Shqipëria në 103 vjetorin e Pavarësisë, Nishani e Rama në Vlorë, Basha në Tiranë

70
Sot, gjithë shqiptarët festojnë 28 Nëntorin, ditë në të cilën është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Në sajë të kësaj dite, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërsa epiqendra e festimeve padyshim ngelet Vlora dhe Tirana.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, zv.Kryetarja e Parlamentit, Valentina Leskaj dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, do të jenë në orën 10:00 në Sheshin e Flamurit në Vlorë në ceremoninë e përvitshme të ngritjes së flamurit dhe të festimeve për Ditën e Pavarësisë.
KRERËT E SHTETIT NGRENË FLAMURIN NË VLORË
Presidenti i republikës, Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, si dhe ministrja të kabintetit qeveritar, zv/kryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës, kanë ngritur sot flamurin në Vlorë, me rastin e festës së Pavarësisë. Në shenjë mirënjohje, ata kanë vendosur kurora me lule pranë monumentit të Pavarësisë, në Sheshin ‘Flamur’. Vlora është qyteti simbol i Pavarësisë, pasi ishte pikërisht qyteti ku 103 vite më parë, në 1912 u vendos flamuri Kuq e Zi, nga atdhetari Islmail Qemali.
OPOZITA ZHVILLON SOT HOMAZHE TEK “VARREZAT E DESHMOREVE”
Ndërkaq, opozita, e cila feston më 28 Nëntor Pavarësinë edhe Ditën e Çlirimit, ka njoftuar se po në orën 10:00 do të zhvillojë homazhe në varrezat e “Dëshmorëve në Tiranë”. Më pas opozita do të zhvillojë homazhet te busti i komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, ndërsa në orën 16:30, opozita do të përkujtojë Ditën e Pavarësisë, duke vendosur kurora me lule në bustin e Ismail Qemalit në kryeqytet. Aktivitete të shumta për të kremtuar Festën e Flamurit zhvillohen sot edhe jashtë kufijve në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi dhe në diasporë.
Dje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ftoi qytetarët të jene pjesë e ceremonive të organizuara nga Bashkia e Tiranës, më rastin e 28 dhe 29 Nëntorit, dita e Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj në një status të tij në ‘Facebook’ shkruajti, “Mos i humb festimet nesër e pasnesër 28-29 Nentor. Nesër është Dita e Pavarësisë! Kujtojmë bashkë me familjarët, patriotët e qytetit tonë”.
“Bashkohu me ceremonitë e Bashkisë së Tiranës nesër, në qendër paradite, e më pas në Dajti n’fest! Pasnesër ‪#‎DitaPaMakina dhe ‪#‎NataBardhe – s’ka si Tirana!””, shkruan Veliaj.
Në vitin 1912 dhe krijimi i qeverisë së Vlorës ishte një fitore e përbashkët e të gjithë popullit shqiptar që kishin luftuar pandërprerë me shekuj, kundër sunduesve të ndryshëm.