Shqipëri: Riintegrimi i ish-emigrantëve jo i lehtë

700
Sigal

DW: Emigracioni i ligjshëm në Gjermani nuk po i merr trurin Shqipërisë

Media gjermane DW publikon një studim për emigracionin shqiptar në 25 vitet e fundit dhe thekson se emigracioni i ligjshëm në Gjermani nuk po i merr trurin Shqipërisë. Emigracioni ilegal dhe azil-kërkimi në Gjermani për motive ekonomike tanimë duken një kapitull i mbyllur për qytetarët e Shqipërisë. 99,4 % e azil-kërkuesve, pas refuzimit nga autoritetet gjermane nga 2014-2017 janë rikthyer në Shqipëri, shumica vullnetarisht dhe një pjesë me detyrim. Një studim për emigracionin shqiptar në 25 vitet e fundit, i kryer nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, i mbështetur nga GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar) dhe i sapo publikuar në Tiranë, vëren se një kategori tjetër e emigrantëve të kthyer është edhe ajo e atyre që kanë jetuar legalisht për shumë vite në Gjermani apo kanë kryer atje studimet e larta.

Kthim me mentalitet të ri, shprehi gjermane pune

Riintegrimi i ish-emigrantëve, legalë, ilegalë apo azil-kërkues, të kthyer në Shqipëri, nuk është i lehtë. Pas vitesh jete dhe pune në Gjermani ata kanë vështirësi me mentalitetin vendas, nuk gjejnë punë, përballen me paga të ulëta, mungesën e rregullave të lojës, administratën publike jo efikase dhe korrupsionin, vë në dukje studimi i mbështetur nga GIZ. Prof. Dr. Kosta Barjaba, që drejtoi këtë studim, sociolog, ekspert për emigracionin, thotë për DW se në përpjekjet për t’u ri-integruar ata kanë disa veçori dalluese nga emigrantët e kthyer nga vende të tjera të BE, kryesisht nga Greqia apo Italia. “Të kthyerit nga Gjermania kanë një fuqi më të madhe tërheqëse në tregun e punës, janë të zotët të lundrojnë në det të hapur” dhe të krijojnë sipërmarrjet e tyre. Ata kanë pasur vështirësi të mëdha për t’u integruar në Gjermani, të cilat i kanë bërë të jenë më konkurrues. Sa më i vështirë integrimi në Gjermani, aq më të mëdha eksperiencat dhe aftësitë sipërmarrëse që kanë fituar. Ata kanë kuptuar që betejat që duhet të zhvillojnë me tregjet shqiptare, me mjedisin shqiptar janë më të ashpra pasi shpejtësia e lëvizjes së tyre është më e madhe se e shoqërisë shqiptare. Ata janë bërë pothuajse gjermanë, evropianë në mentalitet, shprehitë dhe kulturën e punës”, thotë për DW, Prof. Dr. Barjaba.

A po ikën truri i Shqipërisë në Gjermani?

Jo, thotë për DW, Kosta Barjaba: “Në Shqipëri ka një perceptim të gabuar lidhur me emigrantët e ligjshëm, që mundëson Gjermania për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Vërtet Gjermania është e hapur për të marrë elitat nga çdo vend i rajonit apo më gjerë. Por në rastin konkret Gjermania kërkon njerëz për shërbime në sistemin shëndetësor, kryesisht për të moshuarit. Sistemi shëndetësor dhe ai social gjerman kanë shumë profesione të ndërmjetme që u ofrojnë pacientëve shërbime, kanë një gamë të gjerë pozicionesh pune që nuk i plotëson dot vetë për arsye të ndryshme dhe për të cilat ka uri tregu gjerman i punës. Prandaj Gjermania është magnet për momentin, shkurt Gjermania nuk kërkon trurin, por profesionistë për shërbime të caktuara. Trurin e kërkon dhe po e merr p.sh. Kanadaja, që ka një sistem përzgjedhjeje të emigrantëve të superkualifikuar”, thekson ai.

Lëvizja e ngadalshme e shoqërisë në krahasim me individin

Profesionistët për shërbime ndërmjetëse në sistemin shëndetësor që kërkon Gjermania, tani për tani nuk i duhen Shqipërisë, sepse sistemi i saj shëndetësor nuk i ka këto shërbime. Por edhe kur t’i ketë, përsëri dëshira për të emigruar do të jetë e madhe.

Ligji i ri i Emigracionit në Gjermani

Ligji synon lehtësimin e ardhjes në Gjermani të akademikëve dhe fuqisë së kualifikuar punëtore. Ky është një vendim i mençur në veçanti kur dihet se në Gjermani ka një mangësi serioze të fuqisë së kualifikuar punëtore në shëndetësi, zejtari, sektorin e përkujdesjes për të moshuarit. Ligji nuk ka dhe nuk duhet ta ketë për synim integrimin e refugjatëve në shoqëri dhe tregun e punës. Kjo çështje duhet të zgjidhet diku tjetër dhe kjo nuk mund të konsiderohet si mangësi e ligjit. Kriteret për migrimin e kuadrove të kualifikuara duhet të jenë shkollimi, përgatitja, mosha, njohja e gjuhëve dhe dëshmitë konkrete se këta persona i përshtaten tregut të punës. Por për detajet kërkohet me siguri edhe shumë kohë.