Shpëtim Cami: “U premtoj qytetarëve se do jem zëri dhe forca e tyre!”

1284
Sigal

Kandidati për Kryetar i Minibashkisë nr.1 në Tiranë

Më 23 Qershor, krahas zgjedhjeve për Kuvendin e ri, do të zhvillohen edhe zgjedhjet në disa njësi të pushtetit vendor, aty ku drejtuesit e tyre, janë tashmë kandidat për deputet. Kështu, në Minibashkinë numër 1, Shpëtim Cami  do të kandidojë për kryetar të kësaj Njësie Bashkiake. Kandidatura e tij u përzgjodh, duke patur parasysh edhe përvojën e gjatë që ka në pushtetin lokal, si i zgjedhur në Këshillin Bashkiak dhe më tej. Shkëlqim Cami, në intervistën për “Telegraf”, zbardh edhe alternativat dhe risitë që do të sjellë në krye të Minibashkisë numër 1 në Tiranë, krahas vazhdimësisë të punës së mirë që la trashëgimi, zonja Lindita Nikolli.

– Zoti Cami, nëse do  të bëni një ballafaqim të premtimeve dhe arritjeve të Kryetares të Minibashkisë, zonjës Nikolla, në 2 vjetët e drejtimit të saj, mund ta cilësoni të suksesshme?

– Drejtimi i Njësisë Bashkiake nga zonja Nikolla, është vlerësuar me një votë masive nga votuesit e Njësisë Bashkiake nr.1 më 2011. Ky model drejtimi ka vazhduar edhe dy vitet në vazhdim.  Lidhur me premtimet dhe arritjet e zonjës Nikolla në këto dy vjet, kërkohet një analizë më e  gjerë se sa pyetja e një interviste, për shkak të ndryshimit të drejtimit të Bashkisë Tiranë si dhe te qeverisjes qendrore nga PD-ja. Premtimet janë bërë mbi bazën e kompetencave të Njësisë Bashkiake, të cilat megjithëse zoti Basha premtoi decentralizim, unë si këshilltar i Bashkisë Tiranë, mund të deklaroj se,  me vendime këshilli, ato janë centralizuar. Pavarësisht kësaj, banorëve  iu është ofruar një shërbim dhe komunikim qytetar, ashtu siç e meritojnë banorët tanë.

– Bën përshtypje që zonja Nikolli, nuk kandidon për deputete në minibashkinë që ajo ishte Kryetare, por në një minibashki tjetër të kryeqytetit. Nëse si kryetare do të kishte mirëbesimin e banorëve të kësaj minibashkie, a nuk do të fitonte më shumë edhe si kandidate për deputete në këtë minibashki?

– Zonja Nikolla, ka qenë e gatshme për t’i shërbyer komunitetit dhe PS-së, kudo ku e ka deleguar kryesia e PS-së, si në Lezhë, në rrethinat e Tiranës, apo tani tek Njësia nr 3 ku po punon për PS-në. Fakti që zonja Nikolli, tashmë si kandidate për deputete është e ngarkuar nga PS-ja të punojë në Njësinë nr 3, dëshmon se njihet personaliteti dhe kontributi i saj, edhe përtej Njësisë Bashkiake që ajo drejtoi në këto 2 vjet.

– Cilat janë problemet dhe shqetësimet që përballen banorët e Minibashkisë nr.1?

– Problemet dhe shqetësimet e banorëve tanë janë të shumta. Unë i njoh shumë mirë, pasi jam që prej 13 vjetësh  përfaqësues i tyre në Këshillin e Njësisë Bashkiake, në administratën e saj si dhe në Këshillin e Bashkisë Tiranë. Në zonën urbane janë bërë ndryshime  të mëdha, gjatë qeverisjes së Bashkisë Tiranë nga zoti Rama, por bllokimi i Këshillit të Bashkisë Tiranë, që nga viti 2009 ka sjellë bllokimin edhe të investimeve në zonën informale, që fillon nga Ura e Shkozës e deri në kufijtë administrativë me Komunën Dajt dhe Farkë.

Mosregjistrimi i pasurisë së familjeve tiranase, të vendosura në këtë zone para vitit 1990,  si dhe moslegalizimi i pasurisë së familjeve të ardhura, pas vitit 1990, ka sjellë anomali të shumta  në investime dhe pakënaqësi të banorëve , përgjegjësi kjo vetëm e qeverisjes 8 vjeçare të PD-së. Bllokimi i shpërndarjes së banesave sociale, që prej 2 vjetësh, mosdhënia e fondit të qirasë për familjet që iu është prishur prona, për arsye të ndërtimit të shkollës së re.

Gjithashtu, një problem madhor për banorët e Njësisë sonë është fakti  se ata  janë votuesit tanë, por  nuk mund të marrin shërbimin e merituar, për shkak se vendndodhja e banesave të tyre është në një territor tjetër si në Komunën Dajt, apo Farkë dhe ne nuk mund të bëjmë investime në ato territore. Kërkesës së vazhdueshme të banorëve për përcaktimin e identitetit administrativë ka rënë në vesh të shurdhër që prej 8 vitesh nga qeveria e PD-së, megjithëse kanë votuar gjithmonë PD.

Gjatë këtyre dy vjetëve u përfundua një segment i rrugës që lidh rrugën “Ali Demi” me Bulevardin “Bajram Curri”, që mbahej i bllokuar për 6 vjet nga qeveria, për shkak të drejtimit të Bashkisë nga Edi Rama, si dhe kanë nisur dy rikonstruksione rrugësh tek Pasho Hysa dhe Agush Gjergjevica. Të çudit fakti që Bashkia Tiranë mban të fshehtë projektin e rrugës Pasho Hysa dhe po ndërtohet një rrugë politike dhe jo me projekt, duke tentuar të arrestojë edhe bashkëshortin e kryetares së PS-së, që banon në këtë rrugë, megjithëse këtë shqetësim ia kam paraqitur personalisht zotit Basha.

– A ka ndonjë kontradiktë midis qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, për shkaqe politike?

– I përmenda më sipër disa elementë të paragjykimit politik, të cilat janë karakteristikë e qeverisjes së PD-së në çdo qelizë të pushtetit, përkundrejt një qeverisjeje për qytetarin, që është karakteristikë e PS-së.

– Po bashkëpunimin  deritanishëm, të  minibashkisë me Bashkinë e Tiranës, ju si do ta karakterizonit?

– Sa kohë këto dy nivele përputheshin nga pikëpamja politike, bashkëpunimi ishte për t’u admiruar, pas ndryshimit të Bashkisë Tiranë, me 2011, ky bashkëpunim lë për të dëshiruar.

– Motivi i kandidimit tuaj, cili është?

– Për të maksimizuar fitoren e PS-së në këtë Njësi Bashkiake si dhe për të bërë realitet ato që kam premtuar  deri tani për të tjerë.

– Meqë jemi në fushatën elektorale, është karakteristikë, që Kryetari i Bashkisë të Tiranës është mjaft aktiv, ndërsa kryetarët e minibashkisë, ku janë zgjedhur nga PS-ja, janë në hije. Perse kjo?

– Mendoj se kjo nuk është e vërtetë. Kjo është në dukje, kështu,  sepse mediat nxitojnë të vrapojnë pas kryetarit Basha, duke lënë në hije kryetarët e Njësive Bashkiake të PS-së. Ato janë në krye të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve.

– Po konkurrenti juaj i propozuar nga PD-ja?

– Është një miku im nga PD-ja, të cilin e zgjodha me konsensus sekretar të Këshillit që drejtoja unë në Njësinë Bashkiake nr.1 në periudhën 2003-2007 . Mendoj se është një kontribut i mirë i tij në shërbim të PD-së.

– Faleminderit!

 

Kush është Shpëtim Cami

” Universiteti i Tiranës ,  Fakulteti  i  Teknologjisë Informacionit. Dega Ing. Elektronike, profil   Informatike   viti  2008 ( Në   sistemin  Part Time)

” 22 shtator – 22 dhjetor 2008, Studime  pasuniversitare  pranë Akademisë Diplomatike  Shqiptare për “Marrëdhënie  Ndërkombëtare  dhe Diplomaci”

” Janar 2009 – Qershor 2010, Master  për Politike  të  Jashtme  dhe   Diplomaci, Albanian University    Tiranë

” Tetor 2008 – Tetor 2010, Master  për  Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe diplomaci , Universiteti  Ndërkombëtar,Strugë, Maqedoni.

” 2010   e  në vazhdim  studime  për  doktoraturë me temë “Roli i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Politikat e Sigurisë”

Angazhime në qeverisjen vendore

” Korrik  1992  – shtator 2000  anëtar  i këshillit  të   rrethit  Kurbin

” Tetor 2000   – Prill 2007   Kryetar i  Këshillit  të  Njësisë   Bashkiake  Nr  1  Tiranë

” Maj  2007  –   Nëntor 2010  Zv/kryetar  i Njësisë  Bashkiake  nr.1  Tiranë

” Korrik 2011 e në vazhdim, anëtar i Këshillit të Bashkisë Tiranë