Shqipëri-Mal i Zi, marrëveshje në fushën e turizmit

481
Sigal

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni nënshkroi sot Marrëveshjen me Ministrin e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit të Malit të Zi Branimir Gvozdenovic. Kjo marrëveshje synon të forcojë marrëdhëniet dypaleshe në fushën e turizmit, duke kontribuar në njohjen reciproke të historisë, kulturës dhe traditës së popujve tanë fqinjë.

Marrëveshja synon lehtësimin e procedurave të kontrollit kufitar të grupeve të organizuara turistike, konform legjislacionit në fuqi, inkurajon bashkëpunimin mes institucioneve përkatëse turistike si publike ashtu edhe private, dhe nxit shkëmbimin e përvojave në fushën e turizmit dhe informacionit statistikor.

Gjatë takimit që delegacioni malazes zhvilloi në mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit u ra dakord që palët  të nxisin shkëmbimin e turistëve në të dy anët e kufirit, duke promovuar potencialet turistike të dy vendeve, duke organizuar panaire, por edhe veprimtari të përbashkëta turistike mes operatorëve turistikë të dy vendeve tona.

Ministrat Gjermeni dhe Gvozdenovic ndanë të njëjtin mendim sa i takon krijimit të tregut të përbashkët turistik mes 2 vendeve dhe ranë dakord të punojnë bashkarisht për të inkurajuar lundrimin me kroçere përgjatë bregdetit Adriatik të dy vendeve. Një tjetër nismë konkrete mes dy vendeve janë  udhëtimet me varkë në të dy anët e liqenit të Shkodrës, për të nxitur turizmin.

Ministrja Gjermeni gjatë daljes para mediave u ndal konkretisht në dy projektet rajonale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, projektit ndërkufitar të Alpeve dhe projektit Majat e Ballkanit .

“Përmes këtyre projekteve rajonave, ne synojmë zhvillimin e produktit lokal turistik, u shpreh Ministrja Gjermeni, e cila vlerësoi se këto oferta turistike rajonale promovojnë atraktionet turistike, ofrojnë kombinimin  e kulturave dhe traditave mes vendeve, duke garantuar zhvillimin ekonomik dhe duke e bërë rajonin tonë konkurues në tregun evropian”.

Ministrja Gjermeni e njohu homologun malazez me ecurinë e projektit për palën shqiptare. Hartimi i Masterplanit të Alpeve brenda territorit të Shqipërisë synon realizimin e një studimi të thelluar për nxitjen e mëtejshme të turizmit në zonën e Alpeve, planifikimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe investime në përmirësimin e infrastrukturës publike në koordinim me biznesin e komunitetet vendore.

Projekti Majat e Ballkanit synon krijimin e shtegut malor me gjatësi rreth 192 kilometra që shtrihet në 3 vendet tona, Shqipëri, Kosovë dhe Mal i Zi, i cili promovon potencialet turistike të këtyre zonave, por shërben edhe si një model bashkëpunimi ndërmjet tre shteteve kufitare.

Të dy palët ranë dakord të punojnë për projektin ndërkufitar të Liqenit të Shkodrës i cili do të nxisë jo vetëm shkëmbimet turistike, por edhe ato të mallrave mes dy vendeve tona.

Marrëveshja e nënshkruar nga dy ministrat, synon angazhimin e të dy vendeve përmes programeve të përbashkëta, edhe nëpërmjet fondeve IPA  në menaxhimin e liqenit të Shkodrës apo investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës turistike përgjatë bregdetit të dy vendeve.

Kjo Marrëveshje vjen pas asaj të nënshkruar më palën Kosovare, marrëveshje të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e paketave të përbashkëta turistike.