Shpallen kandidaturat për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë

487
Sigal

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka bërë publike listën me 13 kandidatë që garojnë për të qenë Inspektoriri i Lartë i Drejtësisë, institucionit përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Kandidatët janë:

 — Altin Hazizaj,  jurist, ish-kandidat për në Këshillin e Lartë Gjyqësor;

 — Artur Malaj, gjyqtar i Gjykatës Administrative;

 — Artur Metani, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit;

 — Elira Kokona, Sekretarë e Përgjithshme e Minsitrisë së Drejtësisë;

 — Klodian Rado, ekspert pranë projektit EURALIUS, ish-gjyqtar;

 — Genci Gjoncaj, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit;

 — Lefteri Lleshi, ish-drejtuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;

 — Marsida Xhaferllari,  drejtuesja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë;

 — Mimoza Qinami, avokate, më herët ka kandiduar për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë;

 — Suzana Frashëri, juriste, ish drejtuese programi pranë Këshillit të Europës, ish gjyqtare;

 — Eris Hysi, avokat;

 — Ferdinand Caka, avokat;

 — Genci Ismaili, avokat.

Bie në sy kandidimi i shumë zyrtarëve të qeverisë apo ish-kandidatë për në poste të tjera në institucionet e reja të drejtësisë.

Altin Hazizaj ka kandiduar më parë për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, proces gjatë së cilit u zbulua se Hazizaj kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit.

Elira Kokana është Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë dhe më parë ka patur të njejtin pozicion pranë Ministrisë së Kulturës.

Genci Gjoncaj është aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, përgjegjës për një sërë vendimesh gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për në KLGJ dhe KLP, disa prej të cilave kanë rënë ndesh me rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Artur Metani është Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, emëruar nga Kryeministri Rama në dhjetor 2018.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të bëjë renditjen e kandidatëve bazuar në plotësimin e kushteve, dhe më pas do të dërgojë në Kuvend një listë me pesë kandidatët e renditur më mirë.