Shpërthen debati, PD kërkon arrestimin e ministres Gjonaj

614
Ministrja e Drejtësisë akuzoi opozitën se kishte penguar ngritjen e KLP-së dhe KLGJ-së. Reagon deputeti Bylykbashi
Shpërthen debati mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Partisë Demokratike lidhur me ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë. Ministrja Gjonaj akuzoi opozitën se kishte penguar ngritjen e KLP-së dhe KLGJ-së, ndërsa Partia Demokratike e cilësoi anëtaren e kabinetit “Rama” si përgjegjëse për ekstradimin e një pjesëtari të grupit “Habilaj”, në kundërshtim me ligjin. 

Gjonaj: Opozita pengoi ngritjen e KLP e KLGJ
Procesi i vetingut të prokurorëve e gjyqtarëve pritet të japë rezultatet e para në shkurt. Në Fier, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se në shkurt do të mund të dalin te dhënat për drejtuesit kryesorë, por njëkohësisht edhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e të Gjykatës së Lartë. Me miratimin edhe të emrave për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të nisë zbatimi i reformës në drejtësi, tha Gjonaj. “Sa më shpejt që të miratohet kjo listë, aq më shpejt do të mund të funksionojë sistemi i ri i drejtësisë”, u shpreh ministrja. Ajo akuzoi edhe opozitën për bllokimin e procesit. “Mendojmë që mbase në shkurt do të dalin rezultatet e para për drejtuesit kryesorë, por njëkohësisht edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, kandidatët për KLGJ apo KLP me qëllim që të kemi mundësinë që menjëherë pas kësaj të ngrihen institucione e reja. Ju e dini mjaft mirë që Partia Socialiste, Kuvendi dhe deputetët e PS­së kanë marrë të gjitha masat me qëllim që të gjitha këto institucione të reja të drejtësisë të ngrihen sa më shpejt. Është pikërisht ky procesi i fundit që ndodhi, nuk u votua dhe e gjithë lista nuk u votua, u rrëzua për anëtarët e KLGJ dhe KLP që lidhet me sistemin e drejtësisë. Sa më shpejt që të miratohet kjo listë, aq më shpejt do të mund të funksionojë sistemi i ri i drejtësisë, i cili ka në thelb të saj transparencën, pavarësinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në gjykimet që bëjnë“, tha Gjonaj. Më tej ajo shtoi se në drejtim të zyrave të ALUIZNI-t dhe Hipotekave janë vendosur njerëz, të cilët përmbushin të gjitha kriteret. Por Gjonaj theksoi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje ligjore, abuzimi me detyrën apo marrje ryshfeti.

PD: Pranga për ministren e Drejtësisë
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, reagoi pas deklaratave të ministres së Drejtësisë se opozita ka penguar ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Duke iu referuar ekstradimit në Itali të të arrestuarit për dosjen Tahiri-Habilaj, deputeti Bylykbashi e “këshilloi” ministren Gjonaj: “Më mirë kërko avokat‎”. “Paska dalë të recitojë psalmin”, “Vetëm ne ‎që lirojmë kriminelët e duam reformën në drejtësi” vetë Ministrja e Drejtësisë! Po, vetë ajo.‎ Qenka e shqetësuar pse opozita nuk ua miratoka symbyllur listën e KLGJ dhe KLP me kandidatë ish-ministra socialistë, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, gjyqtarë, prokurorë e hetues që kanë dënuar për politikë, me probleme me dekriminalizimin, të skualifikuar nga ONM‎, që nuk kanë paguar taksat, apo kandidatë që kopjojnë si në fillore”, u shpreh Bylykbashi. Sipas tij, ministrja shqetësohet madje edhe me “naivitet”, se kjo po pengoka drejtësinë. “Atë drejtësi që me firmën e kësaj Ministreje në bashkëpunim me Prokuroren e Përgjithshme Provizore i hoqi nga duart Prokurorisë së Krimeve të Rënda dëshmitarin‎ kyç të dosjes Tahiri/Habilaj. Gjoja po ndihmojnë drejtësinë italiane, por në fakt penguan drejtësinë shqiptare. Fundja, le të dënohet Habilaj në Itali, mjaft të shpëtojë Tahiri në Shqipëri”, nënvizoi Bylykbashi. Ai shtoi se zbatimi i Kushtetutës do t’i jepte vendit KLP-në dhe KLGJ-në. “Opozita po pengon, moj Ministre?! Po nëse zbatohej Kushtetuta konsensuale, sot do kishin KLGJ e KLP të ngritur, do kishim Prokuror të Përgjithshëm sipas Kushtetutës, do të kishim SPAK të pavarur. Pengimi i drejtësisë përbën krim. E nëse sot do të kishim SPAK të pavarur, prokurorët e tij sot do të trokisnin me prangat në duar në derën e Ministres së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.‎ Por mos u mërzisni, sepse nëse nuk ju vjen SPAK, do t’ju vijnë shqiptarët”, tha Bylykbashi. 

PP: Shkelje gjatë ekstradimit
Prokuroria e Përgjithshme ka pranuar se ka pasur shkelje të ligjit në mënyrën se si u ekstradua drejt Italisë, Nezar Seiti. Sipas zyrës së Arta Markut, transferimi i “krahut të djathtë” të Habilajve ka probleme procedurale. Prokurorja e Përgjithshme deklaroi se menjëherë mblodhi strukturat përkatëse dhe udhëzoi verifikimin e rastit brenda pak orësh. Hetimet u shtrinë në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Prokurorinë Për Krime të Rënda dhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

Vendimet e kryeprokurores
Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, pasi shqyrtoi rastin e ekstradimit të Nezar Seitit drejt Italisë, ka marrë këto masa:
1 – Në mbështetje të nenit 160 pika 5, në lidhje me Kreun V, të Ligjit nr. 96/2016 “Për Satusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të fillojë hetimin disiplinor për rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë disiplinore nëse ka, të prokurorëve që kanë trajtuar çështjet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Prokurorinë Për Krime të Rënda.
2 – Të dërgojë aktet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe t’i kërkojë asaj prokurorie regjistrimin e procedimit penal, për të hetuar rastin dhe për të vënë para përgjegjësisë penale cilindo që mund të ketë shkelur ligjin.
3 – T’i kërkojë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të verifikojë procesin gjyqësor të ekstradimit të zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë nëse, gjatë gjykimit të çështjes ka shkelje të karakterit procedural.
4 – Ngarkon Drejtorinë e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme të studiojë rastin dhe të nxirren udhëzimet me karakter të përgjithshëm për të njehsuar praktikat në procedurën e ekstradimeve dhe më gjerë nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Sigal