Shqipëria në udhëkryq

518
Reforma në drejtësi i ka kaluar të gjitha parashikimet. Në aspektin kohor, duhej të votohej vjeshtën e vitit të kaluar, por si kanë ardhur punët, aktualisht askush nuk artikulon asnjë afat. Në aspektin politik, megjithëse të gjitha palët pranojnë se sistemi i drejtësisë e ka emergjente nevojën për t’u reformuar, debati mes politikanëve tregon ndarje të thellë me akuza dhe kundërakuza, se kush po e pengon procesin. Hamendësimet shkojnë deri aty sa fatin e reformës e lidhin me ridimensionim të balancës së forcave parlamentare, që mund të shkojnë deri te surpriza politike. Në aspektin diplomatik, ambasadorët e selive perëndimore në Tiranë bëjnë deklarata dhe apele për finalizimin sa më pare të reformës në drejtësi.
Paketa e vërejtjeve të Komisionit të Venecias
Në këtë fluks të jashtëzakonshëm qëndrimesh dhe nxitjesh procesi duket si në një qerthull. Një paketë vërejtjesh dhe sugjerimesh konkrete që ka adresuar Komisioni i Venecias, kanë ndryshuar dinamikën e ngjarjeve. Nëse gjatë gjithë vitit 2015 si “violinë e parë” për kryerjen e reformës ishte një ekip ekspertësh të pavarur, ku përfshiheshin dhe përfaqësues të huaj, të mbështetur nga BE dhe SHBA, këtë vit, protagonistë do të jenë dhe ekspertët juristët e partive kryesore. Synimi duket se është që mazhoranca dhe opozita të jenë më bashkëpunuese në këtë fazë të procesit në arritjen e një teksti konsensual që garanton shumicë të cilësuar votash për ndërhyrjet që do të bëhen në Kushtetutën e Republikës. Përmes ekspertëve të tyre shtabet politike po shprehin ndjeshmëri më të madhe për aspekte të drejtpërdrejta që lidhen me reformën, për pozicionin e KLD, rekrutimet dhe ndëshkimet në gjyqësor e prokurori, rolin e Ministrisë së Drejtësisë, etj. Tutje diskutimeve mbi konceptet ligjore dhe konstitucionale, të natyrshme për një angazhim kaq të rëndësishëm, nga qarqe politike vihen re dhe prononcime luftarake, të cilat ngjallin mosbesim për mundësinë e ndonjë konsensusi. Në thelb ato janë fokusuar tek shpallja e “armiqve” të reformës. Në këtë sfond të zhurmshëm, diplomatët perëndimorë kanë rritur tonet për të përcjellë mesazhe të qarta për politikën dhe publikun se kanë qenë dhe mbeten të investuar fort tek kryerja e reformës. Sjellja e politikanëve dhe reagimi i ndërkombëtarëve janë dy argumente thelbësore, të cilat komentohen më së shumti nga analistët e medias në Tiranë.
Preteksti për të mos e votuar
Analisti Mero Baze, drejtor i platformës online ‘TEMA’ e shikon aktivizimin e ekspertëve pranë partive politike kryesore si një përpjekje për konsensus mes palëve. Nga ana tjetër ai shprehet për Deutsche Welle-n, se po prishet në një farë mënyre parimi mbi të cilin ka nisur reforma në drejtësi. Mimoza Koçiu, redaktore e politikës në televizionin informativ ABC, mendon se ekspertët e kontraktuar – siç i përshkruan ajo ekspertët e pavarur – dhe ekspertët e partive politike duhej të kishin prodhuar një dokument të përbashkët. Kemi vënë re se rekomandimet e Komisionit të Venecias i kanë bashkuan palët për t‘i pasur si referim, shprehet Koçiu për DW. 
Partive politike u intereson e tashmja
Drejtori i Lajmeve në Televizionin Vizion Plus, Arban Hasani, thotë se procesi është në fazën e ngecjes prej kalkulimeve politike të palëve. Sipas tij, debati që po fokusohet artificialisht tek tryeza e partive politike, në fakt është shenja e qartë se jo të gjithë janë të interesuar për ta bërë këtë reformë. Hasani thotë për DW se përfshirja e ekspertëve politikë, tryeza e partive apo çdo iniciativë e tillë nuk do të sillte mbyllje të draftit në kohë apo cilësi më të mirë të tij. 
Këmbëngulja e diplomatëve, vendimtare për finalizimin e reformës
Rolin e diplomatëve perëndimorë në Tiranë, sidomos, kryediplomatit të SHBA-së dhe shefes së delegacionit të BE-së, Mimoza Koçiu, e shikon në qartësimin tri gjëra. “E para që ata mbështesin draftin e ekspertëve të nivelit të lartë, pra, që mbrojnë atë draft. E dyta, ata që kërkojnë të mos votohet janë njerëz që u preken interesa dhe ndjehen të rrezikuar nga ligji. E treta, nëse reforma dështon Shqipëria do të ketë ditë të këqija sa i përket rrugës së saj për në BE dhe qëndrimit që SHBA dhe BE do mbajnë ndaj disa politikanëve që po bëhen pengesë për këtë çështje. Është rasti i parë i qartë kur perëndimi po përballet me një strukturë kriminale të politikës shqiptare, e cila po përpiqet të garantojë imunitet për veten, për shkak të asaj çfarë ka bërë 25 në vite”. Mero Baze bën paralelizëm mes investimit të fuqishëm të diplomatëve të huaj në rastin e reformës në drejtësi, njësoj si në rastin e dekriminalizimin. “Ajo që vërej, si dëshmitar për shkak të profesionit, është se në 18 vjet marrëveshje politike mes aktorëve në Shqipëri, me asistencën e ndërkombëtarëve, emrat konkretë që do preken a do ndikohen nga kjo reformë vazhdojnë të shërbejnë fatkeqësisht si udhërrëfyes për aktorët politikë dhe janë shkaku edhe i rezistencës ndaj presionit pozitiv që po bëhet nga aktorët ndërkombëtarë. Sa më shpejt ta kuptojnë diplomatët e huaj këtë, aq më mirë do jetë për mbarëvajtjen e reformës në drejtësi, nga e cila përfituesi kryesor duhet të jenë qytetarët shqiptarë”, thotë Mero Baze për DW. Edhe Arban Hasani është në të njëjtën linjë kur mendon se pozicionimi i faktorit ndërkombëtar se ata që janë kundër reformës, rrjedhimisht janë edhe kundër perëndimorëve, është mekanizmi i vetëm që mund të detyrojë kundërshtarët të mos nxjerrin justifikime dhe pretekste për ta shtyrë në kalendat greke apo për ta banalizuar me pazare reformën në drejtësi. 
LSI shpreh rezerva për draftin e ekspertëve të PS
Lëvizja Socialiste për Integrim ka rezerva për draftin e propozuar nga ekspertët e maxhorancës për reformën në drejtësi dhe këtë e konfirmoi përmes deputetes Silva Caka. Caka, në një konferencë për mediat tha se, “LSI fton të gjitha partitë politike të kontribuojnë në këtë proces, që do të nisim në Kuvend. Ne si LSI do të paraqesim mendimet tona në funksion të përmirësimit të draftit final të reformës së drejtësisë”.
Sigal