Shqipëri-Maqedoni, mbledhje të përbashkëta të qeverive

67
Kryediplomati i Shkupit viziton Tiranën. Presidenti Meta vlerëson vullnetin për miratimin e “Ligjit për përdorimin e gjuhëve”
Shqipëria dhe Maqedonia do të mbajnë një mbledhje të përbashkët qeverie në Progradec gjatë vjeshtës së ardhshme. Këtë e konfirmuan ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, Ditmir Bushati dhe Nikola Dimitrov, gjatë vizitës që ky i fundit zhvilloi dje në Tiranë. Ky vendim vjen pas takimit të dy kryeministrave pak javë më parë në Trieste. Gjatë konferencës për shtyp të dy ministrave asnjëherë nuk u përmend Marrëveshja e Ohrit, një dokument që ka qenë kryefjala e takimeve mes dy vendeve. Por për këtë, ministri Bushati dha shpjegimin e tij. “Marrëveshja e Ohrit, marrëveshja e Perzhinos, në një mënyrë apo në tjetër gjendet e trupëzuar edhe në deklaratën e partive politike shqiptare në Maqedoni, por edhe në programin e ri qeverisës që ka marrë votëbesimin në Parlamentin e Maqedonisë dhe një pjesë të këtyre angazhimeve unë i gjej edhe në platformen apo programin 3-6-9 që qeveria e Maqedonisë ka prezantuar në Bruksel”, deklaroi Bushati. I pyetur nga mediat mbi ligjin e gjuhës shqipe, ministri i Jashtëm maqedonas tha se po bëhen të gjitha përpjekjet që ai të jetë sa më kushtetues. “Ligji për gjuhën shqipe nuk po vonohet, përkundrazi po përshpejtohet në tekstin i cili do të parashtrohet dhe që do të kalojë edhe në qeveri, edhe në Kuvendin e Maqedonisë edhe në Komisionin e Venecias, e cila do të ndihmojë që ai tekst të jetë konform Kushtetutës. Edhe ky ligj është në interesin e Republikës së Maqedonisë, pasi versioni jonë për Maqedoninë është: sa më tepër qytetarët tanë janë të bashkuar dhe sa e ndiejnë vetën qytetar të këtij shtetit, aq më shumë Maqedonia do të jetë e qëndrueshme”, tha Dimitrov. Gjithashtu, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti dje në një takim të veçantë kryediplomatin e Maqedonisë, Nikola Dimitrov, duke shënuar edhe takimin e parë zyrtar të tij me një delegacion të huaj. Presidenti Meta vlerësoi vizitën e Ministrit Dimitrov në Tiranë si shprehje e vullnetit të qeverisë së re të Maqedonisë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve duke nënvizuar ecurinë e tyre dypalëshe dhe vullnetin që ato të zhvillohen më tej në fushën e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në atë infrastrukturor dhe energjetik. Kreu i Shtetit përshëndeti përpjekjet e qeverisë së re të Maqedonisë për vijimin e reformave të rëndësishme demokratike dhe angazhimin e saj për stabilitetin politik e përmirësimin e klimës së bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërqytetar. Ai vlerësoi vullnetin e qeverisë maqedonase për miratimin e “Ligjit për përdorimin e gjuhëve” në mënyrë të veçantë atë të gjuhës shqipe, si një hap të rëndësishëm për adresimin e plotë e pa vonesa të Marrëveshjes së Ohrit. Sipas njoftimit zyrtar, Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO si një hap që forcon sigurinë dhe stabilitetin e saj dhe të rajonit duke siguruar mbështetjen e Shqipërisë për këtë proces të rëndësishëm. Kreu i Shtetit vlerësoi rolin dhe kontributin e faktorit shqiptar për stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë dhe angazhimin aktiv të aktorëve politikë shqiptarë në drejtim të përmirësimit të klimës dhe harmonisë ndëretnike në Maqedoni. Presidenti Meta vlerësoi rolin e pakicës maqedonase në Shqipëri duke e konsideruar atë si një urë lidhëse të rëndësishme mes dy vendeve dhe duke nënvizuar se Shqipëria mbetet e përkushtuar për respektimin e pakicave etnike në Shqipëri në respekt të plotë edhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjithashtu, Meta shprehu falënderimet për urimin e marrë nga Presidenti Ivanov dhe i kërkoi ministrit Dimitrov përcjelljen e përshëndetjeve të tij të përzemërta për homologun e tij maqedonas.