Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave. Tahiri është ‘peshk i madh’. Xhafaj duhet të largohet

650
Sigal

Dr. Johann David Wadephul zv. Kryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag

Dr. Johann David Wadephul zv. Kryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag, përgjegjës për politikën e Jashtme, të Sigurisë dhe Këshillin e Evropës, dhe Kreu i Grupit të Punës për Ballkanin Perëndimor ka folur në një intervistë për opinion.al.

-Në Shqipëri është perceptuar skepticizmi i Bundestagut për hapjen e negociatave. Me çfarë është lidhur kryesisht ky qëndrim e parlamentarëve gjermanë?

– Ne duam që Shqipëria të mund të fillojë sa më parë negociatat e anëtarësimit. Në marrëveshjen e koalicionit mes CDU / CSU dhe SPD është shumë e qartë: “Kushti për hapjen e negociatave për anëtarësim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin plotësisht kriteret e duhura”. Por kjo nuk ka ndodhur as në reformën në drejtësi, as në luftën kundër korrupsionit – veçanërisht korrupsion të rangut të lartë – as në luftën kundër krimit të organizuar. Pra, në asnjë nga kriteret kryesore.

– Atëherë, çfarë tjetër duhet bërë përpara se negociatat e anëtarësimit të mund të fillojnë me hapjen e kapitujve të parë negociues?

– Së paku, duhet të përfundojë plotësisht verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të fillojë puna dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatave të instancave të larta dhe SPAK -ut. Zyrtarë të lartë në ministritë dhe drejtoritë e administratës publike u rekrutuan direkt pa konkurs, në kundërshtim me ligjin e shërbimit civil. Kjo është thyerje e ligjit dhe duhet të korrigjohet. Përveç kësaj, që nga viti 2013, OSBE dhe BE kanë kërkuar reformë zgjedhore, por asgjë nuk ka ndodhur, që atëherë – kjo është një shpërfillje e madhe ndaj OSBE dhe BE! Parlamenti shqiptar duhet të miratojë reformën zgjedhore. Ky është një kusht i domosdoshëm për ne deputetët, në mënyrë që të mund të votojmë pro hapjes së negociatave.

– Mendoni se qeveria e Edi Ramës ka punuar mjaftueshëm për të plotësuar kushtet e vendosura nga Brukseli?

– Në realitet, shumë pak është bërë: Korrupsioni mbetet ende një problem në të gjithë sektorin e drejtësisë. Ligjet ekzistuese dhe procedurat për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar janë aplikuar shumë më pak në mënyrë strikte ndaj zyrtarëve të lartë dhe politikanëve sesa ndaj zyrtarëve të mesëm dhe të ulët dhe ndaj qytetarëve të zakonshëm. Kështu që “peshqit e vegjël” u kapën dhe u dënuan, “peshqit e mëdhenj” mundën të depërtonin jashtë rrjetës. Këtu kemi të bëjmë me shpërfilljen e një kushti themelor të sundimit të ligjit, i cili është trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve para ligjit. Për aq kohë sa kemi të bëjmë me një shkelje të hapur të parimeve themelore të sundimit të ligjit të BE-së, kapitujt negociues nuk mund të hapen.

– Mendoni se drejtësia dhe instrumentet e saj janë ndikuar nga qeveria për Saimir Tahirin?

– Çështja Tahiri është një “peshk i madh”. Në këtë çështje kemi të bëjmë deri sot me shkelje të hapur të parimeve themelore të shtetit ligjor. Kjo çështje është një pengesë reale për hapjen e negociatave. Nëse ambasadori amerikan Donald Lu hedh akuza kaq të forta, atëherë duhet ta marrim këtë shumë seriozisht, sepse ambasadori Lu deri tani nuk ka rënë në sy si mik i opozitës.

– Ndërkohë edhe ministri aktual i Brendshëm është pjesë e një skandali me të vëllain.

– Në dijeninë time, sipas fakteve të paraqitura dhe legjislacionit, Ministri i Brendshëm është në këtë rast në konflikt interesi. Për kredibilitetin e vet ndaj popullit shqiptar si dhe ndaj partnerëve të tij evropianë, Ministri i Brendshëm, i cili është përgjegjës për krijimin e rendit dhe ligjit, duhet të jetë i interesuar për një sqarim të plotë të çështjes. Por kjo nuk mund të ndodhë, nëse ai mbetet në detyrë si person i përfshirë. Kështu që ne ende kemi dyshime të konsiderueshme nëse ekziston vullneti politik për të praktikuar standardet ligjore të BE. Por për sa kohë që këto dyshime nuk janë larguar bindshëm përmes sundimit të ligjit në mënyrë konsekuente, ne nuk mund t’i hapim kapitujt e parë të bisedimeve, të cilat janë pikërisht kapitujt e shtetit ligjor 23 dhe 24.