Shorti i KED, LSI letër Ruçit: Do të bojkotojmë, proces i paligjshëm

450
Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili është shprehur se LSI-ja është kundër hedhjes së shortit të enjten për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në letrën drejtuar kreut të kuvendit, Vasili deklaroi se do ta bojkotojnë mbledhjen sepse procesi nuk varet nga urdhrat e Gramoz Ruçit.
”Grupi parlamentar i LSI, nuk mund të bëhet pjesë e procesi përzgjedhës të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili po zhvillohet me procedura aspak ligjore dhe bazuar në kritere të cilat janë në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr.115/2016 “për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”. Për këtë arsye, ju kërkojmë ndërprejen e procesit të hedhjes së shortit dhe ndërmarrjen e nismave me qëllim thirrjen e konferencës së kryetarve me qëllim që Kuvendi, të iniciojë një proces serioz të kapërcimit të situatës së krijuar dhe frenimin e çdo iniciative të këtij lloji që do të prodhojë me pa më të voglin dyshim pasoja të rënda për vëndin, duke cënuar besimin e publikut tek reforma në drejtësi”,-thuhet ndër të tjera në letër.
Në lidhje me këtë bindje të krijuar, grupi parlamentar i LSI, parashtron argumentat e mëposhtëm ligjorë;
Së pari, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Ky organ kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Krijimi i këtij organi parashikohet në kushtetutë dhe konkretisht në nenin 149/d, të saj ku veç të tjerash citohet se: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) përbëhet nga 9 anëtarë, të përzgjedhur me short nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtar nga gjykatat e apelit, dy prokurorë nga gjykatat e apelit, një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj.
Në shkresën tuaj, ju i jeni referuar vetëm pikës 3, të nenit 149/d, por kushtetuta nuk lexohet dhe as zbatohet në mënyrë të fragmentarizuar, por në tërësinë e saj, për gjithë nenin, ku mund të vecojmë pikën 5, të po këtij neni, ku citohet se: “Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj”.
Pra në kushtet aktuale, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve që shoqërojnë atë, do të duhet që kuvendi në procesin përzgjedhës për herë të dytë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duhet të zbatojë jo vetëm kriteret e pikës 3, të nenit 149/d të kushtetutës, por në këtë proces kaq delikat dhe të rëndësishëm, do të duhet që të aplikohen kriteret solide kualifikuese të parashikuara në ligjin specifik.
Së dyti, në nenin 221, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, përcaktohen qartë kushtet, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për në KED, por dhe organet kompetente që kanë për detyrë të verifikojnë dhe të propozojnë listat e kandidaturave.
Sigal