Shqipëria, burim kryesor i kanabisit për BE

588
Raporti i OKB për drogën: Shqipëria, burim kryesor i kanabisit për BE
Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit të Narkotikëve shprehet se një pjesë e heroinës së trafikuar po qëndron në vendin tonë për t’u konsumuar
Emri i Shqipërisë ka dalë edhe një herë në raportet dhe lajmet ndërkombëtare për çështjen e drogës, duke e cilësuar vendin tonë furnizuesin kryesor të vendeve të Bashkimit Europian me kanabis. Tashmë organizata ndërkombëtare të specializuara, në raportet e tyre për vitin e shkuar, e dokumentojnë shumë lulëzimin e kanabisit dhe “gjelbërimin” e Shqipërisë. Një raport i Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve për vitin 2017 flet me hollësi për gjendjen e kultivimit dhe trafikimit të drogave në botë. Raporti përfshin të dhëna për të gjitha rajonet e botës veç e veç. Mes të tjerash, ai identifikon Shqipërinë si burim kryesor të kanabisit që përdoret në Bashkimin Evropian. Në raport përmendet ndër të tjera e ashtuquajtura rrugë ballkanike e trafikimit të drogës, që siç thuhet aty, dominon korridorin e trafikimit në Evropën Lindore. Grupet kriminale shqiptare, thuhet në raport, bashkëpunojnë ngushtë me grupet kriminale në Greqi, Itali, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni dhe Turqi. Në rrugën e Ballkanit, thuhet aty, opioidet trafikohen nga Afganistani, Pakistani dhe Irani, duke kaluar nëpër Turqi dhe Ballkan për në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Sipas raportit, rruga e Ballkanit ka disa degë që ndryshojnë vazhdimisht, por rrjedha kryesore kalon nga Bullgaria, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Austria, ndërkohë që një degë më e vogël përmes Maqedonisë dhe Kosovës përdoret për magazinimin dhe ripaketimin. Në Shqipëri, thuhet në raport, gjatë vitit 2016 pati një shtim të kultivimit të kanabisit, e lidhur kjo me një zgjerim të trafikut detar, si dhe me përpjekje për trafikim përmes rrugëve ajrore. Konfiskimet e kanabisit në Shqipëri u rritën me 164 për qind nga viti 2015 në 2016, duke arritur në një total prej 30 ton në vitin 2016, krahasuar me 11.3 ton të konfiskuar në 2015. Gjatë kësaj periudhe, çmimi i kanabisit të papërpunuar u ul, nga 600-1,300 euro për kg në vitin 2015 në 100-400 euro për kg në 2016. Gjithnjë e më shumë, thotë raporti, një pjesë e heroinës së trafikuar po qëndron në Shqipëri për konsumatorët vendës. Sipas statistikave të qeverisë, konfiskimet e heroinës në vitin 2016 tregojnë një rritje të sasisë së sekuestruar.

Çfarë është Bordi?
Bordi Ndërkombëtar për Kontrollin e Narkotikëve është trupa e pavarur monitoruese dhe kuazi-gjyqësore për zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për kontrollin ndërkombëtar të drogës. Qendra e tij është në Vjenë. Ai është ngritur në vitin 1968 në përputhje me Konventën për Drogat të vitit 1961. Bazuar në aktivitetet e tij, INCB publikon një raport vjetor, që i dërgohet Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Raporti jep një përmbledhje të situatës për kontrollin e drogës në vende të ndryshme të botës. Si organizëm i pavarur, INCB synon të identifikojë dhe parashikojë trendet negative dhe të sugjerojë masat e nevojshme që do të merren. Raporti vjetor është i plotësuar me të dhëna teknike për drogat dhe substancat psikotrope, duke dhënë një vlerësim të detajuar për çdo vend mbi prodhimin e paligjshëm, tregtinë dhe konsumin e drogës. 
Rritet eksporti i heroinës nga Meksika për në SHBA
Një raport i ri për drogën në botë tregon se heroina dhe eksportet e fentanilit nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara janë në rritje. Duke folur në Meksikë, Presidenti i Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve, Raul Martin del Campo, vuri në dukje rritjen e madhe të përdorimit të drogës në mbarë botën. Ai theksoi sidomos trafikimin e drogave të paligjshme në Amerikën e Jugut si dhe drejt Shteteve të Bashkuara nga këto vende. “Mbledhja e opiumit që shihni në kaq shumë vende kudo në Amerikën e Jugut, si dhe në Meksikë gjatë rrugës drejt Shteteve të Bashkuara është rritur në sasi të konsiderueshme, siç regjistrohet edhe në raport. Janë zbuluar gjithashtu të hyjnë në vend sasi fentanili dhe kjo po sjell pasoja në përbërjen e këtyre barnave që po eksportohen ilegalisht”, nënvizoi Del Campo. Meksika është nën trysni në rritje për të luftuar trafikun e drogës. Vitin e kaluar në të gjithë vendin u regjistruan më shumë se 25 mijë vrasje të lidhura me drogën. Ndërkohë, bandat rivale të drogës janë copëzuar gjithnjë e më shumë në grupe më të vogla dhe më të dhunshme.


Sigal