Shqipëria dorëzon kufijtë, kontrolli nga “Frontex”

497
Shqipëria ka rënë dakord që kufijtë detarë dhe tokësorë të saj të kontrollohen nga misioni “Frontex” i Bashkimit Evropian për të frenuar trafikun e paligjshëm të emigrantëve. Komisioneri për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulous, ka nënshkruar në Tiranë marrëveshjen me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Marrëveshja për migracionin parashikon ardhjen e ekspertëve të “Frontex”. “Kjo marrëveshje do të mundësojë që në të ardhmen të vendosen në Shqipëri ekipe nga Agjencia Evropiane e Kufirit dhe Rojës Bregdetare. Në fakt, siglimi i kësaj marrëveshjeje shënon edhe fundin e negociatave. Marrëveshja do të firmoset në mënyrë zyrtare diçka më vonë, mbasi të dy palët të kenë përfunduar procedurat e tyre ligjore të brendshme”, deklaroi Komisioneri Avramopulous. Për luftën ndaj trafikut të drogës, komisioneri Avramopulos njoftoi rënien dakord dhe firmosjen e një memorandumi mirëkuptimi me Shqipërinë. “Kjo marrëveshje për drogën i jep mundësi Shqipërisë që të përfitojë financime dhe fonde që kanë të bëjnë me politikat kundër drogës dhe kam kënaqësinë të them, që ne tashmë do të mbështesim ato nisma që janë të rëndësishme për luftën tonë të përbashkët kundër drogës”, vijoi komisioneri evropian. Avramopulous nënvizoi në fund edhe rëndësinë që kanë këto dy marrëveshje për vendin tonë. “Këto marrëveshje janë hapat e para drejt finalizmit të destinacionit tuaj të afrimit në BE”, tha ai.
Sigal