Shpërthejnë studentët kundër tarifave të krediteve: Tallja me kredinë studentore dhe tronditja e qeverisë

73

Jakup B. GJOÇA

Shpërthejnë studentët kundër tarifave të krediteve: “Nuk jemi bankomatë”

Dhjetori i studentëve: Mijëra studentë në protestë, pezullohet mësimi në Tiranë dhe Elbasan

Dhjetori është muaji i studentëve shqiptarë. Lëvizja demokratike në Shqipëri në 1991. Filloi nga studentët e Universitetit të Tiranës. Pas 27 vitesh, sërish dhjetori i 2018-s është i trazuar. Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës dje zhvilluan në ditën e dytë të protestës. Ato kanë bojkotuar sërish mësimin, pasi janë kundër tarifës për provimet që jepen me kredite dhe rrethuan Ministrinë e Arsimit, ndërsa kërkuan takim me ministren e Arsimit. Ata nuk pranojnë që të futen brenda ambienteve të Ministrisë, pasi, sipas, tyre çdo kush që hyn aty mund të jetë i shantazhueshëm. Nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre ata kanë bërë thirrje për revolucion studentor “Revolucion studentor. Revolucion studentor, revolucion studentor, ne nuk jemi bankomatë, nuk tërhiqemi” “Jo negociata me ministren arrogante dhe injorante”, janë dëgjuar të thërrasin studentët.

Kërkesat e studentëve

Studentët kërkojnë gjithashtu që pagesa e tarifës së shkollës të kryhet në muajin janar, ashtu si për çdo vit tjetër dhe jo në muajin dhjetor. Studentët të cilët janë vetorganizuar, kanë bojkotuar mësimin, pasi kërkojnë plotësimin e tre pikave:

  1. Heqjen e pagesës për kredite të provimeve të mbartura,
  2. Shtyrjen e afatit të pagesës vjetore,
  3. Bërjen e pagesës me këste.

Kafshatë që s’kapërdihet është, or vlla, tarifa

Çdo kredit i provimeve të mbartura kushton 670 lekë të reja. Kjo tarifë u bë indicie që të rinjtë të dilnin në protestë, por ata nuk janë mjaftuar vetëm me kërkesën e heqjes së saj. Përveç heqjes së tarifës për provimet, ata kanë kërkuar edhe arsim falas. Shkrimet në pankartat e tyre kanë qenë veçanërisht shpotitëse për vendimet e marra së fundmi nga Ministria e Arsimit. Pagesa vjetore është tepër e lartë për shumicën e studentëve, duke marrë parasysh dhe faktin se një pjesë e tyre përveç studimeve, duhet të paguajnë dhe qira, si dhe për nevoja të tjera të cilat i shtohen kostove mujore gjithashtu. “Kafshatë që s’kapërdihet është, or vlla, tarifa”, ka shkruar njëri nga studentët në pankartë. Kostoja e shtuar e provimeve të mbartura, ishte kërkesa që mbushi kupën e studentëve, të cilët me shumë vështirësi përballojnë pagesën e shkollës së lartë, e jo më të paguajnë tarifa shtesë për aspekte të tjera të funksionimit të Universitetit. Një prej protestueseve ka nxjerrë dy anët e bulevardit të bllokuara nga studentë, por dhe qytetarë të tjerë që i janë bashkuar atyre.

Ministrja Nikolla ua hedh përgjegjësinë e tarifave universiteteve

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u është përgjigjur studentëve duke u shprehur, se ato duhet ta zgjidhin me universitetet, pasi tarifat janë vendimmarrje e tyre. “Tarifat e tjera janë vendimmarrje të Universiteteve. Administratorët e Universiteteve Publikë kanë ndryshuar dhe kanë vendosur të paguajnë me këste. Siç ka qenë pagesa, të vijohet edhe në vitet e tjera akademike. Kërkesa është që studentët që mbesin mos paguajnë tarifën. Ju bëj me dije se edhe me ligjin e vjetër ka qenë njësoj. Studentët që ngeleshin paguanin vitin. Kjo është e shkruar dhe në aktet ligjore të mëparshme. Ajo që është vullneti i Universiteteve, por edhe i shoqërisë është se nuk duhet të dekurajojmë cilësinë, por të motivojmë cilësinë. – u shpreh ministrja Nikollas.

Reagimi i kryeministrit Rama

Ministrja s’është as pa shkollë as me UFO, ndryshe nga çfarë ju mund të keni mësuar nëpër kazanet mediatike, ndërkohë që pyetja ime është: A jeni ju dakord që t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentet ngelës? Unë për vete nuk jam dakord e para dhe e dyta, nuk ka asnjë rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vetë universiteti sa për dijeni, quhet autonomi universitare), po ka zhurmë kazanesh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi.

Ja çfarë shkruan Edi Ramë në Twitter në reagimin e dytë: Thjesht e vërteta:

  1. Tarifat s’i përcakton ministria po universiteti. 2. Asnjë tarifë s’është rritur nga 2014. 3. VKM për tarifën e mbetësve është kërkuar nga universitetet. 4. Efekti i VKM nis vitin tjetër. 5. Ministria u ka sugjeruar sot universiteteve të konsiderojnë rishikimin e VKM.

Reagimi i “Lëvizja Për Universitetin”

Përgjigje kryeministrit:

  1. Nivelin e financimit të universiteteve publike dhe tarifën maksimale e vendos qeveria. Rrisni buxhetin dhe ulni tavanin! Pastaj universitetet mund të propozojnë uljen e tarifave.
  2. Në vitin 2014 tarifat janë rritur sa për pesë vite të mëparshme rresht. Përveç kësaj, ne kërkojmë përgjysmimin e tyre deri në realizimin e parimit arsim publik falas. E kupton logjikën apo ke nevojë për një orë leksioni?!
  3. Ne nuk jemi mbetës. Jemi mijëra studentë që punojmë dhe studiojmë fort. Prandaj shumë prej nesh zgjedhin t’i shtyjnë provimet, që të kemi mundësi të studiojmë më shumë.
  4. Ne do të jemi gjallë edhe vitin tjetër. Siç do të futen në universitete dhjetëra mijëra studentë të tjerë. Ne luftojmë edhe për ta.
  5. Rishikimin e V. K. M., e bën autoriteti që e ka hartuar, jo universitetet. Nuk ke një këshilltar që ka pak kulturë juridike?!

Studentët: Nesër sërish protestë para ministrisë deri sa të tërheqin tarifat

Kjo protestë e sotme nuk ka prapavijë politike. Zero politikë. Nuk ka lidhje politika këtu. Nesër (sot) në orën 08:00 do të bojkotohet mësimi në çdo universitet dhe do të vijmë sërish këtu. Sot ishim pa plan dhe jemi kaq shumë, nesër do të kemi plan dhe do të jemi edhe më shumë. Derisa Ministria dhe çdo institucion do të plotësojë këto kritere ne do të jemi këtu. Të gjithëve bashkë nuk na mposht as ministrja, as kryeministri”, – shprehen më tej studentët. Ditën e sotme, protestës së studentëve të Elbasanit dhe Tiranës, do i bashkohen dhe ata të universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Studentët i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili i konsideroi ngelësa, teksa shprehen se janë të rinj që me mish e me shpirt përpiqen të mësojnë.

Floida Kërpaçi, deputete e LSI-së: Universitetet janë shtëpia e studentëve dhe jo prona e qeverisë!

Kjo VKM, detyron studentët të braktisin shkollën dhe masivisht të kërkojnë largimin nga Shqipëria. Thirrja e studentëve ne nuk jemi bankomat dhe qeveria të mos të na trajtojë si të tillë, është apeli më i madh që i bëhet Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë për të mos i trajtuar si kavie eksperimentale. Sot si e re, si studente,si bashkëmoshatare, unë jam me studentët dhe mbështes kauzën e tyre. Sot si e re, jam me studentët dhe menjëherë duhet anuluar VKM Nr,288, dt 21.05.2018. Të gjithë mos të harrojmë se Universitetet janë shtëpia e studentëve dhe jo prona e qeverisë!

Basha mesazh për studentët: Mos u dorëzoni, të largojmë të keqen!

Unë kam një mesazh sot: Studentë mos u dorëzoni, qytetarë mos u dorëzoni së bashku mund ta rrëzojmë këtë qeveri dhe do të triumfojmë mbi të keqen”, u shpreh Basha nga protesta.

Edmond Tupe: Studentë protestoni, ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e vendit

Protesta e studentëve të Tiranës orë pas ore, po fiton masivitet dhe përkrahja edhe nga faktorë jashtë auditorëve. Ditën e sotme aty kanë mbërritur edhe përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si aktori Neritan Liçaj, regjisori Kastriot Çipi, por dhe pedagogu i gjuhës frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, profesor Edmond Tupja, i cili tha: “Është i saktë artikulimi që bëhet shpesh duke e quajtur rininë si ardhmja, pasi ajo është e tashmja që lufton dhe punon sot për të ardhmen. Prandaj ftoj të gjithë ata që iu besojnë kauzave të drejta t’iu bashkohen studentëve. Protesta e sotme nga studentët ishte e drejtë dhe i ftoj që të mos e ndërpresin, sepse kështu është shembur edhe sistemi diktatorial në fillim të viteve 90-të. Premtimet në Shqipëri bëhen falas, por në qoftë se nga 10 premtime sikur 7 të mbahen, ky sërish mbetet një premtim i pambajtur. Përballë kësaj politike-politikane, politikanët luajnë lojën e tyre e cila nuk është transparente. Arsimi duhet të jetë falas, për mua kjo që u bëhet studentëve është grabitje. Qëllimi i qeverisë aktuale siç duket është t’i dëbojë studentët. Në qoftë se taktika e qeverisë është të përzërë shqiptarët, natyrisht që edhe nga Bangladeshi do të vijnë njerëz të punojnë këtu. Do të mbetet një grup i vogël të lumturish me ca skllevër. Studentët nuk janë gurë shahu as robotë as të klonuar, janë njerëz me ndjenja, kanë një atdhe. Qeveria kërkon t’jua neverisë këtë vend shqiptarëve, dhe atdheu është në rrezik në kuptimin më njerëzor të fjalës. Ai kobziu në krye të qeverisë të shikojë vendin e tij, situatën në të cilën ndodhet. Studentët besoj ta kenë kuptuar se nuk duhet pasur besim tek kjo qeveri, premtimet që iu bëhen nuk do të mbahen kurrë. Politika është arti i të mashtruarit, e cila është bërë logore, që do të thotë fjalë të kthyera në diarre. Ne nuk jemi milet, e kemi lakun tek fyti ku një pakicë pasurohet paturpësisht dhe shumica dërrmuese jeton me ankthin ekzistencial. Duhet të bashkohemi në mënyrë të vetëdijshme. Për këtë ju bëj thirrje studentëve ta bashkojnë lëvizjen e tyre dhe të krijojnë një sindikatë të pavarur studentore shqiptare. Kujtojmë se kur u protestua në 2004-n qeveria u detyrua të bëjë lëshime. Ndaj për këtë studentët duhet të organizohen, sepse nuk duhet të kenë frikë nga kryeministri dhe ministrja, por kryeministri dhe ministrja të kenë frikë nga studentët, të cilët po na japin shembullin më të mirë të gjithëve.”

32 ditë në protestë

Banorët e “Unazës së Re”, edhe dje protestuan përsëri për të 32 ditë rresht, duke kërkuar dëmshpërblim të plotë sipas ligjit, dhe hodhën poshtë të gjitha kompromiset që u ka ofruar deri tani qeveria. Banorët kishin veshur sërish jelekë portokalli, por ishin më paqësorë, pasi nuk bllokuan rrugën. Banorët u shprehën të vendosur që të mos pranojnë prishjen e shpotive pa marrë më parë dëmshpërblimin e plotë. Banorëve të Unazës së Re iu bashkua edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha. Teksa falënderoi qytetarët për qëndresën e treguar, ai tha: “Mos u dorëzoni a ju të rinj, mos u dorëzoni ju studentë. Duke qëndruar të palëkundur jemi më të fortë. Falënderime nga zemra “Unazës së Re”, pasi na kanë treguar se si mund të zmbrapset e keqja duke qëndruar të bashkuar. Padyshim që unë jam dhe do të jem në krah të çdo proteste. Por ajo që mund të them është, se shqiptarët duhet të ngrihen. Duke reaguar dhe qëndruar të bashkuar kundër një klike hajdutësh do të zmbrapset e keqja. Unë dhe Partia Demokratike do të jemi të gjithë në përkrahje të çdo proteste”.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar sërish në protestë

Tirana në protestë. Dje ishte Dita e Protestave. Fillimisht, shpërthyen studentët në ditën e dytë të protestave të tyre, që kërkojnë heqjen e tarifave të kredive të provimeve. Më vonë ishte dita e 32 e protestave të banorëve në “Unazën e Re”, që kërkojnë dëmshpërblim 100 % të banesave të tyre, që do të prishen, për zgjerimin e rrugës. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar sërish në protestë, që nga mbrëmja e djeshme, duke shprehur edhe nj herë vendosmërinë e tyre për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga plani i ri i qeverisë për të ndërtuar 6 kulla të larta, pasi u miratua në Kuvend për të dytën herë ligji “Për Teatrin Kombëtar”. Në protestën e djeshme morën pjesë dhe folën edhe studentë, që shprehën solidaritetin e tyre, sikurse orë më parë, artistë u bashkuan në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit. Folësit shprehën apelin e tyre, që të gjithë duhet të bashkohen e të protestojnë, sepse të bashkuar do të fitojnë, sikurse fituan edhe në Francë jelekverdhët, pasi u bashkuan të gjithë, sa e detyruan Presidentin Macron të tërhiqte ligjin për rritjen e çmimit të karburantit.