Shqipëria është rruga kryesore kalimi e refugjatëve drejt Evropës

169

Petraq BARJAMI

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin pranon se në Shqipëri ndodhen aktualisht mbi 4.000 refugjatë

Shqipëria është rrugë kryesore kalimi drejt Evropës për emigrantët e paligjshëm. Shqipëria është kthyer në një ndër rrugët kryesore që refugjatët e luftës në Lindjen e Mesme dhe emigrantët e paligjshëm edhe nga Pakistani, Afganistani ndjekin për të shkuar në vendet e Evropës, në një kohë që shumë shtete të Evropës i kanë mbyllur tërësisht kufijtë e tyre, sikurse Rumania, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Kroacia. Njëkohësisht Organizata Ndërkombëtare për Migracionin IOM pranon se në Shqipëri ndodhen aktualisht mbi 4.000 refugjatë (sirianë, irakianë), të çilët mbahen në kampet e pritjes në Babrru, që qeveria shqiptare i ka hapur, kjo edhe në marrëveshje (ndoshta të heshtur, të pashpallur) me vendet kryesore të BE-së, sikurse Gjermania, Austria, etj, dhe kuptohet që shpenzimet për këta refugjatë që mbahen në Shqipëri, mbase i paguan edhe BE-ja.

IOM: 18.000 refugjatë dhe emigrantë kaluan nga Shqipëria në 2018-n

Të përditshme janë lajmet që refugjatë sirianë dhe irakianë vijnë në kufijtë e Shqipërisë në Kakavijë dhe në Kapshticë nga toka greke, të çilët vijnë në grupe të vogla, e shumta deri në 20 – 25 veta dhe jo në shumicë, për të mos bërë përshtypje, sa mund të krijojnë reagime dhe kundërshtime në opinionin e brendshëm shqiptar. Qeveria greke, në mos i drejton refugjatët drejt kufirit shqiptar, u krijon atyre të gjitha lehtësitë, që të përshkojnë territorin grek, derisa të mbërrijnë në kufijtë e Shqipërisë. Qeveria shqiptare, i pranon këta refugjatë, i çon në kampet e pritjes, që ka ngritur në Babrru dhe asnjëherë nuk i kthen mbrapsht dhe as ka kërkuar nga qeveria greke, që të pengojë depërtimin e refugjatëve nga territori grek në kufijtë e Shqipërisë. Ndoshta mosreagimi i qeverisë shqiptare, padyshim, që na jep të drejtën, që të mendojmë se, ndoshta pranimi i refugjatëve në Shqipëri është pjesë e marrëveshjeve që Shqipëria ka nënshkruar me BE-së, që siç ka pohuar disa herë kryeministri Rama, “edhe Shqipëria do të japë kontributin në pritjen e refugjatëve dhe emigrantëve, me aq sa mundet…”. Sipas raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), vetëm në periudhën janar-shtator 2018, rreth 18 mijë emigrantë, kryesisht sirianë e pakistanezë, kaluan nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë , për në vendet e BE-së. Krahasuar me një vit më parë, kjo shifër është shtatëfishuar. Ndërkohë nga rruga tjetër tokësore, ajo Turqi-Greqi, për të njëjtën periudhë kohore kanë kaluar vetëm 12 mijë emigrantë.

IOM: Në Shqipëri ndodhen 4.000 refugjatë

Aktualisht në Shqipëri, IOM raporton se ndodhen rreth 4 mijë emigrantë të paligjshëm, që presin të kalojnë kufirin. Krahasuar me një vit më parë kjo shifër është katërfishuar. Sipas raportit, vitin e fundit, numri i emigrantëve që zgjedhin të kalojnë përmes kufirit tokësor dhe jo atij detar, është rritur ndjeshëm, si për shkak të rrezikut të lartë që vinte nga deti, ashtu dhe për faktin, se tashmë kanë një rrugë të paligjshme, më të lehtë përmes kufirit tokësor shqiptaro-malazez.