vorë?! ‘Të shkojnë te berberi, meqë tani shkojnë te noteri’

Presidenti Meta i pyetur për një datë të re për zgjedhjen e kryebashkiakëve në Vorë dhe në Shkodër, zgjodhi të përgjigjej me një batutë, duke thënë se duhet të shkojnë te berberi, pasi shkuan te noteri. “Ata tani shkojnë tek noteri, të shkojnë tek berberi. Presidenti vepron vetëm në përputhje me Kushtetutën”, tha Presidenti Meta. Meta tha se qeveria kërkon me ngulm të ketë Presidencën, sepse i duhen disa firma. “Ne kemi një grupim që kërkon të kapë të gjithë shtetin. Shikoje parlamentin si e ke sot, shikoje pushtetin lokal si e ke sot. Shikoje prokurorinë si e ke sot. Kemi një problem, e duan ata dhe presidentin. Jo vetëm që të mos i krijojë këto shqetësime, por e duan që dikush aty të hedhë ca firma. Deri në 24 korrik 2022 këto firma në atë zyrë nuk hidhen. Ata duan nja dy firma aty, si firma e atij kryetarit të KED. Se kanë dhe ca detyrime ndërkombëtare ata. Ka nja dy tre firma që duhen”, tha kreu i shtetit Ilir Meta.

Presidenti: Rama ta harrojë, se do jem noteri i tij

Presidenti Meta tha mbrëmë se sa kohë të jetë në detyrë, Rama duhet ta harrojë se do të jetë noteri i firmave të allishverisheve të kryeministrit. ‘Rama kërkon një President që të hedhë nja 2-3 firma në atë zyrë për të hedhur në erë interesat e shqiptarëve dhe interesat e kombit. Ta harrojë! Sa të jem unë në atë zyrë deri në 24 korrik 2022 ato firma nuk do hidhen. Do vijë koha të flas dhe çfarë firma kërkohen. Por e përsëris, ta harrojnë që unë do t’i hedh ato firma!’

Presidenti Meta ‘shpërthen’ kundër kreut të KED: Kujt po i kërcet për fletoren e Dvoranit

Presidenti Ilir Meta ka reaguar mbrëmë sërish kundër kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, duke thënë se ka bërë akte mafioze me publikimin ne Fletoren Zyrtare të emrit të Arta Vorpsit. I ftuar në emisionin “Opinion”, Meta tha se nuk e njeh Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Kur u pyet nga Blendi Fevziu se a përbën problem sepse Vorpsi është publikuar në Fletoren Zyrtare, Presidenti Meta tha: “Kujt po i kërcet për fletoren e Dvoranit. Shteti ka Kushtetutë ka mbaruar kjo histori”. Më tej, Presidenti Meta tha se, nuk është serioze se ajo është betuar tek noterja.

Presidenti Meta: Nuk kam frikë as nga Rama, as nga SPAK, as nga “Uliksi”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thotë se qeveria ka si synim të kapë institucionet e reja të drejtësisë dhe sidomos Gjykatën Kushtetuese. Presidenti Meta tha se nuk ka asnjë frikë për shkak të veprimeve që ka marrë. “Nuk kam frikë unë. Të kem unë frikë nga Edi Rama?! SPAK? Po lërini këto marrëzira. Nuk kam unë asnjë frikë. As nga Ulsiu (Manja) që ma keni bërë si Uliksi. Kaq mirë po ecin gjërat në reformën në drejtësi sa dhe Shqipëria po shkon kaq poshtë. Raporti i Doing Bussines tregon se Shqipëria ka rënë 19 vende vetëm për shkak të këtyre reformave. Sa herë vjen një diplomat këtu që do të marrë dieta dhe paga duhet që unë të besoj çfarë thonë ata? Unë kam ligjin dhe Kushtetutën” – tha Meta.