Shqipëria, me depo mbetjesh radioaktive

635
Sigal

Gazeta Telegraf/


Mbledhja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, e datës 1 dhjetor 2010 për
lëndët radioaktive, ku përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë së jetës dhe
mjedisit, u lejuan të fshehin realitetin

 Politika ka fshehur skandalin, që Shqipëria ka qenë dhe është depo me mbetje radioaktive,
futje, shkarkim dhe kalim transit mbetjesh të huaja

 Gazeta Telegraf/ Ligji “Rilindës”, që lejoi importin në Shqipëri të plehrave të vendeve të
BE e të botës, ka krijuar reagim të ashpër dhe ka hapur një debat të madh në
shoqërinë shqiptare, me objekt kundërshtimin e këtij krimi shtetëror ndaj
popullit e vendit dhe demaskimin publik të nismëtarëve, aprovuesve dhe mbështetësve
të paguar të OJF-istë të këtij ligji, për më tepër të pjesës parlamentare që e
votoi në mënyrë të turpshme, futur në “thesin” e interesave korruptive
anti-kombëtare të biznesit mafioz të “plehrave vrasëse”. gazeta “Telegraf” ka
qenë përherë në “frontin” kundër importit të plehrave në Shqipëri, duke
denoncuar me fakte pazaret e batakçinjve të politikës e të pushteteve të çdo
krahu, qëndrim që po vazhdojmë ta mbajmë pa asnjë tërheqje. Në vijim të
investigimit të “Telegraf”, lidhur me historinë 25-vjeçare të krimit të
importit të plehrave, të maleve të plehrave të vendit që mbushin rrugët, lagjet
dhe qendrat e banuara, të groposjes së mbetjeve toksike e radioaktive, të
importit, të kalimit transit dhe shkarkimit të mbetjeve e lëndëve radioaktive në
territorin shqiptar, sot po zbardhim një skandal shtetëror lidhur me lejimin
dhe fshehjen e mbetjeve radioaktive që janë dhe futen në Shqipëri, nga vendet e
huaja. Në këtë mbledhje, deputeti Majko, deklaroi: “PS është kundër kalimit dhe
depozitimit të mbetjeve radioaktive në Shqipëri, duke dhënë alarmin, se vendi
do të kthehej në një kosh plehrash të botës dhe magazinë të mbetjeve
bërthamore. Deputetët anëtarë të PS në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, sot
votues të ligjit “rilindës” të importit të plehrave në Shqipëri, 6 vite më parë
kanë paralajmëruar dhe kanë votuar kundër, duke thënë se “…ato lëndë të
rrezikshme, duke kaluar nëpër Shqipëri, me hyrje nga Maqedonia për në Itali,
ose e kundërta, mund të futen në një ndonjë shpellë dhe të groposen aty, pra
këto lëndë të rrezikshme mund të lejohen “humbasin rrugës” gjatë
kalimit nëpër Shqipëri. Mjafton të lexosh procesverbalin e mbledhjes dhe
konstaton faktin, që ky skandal është debatuar dhe lënë në heshtje në Mbledhjen
e Komisioni Parlamentar të Ligjeve, të datës 1 dhjetor 2010, me rend dite:
Sigurinë bërthamore,
aderimin
në Konventën e Bashkuar për sigurinë e menaxhimit të lëndës djegëse të konsumuar

dhe sigurinë e menaxhimit të mbetjeve e lëndëve radioaktive vendase e të huaja
që kalojnë transit, apo që shkarkohen e depozitohen në territorin shqiptar,
debatet e të cilës po i publikojmë të plota:

 

Debatet zbulojnë skandalin me lëndët dhe mbetjet radioaktive të vendit e të
huaja

 

Të ftuar në mbledhje:

Sokol Frroku, Drejtor Juridik
në Ministrinë e Shëndetësisë

Rustem Paci, Përgjegjës
i Zyrës së Rrezatimit në ISHP

Ida Pashko, specialiste
në ISHP

Kostandin Dollani, Përfaqësues i Qendrës së Fizikës Bërthamore të Zbatuar.

 

Objekti i mbledhjes:

 

Ja çfarë është
deklaruar, çfarë është fshehur dhe çfarë nuk është votuar nga PS (opozita) në këtë
mbledhje

 

Rustem Paci: Nga këto dy konventa që shkojnë bashkë në linjë, Shqipëria
është e përfshirë vetëm në Konventën për Trajtimin e Mbetjeve Radioaktive për
sa kohë që nuk ka përdorim të materialeve bërthamore. Ne do të jemi anëtarë të
këtyre konventave në mënyrë onorifike. Ndërsa, për sa i përket Konventës për
Lëndët Radioaktive, ne jemi pjesë e saj, sepse edhe legjislacioni shqiptar i
parashikon të gjitha. Të dyja konventat nuk kanë detyrime dhe sanksione, por
vetëm në qoftë se nuk plotësohet një element, atëherë kemi sanksione. Kjo nuk
vlen për këto dy konventa. Këto konventa do t’i zgjidhin problematikat në
mënyrë të njëpasnjëshme, por nuk do të ketë sanksione për Shqipërinë. 

 

Pandeli Majko: Nga specialistët dëgjova që aderimi në këto dy konventa
është onorifik për Shqipërinë. Pyetja ime e parë është: sa shtete të Bashkimit
Europian i kanë miratuar këto konventa? A jemi vërtet shteti i fundit që i
miraton, apo jo? Pyetja e dytë është: pse duhet të kemi një martesë të këtyre
dy konventave? Pse Konventës për Sigurinë Bërthamore, që për mua është në
rregull, i duhet bashkëlidhur Konventa për Sigurinë e Menaxhimit të Lëndës
Djegëse të Konsumuar dhe Sigurinë e Mbetjeve Radioaktive? Nga vëzhgimi i
shpejtë që u bëra konventave, shoh se bëhet fjalë edhe për depozitim të
mbetjeve radioaktive, pavarësisht se ne i kemi ose jo mjetet dhe teknologjitë e
kësaj natyre. Besoj se arrini ta kuptoni shqetësimin tim.

Rustem Paci: Lidhur me pyetjen e parë, unë ju shpjegova se të gjitha
vendet e Bashkimit Europian i kanë miratuar këto dy konventa. Për sa i përket
pyetjes së dytë, do t’ju them se agjencia ka 5 konventa bazë, nga të cilat
Shqipëria ka miratuar tre prej tyre. Konkretisht, këto konventa janë: Konventa
për Mbrojtje Fizike të Materiale Radioaktive, e cila është miratuar kur ju keni
qenë ministër i Mbrojtjes. Konventa “Për njoftimin e shpejtë të
aksidenteve bërthamore” është miratuar në vitin 2003, konventa “Për
ndihmë, asistencë teknike në rastin e aksidenteve” përsëri është miratuar. 

Nga pesë konventa bazë, tri janë miratuar nga Shqipëria në afatet më
optimale, kanë mbetur edhe dy ende pa u miratuar. Konventat nuk është se kanë
ndonjë lidhje që njëra duhet të tërheqë tjetrën, por janë bazë për secilin
shtet të komunitetit europian dhe më gjerë. Shqipëria ka miratuar tri, i kanë
mbetur edhe dy, të cilat kanë një farë vonese, nuk është se ka penalizime, por
i japin frymëmarrje dhe mundësi më tepër Shqipërisë që të jetë pjesëmarrëse
aktive e këtyre vendeve. Lidhur me depozitimin, ky problem, sikurse e dini,
është një problem botëror dhe atribut i vendeve që tashmë i kanë programet bërthamore.
Të gjitha shtetet europiane praktikisht kanë hyrë në këto programe, por jo të
gjitha momentalisht bëjnë depozitimin. Ne jemi përpjekur që të bëjmë
edhe një rregullim në terminologji. Depozitimi nënkupton mbetjet radioaktive. Mbetjet
kanë 2 lloje depozitimesh: të përkohshëm dhe depozitim përfundimtar. Shqipëria
bën depozitimin e përkohshëm. Ne kemi aplikime në mjekësi, industri, kudo. Ju e
dini që spitali “Nënë Tereza” ka dy burime të fuqishme kobalti që
trajton të sëmurët me kancer. Në industri përdoren gjerësisht ato që quhen
sonda radioaktive. Këto burime, pasi punojnë 5 ose 10 vjet, e konsumojnë jetën
e punës dhe kërkojnë një trajtim. Këtë trajtim e bën praktikisht Qendra e
Fizikës Bërthamore. Në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë
Atomike ne kemi ngritur në vitin 2000 një laborator modern për trajtimin e
përkohshëm të mbetjeve. Në kushte normale ky laborator, sipas parashikimeve
tona, mund të jetë deri në vitin 2050, në qoftë se supozojmë se nuk do të ketë
aksident apo ndonjë problem. Natyrisht, ne kemi një favor sepse Shqipëria nuk
trajton karburant bërthamor të konsumuar, nuk kemi të tillë dhe as nuk kemi
ndërmend të marrim, por trajton mbetje me jetëgjatësi të shkurtër. Kështu që
pas 50 vjetësh ato mbetje që janë depozituar në vitin 2000 i bie të largohen
prej andej dhe të trajtohen si mbetje të zakonshme, sepse burimet radioaktive
janë konsumuar. Megjithatë deri në vitin 2050 Shqipëria është e
siguruar, ka një trajtim korrekt, ashtu sikurse Italia dhe të gjitha vendet e
tjera fqinje. Për sa i takon depozitimit përfundimtar, ky problem do të dalë
kur të lindë. Në qoftë se ne do të kemi central pas 10 apo 15 vjetësh, do të
dal edhe trajtimi përfundimtar i mbetjeve radioaktive, të cilat janë problem.
Aplikimet që bën Shqipëria nuk përbëjnë ndonjë problem aq të rëndësishëm.

 

Vasilika Hysi: Kam një pyetje lidhur me kalimin kufitar. A do të kemi
depozitim të mbetjeve radioaktive të vendeve të tjera në Shqipëri? 

Kostandin Dollani: Natyrisht që jo. Nuk parashikohet as në konventat që janë, as në
legjislacionin tonë.

Arben Isaraj: Kur bëhet fjalë për sigurinë, aq më tepër për sigurinë
bërthamore, pse është Ministria e Shëndetësisë propozuesi i projektligjit? 

Rustem Paci: Në vitin 1995 Parlamenti ka miratuar ligjin që
përcakton autoritetin rregullator në Republikën e Shqipërisë për të gjithë
përdorimin e sigurt të burimeve radioaktive në Republikën e Shqipërisë,
përfshirë edhe mbetjet. Ky komision përbëhet nga disa anëtarë të ministrive të
ndryshme dhe kryesohet nga ministri i Shëndetësisë. Komisioni ka anëtarë nga
Ministria e Mjedisit, nga fakultetet dhe nga Policia e Shtetit. Pra, është
komision me bazë të gjerë. Në bazë të ligji, ky komision ka të gjithë
autoritetin për dhënien e licencave, për kontrollin, për inspektimin, për
sanksionet dhe gjithçka që lidhet me përdorimin e mbetjeve në Republikën e
Shqipërisë. Ndërsa Qendra e Fizikës Bërthamore të Zbatuar mbulon elemente që
kanë të bëjnë me zhvillimin e teknologjisë, dozimetrinë personale dhe me
kalibrimin. Pra, është një përdorues i materialeve radioaktive në Republikën e
Shqipërisë.

Pandeli Majko: Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, për një përsëritje deri
diku, të asaj që thashë pak më përpara. Siç u tha nga specialisti, te kapitulli
i pestë kemi të bëjmë me lëvizjen ndërkufitare. Shqetësimi im është se me
miratimin e kësaj konvente për mbetjet bërthamore ne duhet të krijojmë një
legjislacion të pranuar nga shteti shqiptar për depozitimin e mbetjeve
bërthamore nga një shtet tjetër. TEC-i për mua nuk është ndonjë problem i madh.
Ai është një infrastrukturë e rregulluar. Është brenda një sistemi të brendshëm.
Ajo që më shqetëson dhe këtu e kam sensin e bërjes së pyetjes është se
nëpërmjet kësaj konvente në një mënyrë apo në një tjetër, ne ndërtojmë një varg
rregullash bazuar mbi këtë konventë për depozitimin në Shqipëri të mbetjeve
bërthamore. Deri këtu unë jam dakord me ju, por kapitulli i pestë flet për
depozitimin në Shqipëri të mbetjeve bërthamore të prodhuara jo në Shqipëri. 

Rustem Paci: Kjo konventë nuk lidhet me faktin që në Shqipëri mund të
hapet ndonjë depo për depozitimin e mbetjeve dhe të lëndës djegëse. Kjo
konventë ka disa detyrime, nëse duam që ta bëjmë si shtet dhe si Parlament. Kjo
që po diskutoni është një çështje tjetër dhe depozitimi i mbetjeve në Shqipëri
është çështje tjetër. Kjo konventë rregullon të gjithë elementet që kanë të
bëjnë me mbetjet radioaktive që kemi për momentin në Shqipëri. Nuk lidhet me
mbetjet bërthamore të cilat mund të vijnë nga vende të tjera. Nëse nesër
Parlamenti vendos që në Shqipëri do të ndërtohet tre centrale bërthamore, kjo
është çështje e Parlamentit shqiptar, jo një çështje personale e imja. 

 

Saimir Tahiri: Pyetja që kam, ka të bëjë me materialin në shqyrtim, por
shkon edhe pak më tej. Aktualisht, në Shqipëri, deri në ç’masë ka mbetje ose
ndotje radioaktive dhe sa shqetësuese është kjo? 
Rustem Paci:
Rregullimi i mbetjeve radioaktive në Republikën e Shqipërisë bëhet në bazë të
Ligjit Nr. 8025, i ndryshuar, dhe të rregullores që ka kaluar në Këshillin e
Ministrave gjatë këtij viti. Ne kemi një sasi mbetjesh radioaktive në
Republikën e Shqipërisë, e cila është depozituar në depon e mbetjes. Depoja e
mbetjeve është vlerësuar edhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike
dhe është e licencuar nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet. 
Shqipëria nuk është një vend, që prodhon një sasi të madhe mbetjesh
radioaktive. Të gjitha mbetjet janë të kondicionuara në kushte optimale dhe nuk
përbëjnë risk për publikun. Ne jemi në gjendje të depozitojmë deri në 300 metra
kub mbetje, të cilat duhet të kompresohen. Aktualisht kemi të mbushur vetëm një
pjesë shumë të vogël të depos së mbetjeve radioaktive. Pra, praktikisht jemi në
nivele shumë të ulëta, por e rëndësishme është se kemi të gjitha llojet e
mbetjeve radioaktive në depo, për sa i takon kategorizimit. Pra,
burimet radioaktive që përdorim në Shqipëri janë nga kategoria e parë deri në
të pestën për të gjitha nivelet, por nuk kemi në përdorim materiale bërthamore
dhe lëndë djegëse të konsumuar. 

 

Mesila Doda: Së pari, ku gjendet depoja, për të cilën na folët dhe a
ka nivel sigurie? Së dyti, a e kërcënon vendndodhja e depos nivelin e sigurisë
së Partisë Socialiste? 

Rustem Paci: Depoja e mbetjeve radioaktive është e vendosur në një
institucion, ku, menaxhohet në mënyrë të sigurt, nga pikëpamja e mbrojtjes së
publikut. Elementet e sigurisë janë “upgrade-uar” nga qeveria amerikane. Ato
lidhen me të gjithë sensorët për sa i takon sigurimit fizik të depos së
mbetjeve. Ka 3 qendra të cilat përdorin burime radioaktive të fuqishme. Pjesa e
tretë e pyetjes, nuk më takon mua. 

Vasilika Hysi: A kemi kaluar deri tani mbetje radioaktive transit në
Shqipëri? 

Rustem Paci: Që nga viti 2000 e mbrapa nuk ka pasur në Shqipëri
lëvizje transite, apo hyrje të mbetjeve radioaktive. 

Vasilika Hysi: A ka pasur para vitit 2000? 

Rustem Paci: Nuk kemi informacion se ka pasur importe të mbetjeve
radioaktive në Shqipëri.