Shqipëria do të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave me BE, kushti i fortë Reforma në Drejtësi

387
Sigal

Komisioni Evropian do të miratojë në 9 nëntor 2017 vendimin historik për hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Burime zyrtare në Bruksel, pohojnë, se “Shqipëria pritet të marrë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave por me kusht, rezultate konkrete nga reforma në drejtësi”. Metodologjia do të jetë e njëjtë me atë të vitit të kaluar, ku për secilin nga kapitujt do të vlerësohet progresi i bërë. Burime zyrtare nga Brukseli pohojnë për mediat se “ligji i Vetingut i dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike nuk do të jetë pengesë për dhënien e rekomandimit, pasi me reformën në drejtësi, është plotësuar kushti kryesor për të dhënë rekomandimin pozitiv për Shqipërinë për hapjen e negociatave”. Pas publikimit të raportit pritet që në dhjetor të votohet në Këshillin e Evropës. Do të jenë vendet anëtare ato që do të vendosin nëse Shqipëria do të hapë negociatat apo jo. Marrja e një rekomandimi pozitiv për Shqipërinë është arritja e dytë më e madhe pas marrjes së statusit të vendit kandidat në 2014. Tashmë, Shqipëria është një hap i madh përpara me procesin e integrimit, ndërkohë që zbatimi i Reformës në Drejtësi, rezultatet e para të saj duket do të jenë kushtet që do të kërkojë në vijim Bashkimi Evropian për të çelur negociatat. Qeveria shqiptare nga ana e saj ka kërkuar që zbatimi i reformës në drejtësi të bëhet përmes procesit të integrimit, pasi kapitujt që do të hapen të parët do të jenë 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Ky vendimi i BE­së për të dhënë rekomandimin pozitiv këtë vit, lidhet edhe me zgjedhjet që do të bëhen në shumë prej vendeve anëtare, veçanërisht në Gjermani.