Shqipëria merr statusin kandidat në BE, por me kushte

554
Sigal

KE/ Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle prezanton raport-progresin për Shqipërinë

Shqipëria ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, merr statusin e vendit kandidat në BE, të kushtëzuar. Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle duke prezantuar para komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian raport-progresin për Shqipërinë, deklaroi se KE parashikon një status të kushtëzuar për Shqipërinë, por me kushtin që më parë të jenë realizuar disa reforma në fushën e drejtësisë, në atë të administratës publike si dhe të përmbyllë reformën parlamentare, duke kërkuar njëkohësisht edhe një angazhim më të fortë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria  kështu bën gjysëm hapi përpara drejt familjes së madhe Europiane.  “Shqipëria ka bërë progres domethënës në vitet e fundit. Duhen marrëveshje më të mëdha mes palëve. Është arritur sukses në disa reforma. Duke patur këtë progres. Komisioni i jep Shqipërisë statusin e vendit kandidat, me kusht që të ketë reforma të tjera në Drejtësi dhe sa i përket Parlamentit. Komisioni beson se një pjesë e mirë e prioriteteve është zbatuar, por duhen përpjekje të tjera sa i takon luftës kundër krimit të organizuar”,- deklaroi Fyle. Sa u përket 12 prioriteteve kyçe të Komisionit Europian, të paplotësuara kanë mbetur tashmë reforma parlamentare dhe miratimi i ligjeve për Gjykatën e Lartë dhe Shërbimin Civil. Pas dy refuzimesh radhazi ndaj kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, këtë vit vendi ynë arriti të kalojë provimin e Brukselit, megjithëse jo me notën maksimale. Shqipëria do të bëhet kështu vendi i pestë i Ballkanit kandidat për të hyrë në BE, pas Kroacisë që do të anëtarësohet në 2013-ën, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Përfundimet e Raportit

KE thekson në Raport se sigurimi i qëndrueshmërisë së dialogut politik është thelbësor për funksionimin e institucioneve demokratike dhe për rrugën e Shqipërisë në BE. Sa i përket demokracisë dhe sundimit të ligjit, dialogut politik në Parlament është përmirësuar dhe vihet re një atmosferë më konstruktive gjatë komisioneve kuvendore dhe takimeve plenare. Raporti thekson se progres i mirë është arritur në fushat kyçe të reformës politike si funksionimin e duhur të Parlamentit. KE me raportin vuri në dukje se ka progres në reformën gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit në reformën për imunitetin e zyrtarëve, Gjykatën Administrative, në mbrojtjen e minoriteteve dhe komunitetit rom, në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Sa i përket sistemit gjyqësor, progres është bërë në kompletimin e reformës gjyqësore, që është dhe një çështje kyçe në prioritetet e BE. Strategjia e reformës gjyqësore dhe plani i veprimit i marsit 2012-të ka nisur të zbatohet. Ligji mbi Gjykatat Administrative dhe Ligji mbi Konferencën Gjyqësore Kombëtare janë miratuar. Megjithatë, e rëndësishme mbetet të forcohet përgjegjshmëria, pavarësia dhe efikasiviteti i gjyqësorit. Progres i mirë është raportuar në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor, nëpërmjet kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve. Raporti i KE vlerësoi rolin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërajonale, zhvillimi i ekonomisë, progresin në çështjen e pronave dhe pse nënvizon se regjistrimi i pronave ende nuk ka përfunduar. Sipas raportit, kompensimi i ish-pronarëve ka ecur me ritme të ngadalta.

21 Janari, KE: Të hidhet dritë mbi ngjarjen

Raporti i KE thekson që procedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjet e 21 Janarit 2011 duhet të përfundojnë përmes një procesi të besueshëm gjyqësor.

Gjykata e Lartë dhe Reforma Parlamentare

Komisioni Europian rekomandon se prioritetet kyçe që nuk arritën të kishin progres domethënës do të jetë i nevojshëm angazhimi për t’i plotësuar ato. Në mënyrë që të mbajmë vrullin e reformës së tanishme dhe të konsolidojmë arritjet e saj, Shqipëria duhet të fokusohet veçanërisht në përshtatjen me konsensus të rregullave të rishikuara të procedurës për Parlamentin dhe amendamenteve të ligjeve në Gjykatën e Lartë.