Shqipëria kundër SHBA për Jerusalemin, LSI: Votë kundër Kosovës, vendimi i pakonsultuar

500
LSI ka dalë kundër qeverisë për votën e qeverisë shqiptare në OKB për statusin e Jerusalemit kundër SHBA. Ish-ministrja e Integrimit, deputetja e LSI Klajda Gjosha deklaroi sot se vota kundër SHBA është votëk undër Kosovës dhe se ky vendim i qeverisë ishte i pakonsultuar me Kuvendin dhe Presidentin.
“Vota dje e Shqipërisë mbi statusin e Jerusalemit ishte në mënyrë demonstrative një votë kundër aleatit më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, një votë kundër SHBA-ve. Shqipëria dhe shqiptarët në fakt nuk kanë votuar kundër SHBA-së. Është vetëm qeveria ajo që bart këtë votë të rëndë mbi supe dhe këtu është ndarë qëndrimi qytetar me qeverinë. Vota e qeverisë kundër SHBA-së ka shënuar në mënyrë të paprecedentë edhe një votë kundër Kosovës. Në një vendim kaq të rëndësishëm nuk ka pasur asnjë konsultim”, deklaroi Gjosha.
Ajo theksoi se kjo votë duhet të ishte unifikuar dhe të përfaqësonte votën e popullit shqiptar.
“Mbrëmë vetëm pak minuta pas votimit MEPJ ka nxituar të sqarojë për opinionin publik, votën kundër SHBA. Dëshiroj t’i them sot kryeministrit dhe ministrit të jashtëm se pasi keni vënë shqiptarët në një pozicion të vështirë dhe para një fakti të kryer, çdo justifikim tjëtër është i pavlerë”, u shpreh Gjosha.
Ajo kujtoi se edhe vende anëtare të BE-së abstenuan në OKB, duke akuzuar qeverinë shqiptare për keqpërdorim të BE-së.
“Sjell në vëmendjen tuaj se edhe vende anëtarë të BE-së, Kroacia, Hungaria, Rumania, Polonia kanë abstenuar në votën e tyre ndaj rezolutës së OKB-së.
Ndaj është për të ardhur keq edhe keqpërdorimi që i është bërë vetë BE-së duke e përdorur atë si një mburojë për votën kundër aleatit tonë strategjik. Është e rëndë kur shikon se kryeministri e do Amerikën për të kapur drejtësinë dhe për të dhunuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe në anën tjetër investohet kundër saj në kundërshtim me interesin kombëtar. Asnjë marrëdhënie dhe asnjë raport i Shqipërisë nuk krahasohet me atë me SHBA-të që gjithnjë kanë qëndruar fort në krahun e shqiptarëve, ndaj shqiptarët do të tregojnë gjithnjë një mirënjohje ndaj SHBA-ve”, tha Gjosha.
Sigal