Shqipëria me dy administrata, shkaktar militantët e partive

1021
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Shqiptarët paguajnë 2 administrata publike, sepse qeveritë punësojnë militantët

Forumi: Duhet të ndryshohet ligji, që drejtuesit të paguajnë nëpunësin, kur e zbojnë. Flasin Sokol Hazizaj, Zaçe Islami, Idajet Beqiri, Zamira Çavo

Sa herë ndërrohen qeveritë, ndryshohet rrënjësisht e gjithë administrata publike, edhe pse tashmë kemi ligjin “Për Nëpunësin Civil” dhe “Për Administratën Publike”, që do të thotë, se nëpunësi i Administratës Publike nuk mund të zbohet me kritere partie. Shkaqet dihen, qeveria punëson në shtet militantët e saj, kontribuesit e votave, ndërsa pasojat janë taksapaguesit shqiptarë paguajnë 2 administrata publike, në tërë këto vite të tranzicionit. Buxheti i shtetit për çdo vit shpenzon dhjetëra milionë euro, për të paguar dëmshpërblimet e nëpunësve të Administratës Publike, të dhëna me vendime të formave të prera gjykatave. Shpjegimi i vendimeve të gjykatave është se nëpunësi është larguar nga administrate publike në kundërshtim të ligjit “Për Nëpunësin Civil” dhe “Për Administratën Publike”. Mirëpo, çuditërisht, gjykatat deri këtu vendosin. Nuk marrin vendimin, që dëmshpërblimin ta paguajnë ata drejtues të institucioneve shtetërore, që në kundërshtim me ligjin, zbojnë nëpunësit. Vetëm Ministria e Mjedisit numëron 278 çështje gjyqësore në harkun e dy viteve, nga shkurti 2015 deri në prill 2017.  Në Gjykatën Administrative sipas të dhënave të gjeneruara nga sistemi rezultojnë të paktën 638 çështje të ardhura që kanë si objekt dëmshpërblimin për largimin e padrejtë nga puna.  vetëm për vitin 2015 dëmi nga largimet e padrejta në administratë ishte 3.1 miliardë lekë. 

Zotimi i kryeministrit Rama për Administratë Publike të pavarur mbeti në letër

Kryeministri Rama, u zotua në 2013-n se do të ndërtonte një administratë publike me meritokraci. Madje, u zotua se asnjë nëpunës i shtetit nuk do të largohet me kritere partie dhe asnjë nëpunës nuk do punësohet me teserën e partisë. Madje, kryeministri Rama u zotua: Nëse një drejtor pushon pa të drejtë një punonjës dhe gjykata dhe e detyron institucionin ta paguajë, ne do ta ligjërojmë që pagat e këtij personi t’i paguhen nga drejtori i papërgjegjshëm”! Thuajse çdo vit buxheti i shtetit shpenzon për të paguar dëmshpërblimet e nëpunësve të larguar në kundërshtim me ligjin, më shumë sesa edhe pensionet dhe ndihma sociale. Shteti mundohet ta fshehë këtë fakt, pasi nuk publikohen statistika të përvitshme, sa është shumë e saktë që shteti dëmshpërblen nëpunësit e larguar në kundërshtim me ligjin, sipas vendimeve të gjykatave.

Gazeta “Telegraf” ftoi në forum juristë dhe publicistë, duke shtruar pyetjen:

A duhet ndryshuar ligji për dëmshpërblimin e punonjësve të administratës publike të larguar pa drejtësisht?

Sokol Hazizaj, kostitucionalist: Në mënyrë piramidale të individualizohet faji dhe përgjegjësia individuale të largimeve joligjore nga detyra

Çështja e rekrutimit dhe largimit nga detyra, për vite me radhë është rregulluar me ligje shumë të rëndësishme, siç është Kodi Punës dhe Statusi Nëpunësit Civil. Padyshim për shkak të moskuptimit të ligjit dhe akteve nënligjore ka pasur dhe ka në mënyra vijuese largime të padrejta, ose jo ligjore nga marrëdhëniet e punës. Këto ndodhin për shumë e shumë arsye, të cilat fillojnë që nga mënyra e rekrutimit të punonjësve, deri në zgjedhjen politike të administratorëve të drejtorive vendore dhe qendrore. Legjislacioni ynë ka përcaktuar qartë përgjegjësinë, që ka institucioni për të dyja drejtimet, si në rekrutim dhe në largim. Por kohët e fundit, pra jo vetëm në këtë mazhorancë, por dhe më pare, janë konstatuar rekrutime në pjesën dërmuese në administratë të njerëzve, apo ekipeve që më tepër janë politike, se sa profesionale. Ndaj duhet pranuar se hapat drejtë mentalitetit evropian janë sa të ngadaltë dhe të kufizuar. Gjithsesi, çka konstatohet më shpesh në marrëdhëniet e punës, është mungesa e përgjegjësisë së thellë, që kanë institucionet ndaj profesionalizmit dhe ushtrimit të detyrës në mënyrë ligjore, duke mëshuar shumë mbi nepotizmin e shthurur fisnor, miqësor etj etj. Ndaj, do të kishte vlerë shumë ndryshimi i shumë akteve ligjore në drejtim të rritjes së përgjegjësisë individuale, jo të “Ekipeve”, siç thuhet rëndom sot, por të individit njëri, në dhe për çdo përfaqësim që ai mbart. Që do të thotë se duhet ndryshuar dhe përsosur më tej kuadri ligjor mbi marrëdhënien midis njeriut dhe detyrës që ai merr në kuptim të përgjegjësisë individuale të tij. P.sh, i vetmi ligj që nuk ka ndryshuar është Ligji n 9000, datë 30.01.2003: “Mbi organizimin dhe funksionimin e këshillit të ministrave”, ku në nenin 17, me titull “besueshmëria dhe solidarësia”, e cila vjen në kundërshtim të plotë me të gjitha parimet demokratike të një vendi të aspiruar për mendësinë evropiane. Nëpërmjet frymës së përshkruar në këtë dispozitë konstatohet qartë jo vetëm mungesa e përgjegjësisë individuale, por dhe pamundësia e organeve ligj-zbatuese të gjetjes dhe individualizimit të fajit. Ndaj nuk mund dhe nuk ka sesi, konceptualisht dhe në mënyrë piramidale të individualizohet faji dhe përgjegjësia individuale të largimeve joligjore nga detyra, duke i rënë kostua gjithë shoqërisë.

Av. Idajet Beqiri

Problemi i dëmshpërblimit të nëpunësit civil, apo të punëmarrësve, kur marrin vendime të pa bazuara në ligj, duke i larguar nga puna drejtuesi i institucionit, apo punëdhënësi i tyre, nga pikëpamja ligjore është kompleks. Rasti nuk i ngjan rastit. Për rrjedhojë, nuk mund të jemi dot të prerë dhe në çdo rast që gjykata u jep të drejtë nëpunësve civil, apo punëmarrësve, dëmshpërblimet t’i paguajnë drejtuesit e institucioneve, që kanë shkelur ligjin. Në radhë të pare, sepse ka shumë subjektivizëm në vendimet e gjykatave. Madje, ky subjektivizëm shtrihet deri në Gjykatën e lartë. Në radhë të dytë, jemi në fushën e interpretimit të rasteve me ligjin. Kur vendimmarrja është rrjedhojë e interpretimit të gabuar të ligjit, por jo me dashje për t’i bërë keq punonjësit, në një rast të tillë nuk mund të vendoset me ligj që detyrimi të paguhet nga drejtuesi i institucionit! Emërtesa në këto raste e shkarkon drejtuesin e Institucionet si të paaftë. Nuk kemi vakum ligjor në këtë aspekt që të shtrohet problemi për të nxjerrë një ligj me anën e të cilit të detyrohet drejtuesi i institucionit dhe jo buxheti i shtetit me dëmshpërblimet që jep gjykata për largimet e padrejta nga puna. Ne kemi Kodin Civil, i cili vepron edhe ndaj drejtuesve të institucioneve. Nëse një drejtues institucioni merr vendime të paligjshme, pushon në kundërshtim me ligjin një punonjës dhe gjykata detyron pagimin e dëmshpërblimit që jepen nga buxheti i shtetit, eprori i drejtuesit të institucionit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, këto raste i konsideron dëmtime të pasurisë dhe të fondeve publike dhe nxjerr urdhrin administrative të zhdëmtimit të këtij dëmi, duke e paguar dëmshpërblimin pikërisht drejtuesi i institucionit që ka marrë vendimin e kundërligjshëm.

Av. Zaçe Islami: Dëmshpërblimi të paguhet nga titullari që urdhëroi largimin e paligjshëm

Nëpërmjet ligjeve që miratojnë, shtetarët i rezervojnë subjektit të tyre të drejtën të bëjë çfarë të dojë , të pushojë e të marrë në punë, sipas militantizmit partiak. Lidhur me ligjin ekzistues për dëmshpërblimin e punonjësve të pushuar padrejtësisht nga puna, të cilët me vendim gjykate fitojnë dëmshpërblim të paguar nga shteti, duhet thënë që ky ligj duhet abroguar menjëherë, duke vendosur që dëmshpërblimi TA PAGUHET NGA TITULLARI QË URDHËRON LARGIMIN E PA LIGJSHËM. Por për këtë nuk është e interesuar asnjë forcë politike, pasi praktika e deri tanishme ka treguar që largimet nga puna bëhen me prapavijë politike, që do të thotë se largohen ekzistuesit për t’u zëvendësuar me militantë në pjesën më të madhe pa arsimin përkatës ose me diploma të falsifikuara. Sikurse dihet, sa herë ndërrohen partitë në pushtet, aq herë ndryshon dhe administrata shtetërore. Ky është shkaku themelor i largimit të nëpunësve nga detyra. Por nëse dëmshpërblimi do paguhej nga urdhëruesi, asnjë punonjës nuk do largohej padrejtësisht dhe për pasojë nuk do vihej e tërë administrata në shërbim të vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve. Ky është shkaku themelor i largimit të punonjësve nga puna: PËRKATËSIA PARTIAKE. Çdo forcë politike që vjen në pushtet bën rotacionin e punonjësve deri edhe te pastrueset e institucioneve.

Prof. Dr. Zamira Çavo: Ligji të detyrojë, që dëmshpërblimi për largime të paligjshme t’i paguhen nga drejtori i papërgjegjshëm

Ju me të drejtë pyesni se Pse duhet të paguaje shteti dëmshpërblimet që vendos Gjykata për largimet e nëpunëses në kundërshtim me ligjin? Unë them se nuk i paguan shteti por ne, taksapaguesit shqiptarë! Gafat e administratës dhe tekat e saj i paguajmë ne, jo thjesht në kuptimin e shërbimit dhe përfitimit, por edhe në kuptimin e pagesës. E gjithë administrate paguhet nga NE. Dhe shikoni për kë detyrohemi të paguajmë? Për të rinj të papërgjegjshëm, që duke mos lexuar asnjë gazetë pale libër në jetën e tyre, bëjnë arrogantin, për individë, që duke pasur bizneset e tyre private kërkojnë një punë në shtet për përfitime ekstra (dhe e gjejnë lehtësisht falë biznesit që kanë) e që nuk ia kanë as idenë e as dëshirën punës, paguajmë për individë, që përvese i bëjnë like qeverisë në çdo rrjet social nuk ia kanë idenë administratës. Por paguajmë edhe për ata që nga injoranca apo mllefet personale, nga militantizmi, apo mungesa e personalitetit pushojnë nga puna njerëz, të cilët ne detyrohemi t’i paguajmë dyfish! Pse nuk propozon kryeministri atë çka premtoi dikur se “nëse një drejtor pushon pa të drejtë një punonjës dhe gjykata e detyron institucionin ta paguaj, ne do ta ligjërojmë që pagat e këtij personi t’i paguhen nga drejtori i papërgjegjshëm”!