Shqipëria me qeveri, por pa qeverisje

509
Sigal

INTERVISTA/Prof. Dr.Lisen Bashkurti, sekretari i marrëdhënieve me jashtë i AK-së: “Dështimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, ka rrënjë 20- vjeçare”

Pro.Dr. Lisen Bashkurti në intervistën për “Telegraf” pohon se dështimi i procesit të integrimit në Shqipëri ka rrënjë 20 vjeçare, ndërsa për kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, “Lidershipet lokale, posesive, çifligare e mëndje-ngushta nuk u ngritën dot as në lartësinë e Vlorës së njëqind viteve më parë”.

 – Zoti Bashkurti, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, a  janë realizuar  aspiratat kombëtare të mbarëshqiptarizmit?

Kongresi i Vlorës për Pavarësi ishte një shpallje e pavarësisë mbarë shqiptare. Produkti politik që mbeti mbas Konferencës së Ambasadorëve në Londër deri te vendimet e fundit të Lidhjes së Kombeve në 1923 prodhuan një Shqipëri politike të pavarur, por të cunguar barbarisht. Faktori ndërkombëtar i kohës prodhoi një Shqipëri të mëvehtësuar, por të dhimbshme tragjikisht; një Shqipëri politike, por të dobët politikisht; një Shqipëri ta pavarur, por tejet të varfër ekonomikisht. Festimet e 100-vjetorit të Shtetit të Pavarur Shqiptar lypej të shoqëroheshin pashmangësisht me 5-vjetorin e Pavarësisë së pjesës së dytë madhore të Kombit Shqiptar – Kosovës. 100-vjetori i Shqipërisë dhe 5-vjetori i Kosovës do ri-dimensionin historinë e së kaluarës dhe do të vizionin historinë e shekullit të dytë të shqiptarëve. Posesivizmi i lidershipit megaloman të Shqipërisë dhe kompleksiteti i lidershipit të Kosovës nuk arritën që atë, e cila lindi në Vlorë në 1912 nga Ismail Qermali e Isa Buletini ta lartësonin në aspiratën Komb-Shtet. Lidershipet lokale, posesive, çifligare e mëndje-ngushta nuk u ngritën dot as në lartësinë e Vlorës së njëqind viteve më parë dhe as në lartësinë e 100-vjetorit të dytë të Kombit Shqiptar.

– Shpërthimi i retorikave nacionale, nga politika zyrtare e Shqipërisë, a është tregues i emancipimit të klasës politike, është një shprehje e re e politikës, apo diçka e papranueshme, madje e kritikueshme?

Shpërthimi i retorikave nacionaliste nga Berisha dhe pasuesit  e tij ishte ndjenjë dëshpërimi për dështimet e politikës zyrtare  të drejtuar nga administrata, presidenca e ekzekutivi i tyre prej trembëdhjetë vitesh. E dështuar në ndërtimin e demokracisë funksionale, në ndërtimin e demokracisë parlamentare, në sundimin e shtetit ligjor, në pavarësisë e institucioneve të drejtësisë, në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut e të komuniteteve pakicë, në realizimin e një ekonomie të bazuar në pronën e lirë dhe konkurrencën e lirë si dhe në dështimin fatal në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Institucioni i berishizmit po përdor, shpërdor dhe abuzon retorikën nacionaliste për arsyetimin e dështimit të vet. Duke qenë retorikë e dështimit, nacionalizmi i berishizmit është shumë i dëmshëm për Shqipërinë e shqiptarët dhe mjaft provokativ për fqinjët e ndërkombëtarët.

– Ku ndryshon nacionalizmi i AK-së nga nacionalizmi i Berishës?

– Fryma e re e patriotizmit shqiptar, idetë e fuqishme, vizionet e qarta, misionet e pakthyeshme të shpalosura nga AK-ja janë zëdhënëset e shekullit të ri politik të mbarë Kombit Shqiptar. AK-në  e ka lindur klithma kombëtare e një Kombi të parealizuar, siç është Kombi Shqiptar. Si e tillë, AK-ja ka marrë përsipër peshën e përgjegjësinë historike ta realizojë këtë mision të shekullit të ri politik të shqiptarëve me mjete tërësisht paqësore e demokratike dhe në bashkëpunim me Aleatët më të mëdhenj e më të qëndrueshëm të Kombit Shqiptar në njëqind vitet e kaluara.

  –  Si do ta vlerësonit politikën e jashtme të Shqipërisë, a i përgjigjet kërkesave të kohës dhe nevojave që kemi qoftë si Komb, qoftë si shtet?

Jo, jo dhe përsëri jo. Politika e jashtme e Shqipërisë është antikushtetues, i bie ndesh preambulos kushtetuese, e cila përcakton qartësisht që shteti shqiptar ka detyrim kushtetues të realizojë aspiratën e popullit shqiptar për bashkim kombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave shqiptare kudo në botë. Në këto dy aspekte, të detyrimit kushtetues, politika e jashtme shqiptare deri tani mund të quhet e dështuar. Diplomacia, si instrument i saj, është derivat i dështimit të politikës së jashtme. Politika jonë e jashtme dhe diplomacia si instrument i saj kanë dështuar si në dimensionin shtetëror ashtu edhe në dimensionin kombëtar. Është koha për t’iu rikthyer fuqishëm respektimit të Kushtetutës, të cilën në mënyrë plebishitare e kanë votuar shumica dërmuese e shqiptarëve në vitin 1998.

– Ambasadori amerikan , z. Arvizu, sot tha:“Thirrja e fundit nga AK-ja për referendumin për bashkimin Shqipëri-Kosovë nuk i shërben as aspiratave të integrimit euroatlantik të vendit, si dhe minon përparimin e arritur për stabilitetin dhe paqen rajonale”.  Ju përsëri do të këmbënguli për referendumin?

AK-ja di të dëgjojë dhe të konsiderojë çdo zë që vjen nga qytetari i thjeshtë i Kombit tonë, sikundër di të dëgjojë më shumë kujdes e konsideratë të lartë aleatët tanë të mëdhenj e të qëndrueshëm, siç janë SHBA-të, Britania, Gjermania, Austria, Italia, etj., sepse dëshiron të bashkëpunojë me to për realizimin e aspiratës legjitime mbarë shqiptare për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo në botë. Aspirata shqiptare për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, të cilën AK-ja e konsideron politikë themelore, nuk kërcënon as kufijtë politikë të shteteve jo shqiptare, as paqen e stabilitetin në Rajon, as politiken e fqinjësisë së mirë dhe as proceset e integrimit Evropian të Ballkanit Perëndimor. AK është forcë politike tërësisht konstitucionaliste, demokratike dhe konstruktive dhe e tillë do mbetet gjithnjë. AK-ja është e bindur se bashkimi Shqipëri-Kosovë nuk është në asimetri me procesin e integrimit Evropian, por në harmoni të plotë me të. AK-së i bie barra të argumentojë pa u lodhur te Aleatët tanë ndërkombëtarë dhe të fqinjët tanë kontradiktorë se bashkimi Shqipëri-Kosovë është në dobi të të gjithë shqiptarëve dhe të mbarë Ballkanit dhe në të njëjtën kohë nuk është kundër askujt. Bashkimi Shqipëri-Kosovë është fitore pa të humbur. Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, që na jep mbështetje të plotë për bashkim kombëtar, mbështetur dhe në të drejtën ndërkombëtare publike dhe në parimet e integrimit Evropian, AK-ja do vijojë të punojë në mënyrë kushtetuese, konstruktive dhe me mjete e rrugë tërësisht demokratike e paqësore për realizimin e bashkimit Shqipëri-Kosovë. Personalisht, jam i bindur që politika amerikane, e cila mbështeti pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit shqiptar 1918-1923, si dhe kontribuoi fuqishëm për pavarësinë e Kosovës 1999-1998, do të vijojë të mbështesë realizimin përfundimtar të aspiratës legjitime vetvendosëse të popullit shqiptar për bashkim Shqipëri-Kosovë. Është misioni historik i Kombit Shqiptar, të cilin AK-ja do ta ketë detyrim politik madhor që këtë aspiratë ta realizojë duke i shërbyer me çdo kusht ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Rajon, politikës së fqinjësisë së mirë, integrimit Evropian e mbi gjithçka miqësisë historike e perspektive me popullin e Kombin që kemi ndarë njëqind vite të shkuara e jemi të gatshëm të ndajmë edhe njëqind vite që vijnë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

– Po të bëjmë një bilanc vjetor të 2012-s, çfarë mund të përmendim, cilat janë problematikat që nuk u kapërcyen dhe përse?

– 100-vjetori demonstroi qartësisht disa asimetri të thella që vijojnë të mbeten themelore në historinë dhe në sfidat e Kombit Shqiptar. Asimetritë themelore mund të renditen në katër momente kryesore: së pari, 100 vjetori shpalosi unitetin e 15 milionë shqiptarëve, kudo në botë, për të mbështetur aspiratën e pavarësisë dhe të bashkimit mbarëkombëtare. Kurrë më parë, shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Greqia, Italia, dhe nga gjithë bota nuk janë mbledhur në Atdheun e tyre me një ide, një flamur, një dëshirë dhe një mision: bashkimin mbarë shqiptare. Përkundër këtij uniteti të jashtëzakonshëm mbarë popullor, politika shqiptare e Tiranës vijoi të mbetej  mjerave dhe e përçarë. Kjo do të thotë qartazi se politika zyrtare e Tiranës nuk shkon për nga vullneti i miliona shqiptarëve kudo në botë, por për nga interesat meskine, klanore e nepotike të kastave që mund të stigmatizohen në mënyrë noliane  si “turma pa tru, zëmër krund e kërdhu” ose në mënyrë migjeriane “me bark shekullor gjithmonë të pangishëm”.

– PD-PS janë në garë për të fajësuar njëra-tjetrën se kujt do t’i mbetet faji i dështimit të marrjes të eurostatusit kandidat.  Në fakt, cilët janë të humbur?

– Maxhoranca dhe minoranca parlamentare janë mjerimi i politikës shqiptare. Duke marrë parasysh se Shqipëria ishte shteti i parë që firmosi marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE-në, qysh në fillim të viteve nëntëdhjetë, mund të thuhet pa kurrfarë hezitimi dhe pa kurrfarë argumenti se dështimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në BE ka rrënjë 20- vjeçare. Maxhoranca mjerave demokratike dhe minoranca dështake socialiste, në afro 16-vjetët e fundit të qeverisjes së tyre, nuk kanë respektuar as edhe një nga parimet e vetme të qeverisjes Evropiane, të cilat janë sanksionuar qartësisht në Traktatin e Lisbonës, siç vijojnë: parimi i legjitimitetit, parimi i transparencës, parimi i llogari-dhënies dhe parimi i bazës së gjerë demokratike ligjbërëse e vendim-marrëse. Pra në afro 16-vjet Shqipëria ka pasur qeveri, por nuk ka pasur qeverisje demokratike, nuk ka pasur parlamentarizëm demokratik bazuar në dialogun konstruktiv, nuk ka pasur sundim të shtetit ligjor, nuk ka pasur pavarësi të institucioneve që garantojnë sundimin e ligjit, nuk ka pasur respekt për liritë e të drejtat e njeriut në kuptimin më të gjërë, nuk ka respektuar lirinë e jetës, të pronës dhe nuk ka siguruar atë, që Abraham Linkolni e quante mrekullisht, të drejtën për të qenë i lumtur. Në këtë dështim politik bipolar, nuk ka pikë dyshimi se të humbur janë qytetarët shqiptarë.

  – Duke qenë se forcat politike, deri tani kanë dështuar tre herë në marrjen e statusit kandidat në BE, me retorikën politike të tanishme, PD-PS a tregojnë se janë ndërgjegjësuar për rolin që duhet të japin për integrimin e Shqipërisë?

– Nuk e di sa janë ndërgjegjësuar PD e PS për dëmin historik që i kanë shkaktuar Kombit e qytetarëve shqiptarë në dështimin ndaj integrimit në Bashkimin Evropian. Por, mësimi më i madh historik lind për vetë qytetarët shqiptarë. Tanimë të gjithë nevojitet të vëmë gishtin në kokë dhe të arrijmë në konkluzionin e patundur se sistemi politik dy-partiak në Shqipëri është baras me dështim në të gjitha fushat. Prandaj ky sistem politik dy-partiak nevojitet të thyhet dhe të krijohet një strukturë politike parlamentare me më shumë diversitet që t’u heqë dy partive të dështuara monopolin politik, ekonomik, institucional juridik dhe administrativ. Ky bipartitizëm ka dështuar edhe me fraksionet politike të deritanishme te pjella prej tij.

– Tashmë kemi shumë forca politike opozitare që janë kundër qeverisjes të kësaj maxhorance. Një opozitë e përçarë, a nuk është përfitim politik për maxhorancës? A mendoni se duhet një opozitë e përbashkët, që të bëjë të mundur rotacionin politik, që kërkohet nga të gjitha forcat opozitare?

– Kur e keqja qeverisëse merr përmasa të mëdha dhe të rrezikshme për vendin dhe për qytetarët është i domosdoshëm krijimi i një koalicioni opozitar me përmasa të mëdha, me shpresë e fuqi të madhe për të prodhuar ndryshimin politik me rrugë e mjete demokratike e paqësore. Në këtë proces PS-ja ka përgjegjësinë historike. Por, këtë përgjegjësi historike PS-ja nuk mund ta kryejë pa doktrinën, misionin, vizionin, energjinë dhe vitalitetin e AK-ja dhe të çdo force tjetër, sado modeste, por që është për ndryshim. Fillimisht hartimi i një strategjie parimesh të përbashkëta elektorale dhe më pas ndërtimi i një strategjie me prioritete qeverisëse do të prodhonin një produkt të ri politik për Shqipërinë e shqiptarët dhe do i hapnin rrugën aspiratës për bashkim Kombëtar Shqipëri-Kosove dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo në botë. Një frymë e tillë do nxiste suksesshëm procesin e integrimit evropian të mbarë Kombit Shqiptar.

– A janë kushtet të favorshme që të dalin figura të reja politike, për të udhëhequr sfidat e reja të shqiptarëve dhe Shqipërisë në aspiratën e madhe të integrimit në Familjen Europiane?

– Kohët e reja kërkojnë alternativa të reja dhe liderë të rinj. AK-ja ka si moto themelore që “Rinia është e sotmja”.  Gjithë partitë e tjera thonë “Rinia është e ardhmja”. Lideri i AK-së, Kreshnik Spahiu është mishërim i kësaj motoje. Kreshnik Spahiu është djaloshi më i ri, më modern, më patriot, më i ditur, më i vullnetshëm, më i palodhur dhe më sfidant në tërë lidershipin e sotëm shqiptar… Në AK nuk vuajmë as nga protagonizmi i PD-së dhe as nga posesivizmi i PS-së. Në AK jemi të tërë të bindur se fryma patriotike, politika kombëtare, parimet demokratike dhe energjia pozitive duhet të koncentrohen në një lider me besueshmëri e mbështetje të madhe.

– Në çfarë raporti janë inteligjenca dhe kultura me klasën politike?

– Aktualisht janë në raporte tejet asimetrike. Nëse politika lëngon, kjo ndodh për shkak të varfërisë së saj të skajshme intelektuale. Nëse intelektualët janë të brengosur kjo vjen por shkak të injorimit të tyre nga politika. Kjo asimetri ka disa dekada që karakterizon politikën shqiptare. Regjimi zogolljan ishte mediokër dhe anti-intelektual në rrënjët e veta. Regjimi enverist ishte brutal dhe tërësisht anti-intelektual në lidershipin e vet. Regjimi tranzitiv ishte tejet hipokrit dhe grotesk në marrëdhëniet me inteligjencien. Pra, kemi kaluar tre faza, në të cilat raporti politikë-inteligjencë ka kaluar nga mediokriteti, te brutaliteti e prej këtij të fundit te hipokrizia dhe groteska. Ka ardhur koha që këto tre faza të rrënimit të të dy palëve, të politikës dhe të inteligjencies të marrin fund. Kur Kombi Shqiptar të njësojë politikën me inteligjencien, produkti do të jetë fitore historike e bashkimit Kombëtar, e triumfit të demokracisë, e sundimit të ligjit, e garantimit të çdo lirie njerëzore, e zhvillimit të ekonomisë së tregut të lirë, e integrimit të plotë në familjen e popujve e të Kombeve të Evropës, të cilës ne shqiptaret i shërbejmë me gjak e sakrifica prej më shumë se pesëqind vjetësh.

– Shikoni që të ekzistojë vullneti politik, që zgjedhjet e 2013-s të bëhen të ndershme dhe të lira?

– Deri tani, jo. Por, shpresoj se të gjithë aktorët dhe faktorët politik, gjithë masa e faktorit qytetar shqiptar, sikundër gjithë institucionet relevante ndërkombëtare të ndikojnë më së fundi që Shqipëri të lërë pas trashëgiminë e hidhur të vjedhjes e manipulimit të votës dhe t’i kthehet realizmit të votës së lirë e të ndershme. Vota është djepi ku lind foshnja e demokracisë.

 Shekulli i dytë i shtetit shqiptar

–  Sapo kemi hyrë në shekullin e dytë të moshës të shtetit shqiptar. Si mund të jetë ky shekull i ri për vetë shqiptarët, por edhe për shtetin e tyre?

– Shekulli i dytë i shqiptarëve ka për mision të realizojë atë që mbeti përgjysmë nga etërit themelues të shtetit të pavarur shqiptar – bashkimin kombëtar. Për vetë kushtet e rrethanat historike ky bashkim është tërësisht i realizueshëm midis Shqipërisë e Kosovës. Por, ky proces do të kalojë në disa faza që janë: së pari, krijimi e funksionimi i demokracisë në të dy shtetet shqiptare, Shqipëri e Kosovë; së dyti, krijimi i tregut të përbashkët ekonomik me liri të mallrave, shërbimeve, kapitaleve e njerëzve; së treti, unifikimi i politikave të brendshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe të përafrimit të legjislacionit dhe pavarësisë e institucioneve të drejtësisë; së katërti, unifikimi i politikave të sigurisë në kuadër të NATO-s dhe i politikës së jashtme në përputhje me interesat dhe vlerat tona Komb-Shtet. Mbas këtyre fazave që duan kohën dhe maturitetin e tyre vjen natyrshëm krijimi hapësirës për shprehje politike të vullnetit të mbarë Shqipërisë dhe Kosovës me mjete tërësisht demokratike për bashkimin e tyre në një federatë thellësisht demokratike të tipit Amerikan ose Gjerman. Madje kohët po demonstrojnë që edhe vetë BE po shkon drejt federalizmit. Në këto trende, shqiptarët nuk kanë përse të mos i ngjiten modeleve demokratike më të suksesshme dhe tendencave të zhvillimeve më perspektive në botë dhe në Europë.

 – Faleminderit!