Shqipëria, drejt Europës me brekë nëper këmbë

796
Sigal

Edhe pse nuk janë plotësuar reformat e 12 prioriteteve, BE-ja, me kompromis, i jep sot Shqipërisë statusin kandidat

Sot, de fakto, Bashkimi Europian i jep Shqipërisë statusin kandidat. Një rast i papërsëritshëm, që Shqipëria, i vetmi vend në Ballkan,  gjithsesi  mund të bëj krahasim me vendet e tjera europiane, dështoi më parë dy herë për marrjen e statusit kandidat. Edhe tani,  ndonëse për të tretën herë, BE-ja ia  jep statusin Shqipërisë, më tepër si kompromis politik, se sa si arritje të realizimit të 12 prioriteteve. Kur, ndërkohë, reformat e 12 prioriteteve, akoma nuk janë miratuar në parlamentin shqiptar. Sepse në Kuvendin e Shqipërisë, politika bëhet alla shqiptarçe, ku secila palë politike shikon e përpiqet që të përfitojë më shumë për veten e saj në dëm të kundërshtarit politik. Çdo produkt politik në Kuvendin e Shqipërisë, quhet fitore e njërës palë politike, vetëm kur ka triumfuar interesi partiak mbi palën tjetër, pa u bërë aspak merak, që produkti politik të jetë në të mirën e përgjithshme. Kjo shpjegon edhe përse reforma parlamentare dhe ajo e Gjykatës së Lartë nuk po miratohen, sepse PD-PS bëjnë pazarin politik për të balancuar interesat partiake në këto reforma, se sa të mendojnë që reformat të ofrojnë për shqiptarët standardet europiane e demokratike. Produkti politik i këtyre pazareve partiake është realiteti i stërzgjatur i tranzicionit që ende vazhdon në Shqipëri, pas 21 vjetëve. Edhe tani që Shqipëria merr statusin kandidat, kjo nuk do të thotë që, njëkohësisht, për shqiptarët ndryshoi diçka rrënjësore në realitetin e jetës. Dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë, nga BE-ja (për kompromis, apo për mëshirë, pak rëndësi ka), nuk solli një ndryshim të sjelljes të administratës publike në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Dhënia e statusit nuk ka sjellë ndryshimin në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në spitalet publike. Edhe në arsimin publik, nuk është përmirësuar diçka që të ndikojë në një rritje cilësore në dobi të përvetësimit të dijeve. Dhënia e statusit kandidat Shqipërisë nuk ka ndikuar në rritjen e besueshmërisë të shqiptarëve ndaj organeve të akuzës e drejtësisë. Edhe përse  reforma e kufizimeve të imuniteteve, një nga  12 prioritetet,  u miratuan me konsensus politik, prapëseprapë pakkush në Shqipëri mendon që korrupsioni do të luftohet nga politika dhe Shqipëria pak i është afruar realitetit ligjor të demokracisë europiane, që të kemi një besueshmëri më të madhe në vetë marrjen e statusit kandidat, si një shpresë për t’u afruar me demokracinë europiane. Shqiptarët, më shumë kanë nevojë për një afrim, qasje  të realitetit të demokracisë europiane, se sa marrja e statusit të jetë produkt i një kompromisi politik të BE-së me politikën shqiptare. Sepse, ky kompromis politik i dhënies të statusit, mund të shkaktojë efektin e kundërt të vetë shqiptarët. Atë ndjenjë zhgënjimi që mund të ndjejnë shqiptarët, që, ndërsa në letër kemi një status kandidat të BE-së, e në realitet jetojnë akoma një tranzicion politik  të vështirë alla shqiptarçe. Ndoshta mund ta kuptojmë edhe përse BE-ja e jep statusin kandidat Shqipërisë, si produkt i kompromisit politik, se sa ri një realitet i arritjeve të standardeve të demokracisë europiane. Ky kompromis politik i BE-së me politikën shqiptare, më shumë bëhet nga BE-ja, jo për keqardhje politike për shqiptarët. BE-ja më shumë, përpiqet që të shpëtojë nga dështimi i vet në raport me politikën që ndjek në Shqipëri. Kjo më shumë dëshmohet që ky lloj statusi kandidat që i jepet Shqipërisë do të jetë i kushtëzuar. Ky kushtëzim, do të thotë që politika shqiptare, edhe më shumë do të jetë në banko-provën politike nga BE-ja për ecurinë e reformave politike. Dhe më tej, kohëprova e kushtëzimeve të statusit kandidat, deri në pranimin e Shqipërisë si anëtare e barabartë në BE, do të jetë shumë e gjatë. Ndryshe kjo do të thotë që Shqipëria do të shkojë në Europë me brekë nëpër këmb.