Shqipëri-Greqi, pakti i paqes apo pakt me djallin

498
FORUMI/ Gazetarë dhe studiues komentojnë diskutimet dhe negociatat për marrëveshjen e detit, rolin e institucioneve, përplasjet politike dhe ndikimin te çështja çame
Negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për arritjen e një marrëveshjeje mbi ndarjen e vijës detare kanë “pushtuar” politikën dhe vëmendjen e opinionit publik. Një seri pyetjesh po “mundojnë” prej javësh njerëzit e politikës dhe shtypit: “Janë zhvilluar ose jo negociata pa lejen e Presidentit Meta? Çfarë do të ndodhë me ligjin e luftës? Çfarë pasojash do të ketë mbi çështjen çame?”. “Telegraf” mori opinionet e Erald Kaprit dhe Aleksandër Çipës, dy njohësve të politikës dhe marrëdhënieve greko-shqiptare, historisë dhe aktualitetit të tyre, pikërisht për të ndihmuar në zbërthimin e dilemave të opinionit publik. 

Erald Kapri, gazetar dhe studiues:


“Diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe marrëveshjet e dala nga to, kanë mjaft hije dyshimi. Së pari, Shqipëria dhe Greqia patën disa vite rënie marrëdhëniesh dhe më pas krejt papritur dhe me disa takime, u shpall që janë mbyllur çështjet shekullore mes dy palëve. Ky lloj diskutimi, besoj se e nxjerr tepër zbuluar diplomacinë shqiptare si të paaftë dhe madje të kapitulluar.

Çështjet e mbartura mes dy vendeve nuk mund të zgjidhen vetëm nga disa takime për shkak të mprehtësisë së tyre. Fjala bie, kur flasim për çështjen e ligjit të luftës, heqja e tij duhet të kërkojë një studim dhe një plan paraprak në mënyrë që historia e këtij ligji të mos përsëritet. Kujtoj se me nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë në vitet ’90, u tha se ligji i luftës u shfuqizua dhe më pas u vërtetua se nuk ishte e vërtetë. Pronat e shqiptarëve të konfiskuara me këtë ligj janë ende të konfiskuara. Çështja e marrëveshjes së detit është gjithashtu mjaft delikate dhe kërkon negociata të gjata dhe një rrugëzgjidhje tjetër nga modeli i vitit 2009. Unë mendoj se zgjidhja e ofruar që kjo çështje të zgjidhej nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë do të ishte me mjaft vlerë, pasi një aktor i tretë dhe i pavarur mund të jepte një zgjidhje të pranuar nga të dyja palët.

Më tej, personalisht më shqetëson fakti që qeveria nuk ka përfshirë aktorët e rëndësishëm në Shqipëri në këto bisedime. Jo vetëm Presidenti, por edhe opozita, nuk ka asnjë informacion. Ky është një precedent i rëndë, pasi në këto vite të gjata lufte politike, pavarësisht sulmeve dhe betejave politike, në politikën e jashtme, të dy palët kanë pasur dakordësi. Kjo traditë shtet-formuese nuk duhej të cenohej. Vlen të theksoj se çështjet që janë mes Shqipërisë dhe Greqisë janë tepër të komplikuara sa ideja se “zgjidhëm çështjet” është një dritëshkurtësi. Vetëm në vitet 30 nën Mbretin Zog, Shqipëria dhe Greqia mbyllën çështjet mes dy vendeve të tilla si njohjen e minoriteteve, autoqefalia e Kishës, hapja e shkollave shqipe në Çamëri, etj dhe sërish shtetarët e atyre viteve nuk proklamonin diçka të tillë. Çështja Çame kërkon një angazhim tepër serioz të diplomacisë shqiptare në raport me shtetin helen por edhe me faktorin ndërkombëtar.

Në tërësi, unë besoj se qeveria shqiptare po përdor marrëveshjet me Greqinë për kapital të brendshëm politik. Kjo nuk i shërben interesave kombëtare. Këto marrëveshje në një kohë kaq të bëftë, komplikojnë çështjet shqiptare. Pas këtyre marrëveshjeve egziston rreziku se shteti grek të mos të kërkojë më asnjë diskutim për shqetësimet shqiptare, nisur nga fakti se çështjet jetike të tyre i konsiderojnë të mbyllura, veçanërisht me marrëveshjen për detin, varrezat dhe rishikimin e teksteve. Përballë këtij rreziku dhe moskalkulimi, besoj se qeveria e sotme do ketë një përballje të vështirë me historinë e shqiptarëve, sepse përdorimi i interesave kombëtare për qëllime të brendshme politike, nuk është gjë tjetër vetëm se dëmtim dhe cenim i interesave kombëtare. Dhe për këtë, dikush do mbajë përgjegjësi një ditë…”.
Aleksandër Çipa, gazetar:
“Negociatat aktuale mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjet më shqetësuese mes dy vendeve në 70 vitet e fundit, përbëjnë një moment kthese historike. Janë jo vetëm faktorët politikë shqiptaro-grekë që kane mbërritur në një çast të tillë, por unë besoj tek ndërhyrja e faktorit të tretë kompleks, atij ndërkombëtar. Fakti që Presidenti i BE-së zoti Junker e përmendi këtë si një kusht gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, flet hapur për këmbënguljen e faktorit ndërkombëtar për mbylljen e problemeve të tilla, të cilat shkaktojnë diversitete dhe konflikte mes vendeve, por pse jo edhe mundësi për konjuktura ndërhyrjesh dhe përfitimesh gjeopolitike nga vende të treta e shtete të fuqisë gjeopolitike. Kryeministri Rama e ka shpallur nënshkrimin me homologun grek Cipras si një marrëveshje strategjike. Në informacionin e pamjaftueshëm rreth bisedimeve konkrete dypalëshe për zgjidhjen e këtyre çështjeve, si arritja më e bujshme po konsiderohet ajo për vijën detare mes dy vendeve. Gjasat janë që marrëveshja e vitit 2009 mes dy ish-kryeministrave Karamanlis-Berisha të sfidohet në shumë aspekte përmbajtësore dhe sidomos në kuadër të interesimit tonë kombëtar. Ndryshe nga ajo marrëveshje e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, në marrëveshjen e pritshme Shqipëria duket se do të ruajë hapësirën e rrezikuar të detit, si dhe mund të ketë edhe ndonjë përfitim të paplotë për sa i përket shfrytëzimit të Zonës së Lirë Ekonomike detare. 

Por për të mbërritur tek këto rezultate komplekse duket se lufta e brendshme politike mes aktorëve të rëndësishëm politikë-bërës Rama-Meta-Berisha dhe Opozita të mund të krijojnë situata dhe imponime shtesë. E tillë është edhe situata e krijuar pas akuzës së ish-kryeministrit Berisha për një ish-ushtarak të akuzuar për spiunazh, por që tashmë ka cilësinë e inspektorit të Ministrit të Mbrojtjes. Kjo akuzë dhe ndoshta disa nevoja riverifikimesh për një ose dy anëtarë të delegacionit shqiptar të negociuesve, mund të krijojnë momente të reja dilemash apo pengimesh përsa u përket afateve kohore të negocimit të marrëveshjes greko- shqiptare. Nga ana tjetër Presidenti i Republikës zoti Meta ende do të konsumojë kohë për dhënien e plotfuqishmërië së kërkuar nga Qeveria përmes Ministrit Bushati. Kjo arsye është e mjaftueshme për të zgjatur kohë dhe për të krijuar një tjetër raund përplasjesh apo kontestimesh mes dy institucioneve të larta të Republikës. Nga ana tjetër Greqia, që ia ka parë përsëritshëm frytet konfliktit politik të brendshëm shqiptar, do të shfaqë në ditët e negocimeve komplekse supremacinë dhe ndërgjegjen e shtetit shumë përfitues. Kjo mbetet për t’u pritur, ndërkohë që përmes hermetizmit dhe qetësisë që ndihet në mediumet dhe debatin publik të vendit fqinj, mund të lexojmë se sa e zvogëluar është humbja në kapitullin e fundit të subjekteve me humbje dhe infernalitet që kemi pësuar dhe ndier gjatë kohës së gjatë të paskomunizmit. Diplomacia shqiptare kësaj here ka preferuar të bëjë bashkë një paketë përmbyllëse për të gjitha problemet që na kanë shkaktuar humbje dhe keqsjellje të fqinjit tonë që edhe pse gjendet në skajin më jugor të Ballkanit na tund pareshtur kriterin se rruga jonë për Evropën që kemi në veriperëndimin tonë, kalon nga skaji më jugor i gadishullit(!)!!!!”.
Sigal